NGA UKSHIN HOTI PËR UKSHIN HOTIN!

15
Jan
2024
Shkruan: Arflet Selmani


UKSHIN HOTI:
Edhe atëherë edhe tani kanë ekzistuar dhe ekzistojnë tendenca të fuqishme që të minimizohet ose që të mohohet plotësisht kontributi i im. Mirëpo, pasiqë argumentimi politiko-teorik i një intelektuali politik të madh në asnjë mënyrë s’mund të ishte i njëllojtë me argumentimin e një linguisti që merret me studimin e zanoreve të patheksuara në një fjali, të një sociologu që shtirej si politikolog ngaqë e kishte studjuar Makiavelin ndërkaq nuk e kishte vënë re asnjëherë se pikërisht ai shënonte paraardhësin e mendimit politik modern negativ dhe jo pozitiv, d.m.th. të një politike të konceptuar si cinizëm të zhveshur prej çfarëdo morali, të një historiani që kurrë nuk e kishte kuptuar ndërlikueshmërinë e politikës ndërkombëtare, kështuqë botën e reduktonte në kombin vetjak, i cili në këtë mënyrë ekziston në zbrazëtinë e vet, pra, pasiqë nuk është e mundur në asnjë mënyrë që të anashkalohen apo të mos merren parasysh faktet që pastaj do t’u bien në kokë, me kohë tendencat e tilla u bënë plotësisht kundërproduktive dhe të dëmshme.
Ukshin Hoti- Filozofia politike e çështjes shqiptare, faqe 148.
ARFLET SELMANI PËR UKSHIN HOTIN:
Pajtohem gjithmonë me vizionin dhe idetë e mëdha që ka pas Ukshin Hoti, dhe është një ndër personalitetet që unë e kam çmuar jashtëzakonisht, sepse ai ishte ashtu i jashtëzakonshëm.
Edhe atëherë edhe tani kanë ekzistuar dhe ekzistojnë tendenca të fuqishme që të minimizohet ose që të mohohet plotësisht kontributi i atyre që kanë kontriubuar realisht!
Shumë e vërtetë është se argumentimi politiko-teorik i një intelektuali politik të madh, në asnjë mënyrë s’mund të jetë i njëllojtë me argumentimin e disa të tjerëve që çalojnë edhe në profesionet për të cilat i kanë ndjekur studimet, ose më saktë janë ndjekur nga studimet! Mirëpo, sot ata janë shumicë dhe argumenti i një intelektuali të madh, ndodh shpesh që “mbulohet” me maskarallëqet e një shumice maskarenjsh dhe cinizmin e një shumice cinikësh.
Ekziston një lloj “kaste politike” që asgjë dhe asnjë intelektual të vërtetë nuk e kuncepton si vlerë, por si armik të saj. Pra, intelekti shqiptarë ka pas gjithmonë armiq të dyanshëm, armiqtë e vërtetë shekullor, dhe”miqtë” që kanë bashkëpunuar me armiqtë e vërtetë, e që kjo i bie se të dyja palët kanë qenë armiq të vërtetë.
Sot jetojmë në një ambient politik të çuditshëm dhe po të mbrosh interesa kolektive dhe të mbash qëndrime kombëtare, konceptohesh si një njeri që se kupton realisht politikën.!
Në fakt është e kundërta. Ata nuk e kuptojnë thelbin e politikës, sepse, politikën e shohin vetëm si biznes dhe jo si mision për t’i jetësuar qëllimet dhe interesat kolektive strategjike të popullit që e përfaqësojnë.
Ata menduan se e arritën qëllimin e tyre, por gabuan. Ukshin Hotin e zhdukën fizikisht, por harruan se ai jeton ende në zemrat dhe mendjet tona. Ai i la porositë e tij për brezat që vijnë pas. Ai nuk ka vdekur kurrë. Ai jeton dhe ripërtërihet në shpirtërat e shqiptarëve të vërtetë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/01/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk