Nga Lidhja Komuniste në Lidhjen Demokratike – e njëjta fytyrë e vjetër e dhunës
Rasti i Armend Zemajt nuk është një incident i rastësishëm, por pasqyra e një kulture politike që prej dekadash ushqehet me arrogancë, dhunë dhe trashëgimi shoveniste kundër shqiptare!
Në qendër të Prishtinës, deputeti i LDK-së Armend Zemaj është përfshirë në një akt të turpshëm dhune ndaj një qytetari të moshuar. Pamjet dhe dëshmitë që po qarkullojnë nuk tregojnë thjesht një nervozizëm momental, por një sjellje që rrënjët i ka thellë në mentalitetin e një partie që prej themelimit ka qenë strehë e ish-strukturave shovensite dhe bashkëpunëtorëve të sistemit jugosllav.
Pas vitit famëkeq 1989, kur aparati i Lidhjes Komuniste të Kosovës u shpërbë, shumica e funksionarëve të saj nuk u zhdukën – ata thjesht u konvertuan. Nga LKK në LDK, ndryshoi vetëm emri, ndërsa fryma mbeti e njëjtë. Ish zyrtarë e bashkëpunëtorë të strukturave serbe, të njohur për shërbimin e tyre ndaj sistemit të vjetër, e gjetën strehën e tyre në Lidhjen Demokratike të Kosovës – tashmë të ricikluar si parti “demokratike”.
Sot, kur një deputet i kësaj partie ngre dorën kundër një qytetari të moshuar, nuk kemi të bëjmë me një devijim individual, por me shfaqjen e asaj që LDK e ka kultivuar për dekada: arrogancën e pushtetit, mungesën e vetë-reflektimit dhe dhunën si mjet politik.
Kujtojmë se kjo frymë nuk është e re. Ajo u pa edhe brenda vetë LDK-së, në të ashtuquajturin “Kuvendi i Karrikeve”, ku dhuna fizike e verbale shpërtheu mes anëtarëve të partisë – një skenë që simbolizoi përfundimisht rrënimin moral të një subjekti që dikur pretendonte të përfaqësonte “maturinë” dhe “urtësinë” e popullit të Kosovës.
Sot, kur qytetarët kërkojnë llogaridhënie, përulësi dhe etikë publike, LDK vazhdon të tregojë se ende nuk është shkëputur nga hijet e së kaluarës. Rasti Zemaj është vetëm pasqyra më e fundit e një kulture që i përket së kaluarës – një kulture që Kosova demokratike nuk e meriton më.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
