Publikimet e “Pa Rrotlla”-s nën drejtimin e Milaim Zekës tregojnë manipulim të qëllimshëm, mungesë verifikimi dhe përdorim politik të formës gazetareske për propagandë.
Oct – 9 -2025
Në shqyrtimin e hollësishëm të materialeve të publikuara nga portali “Pa Rrotlla”¹, nën pronësinë dhe drejtimin editorial të Milaim Zekës, bëhet e qartë se ato nuk përfaqësojnë asnjë standard të pranueshëm të gazetarisë hulumtuese. Përkundrazi, përbëjnë një shembull tipik të përdorimit të formës gazetareske për qëllime propagandistike dhe diskredituese, ku mungon verifikimi, konteksti dhe balanca – tre shtyllat themelore të integritetit profesional.
Në këto publikime, Zeka dhe ekipi i tij paraqesin “transkripte audio” të bisedave të supozuara mes Nenad Rashiqit dhe personave të tjerë, duke pretenduar se ato “ngrejnë dyshime serioze për korrupsion brenda Qeverisë së Kosovës”. Por mënyra se si këto biseda janë përzgjedhur, transkriptuar e interpretuar, e shndërron përmbajtjen nga një burim i mundshëm informacioni në një instrument manipulimi.
Vetë Zeka shkruan:
“Pa Rrotlla sjell ekskluzivisht për herë të parë një bisedë që ngre dyshime serioze për korrupsion brenda Qeverisë së Kosovës.”
Ky formulim e shpall një përfundim përpara se të vendoset fakti. Publikimi nuk ofron asnjë provë për autenticitetin e incizimeve, as datë, as vend, as ndonjë formë verifikimi të pavarur. Për më tepër, në transkripte përsëritet shpesh “(nuk kuptohet)”, çka tregon ndërprerje, përzgjedhje dhe mungesë të integritetit të materialit origjinal. Gazetarisht, një transkript i tillë nuk mund të konsiderohet dëshmi, ai është, në rastin më të mirë, një fragment i paqartë që kërkon hetim, jo publikim përfundimtar.
Në vend që të shpjegojë kontekstin e bisedave, “Pa Rrotlla” i shoqëron ato me komentim interpretativ, duke i drejtuar lexuesit drejt një përfundimi të vetëm se bëhet fjalë për korrupsion. Kjo mënyrë prezantimi nuk është raportim, por interpretim politik. Një media e përgjegjshme, përballë një materiali të tillë, do ta kishte informuar publikun me kujdes, do ta kishte sqaruar se autenticiteti i inçizimeve nuk është i verifikuar dhe se palët e përfshira janë kontaktuar për koment. Asgjë nga kjo nuk ndodh.
Në tekst, për shembull, autori komenton:
“Kjo bisedë dëshmon përfitim fondesh dhe plane për shpenzim parash në mënyrë të kundërligjshme.”
Ky është një deklarim përfundimtar, jo një fakt i provuar. Ai i imponon lexuesit një kuptim të vetëm, duke e zhveshur nga mundësia për të gjykuar mbi bazën e të dhënave të verifikuara. Transkriptet e publikuara, të shkëputura nga konteksti i plotë dhe të ndërthurura me komente interpretuese, krijojnë një narrativë të ndërtuar, jo një realitet të dokumentuar.
Më problematike akoma është se i gjithë ky konstruktion qëndron mbi një pasaktësi faktike: Nenad Rashiq nuk është ministër i Qeverisë Kurti, siç pretendon “Pa Rrotlla”. Raportimi i Telegrafi.com² e sqaron qartë statusin e tij si kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, dhe jo pjesë e administratës qeveritare. Në deklaratat e tij për Telegraf, Rashiq thotë:
“Jam i zhgënjyer me institucionet e Kosovës që nuk kanë fuqinë t’i ndalin këto fenomene brutale.”
Ai flet si opozitar, jo si zyrtar qeveritar. Kjo do të thotë se vetë premisa mbi të cilën ngrihen akuzat është e rreme. Kur baza është e pasaktë, gjithë ndërtimi redaksional rrëzohet.
Gazetaria e mirëfilltë kërkon që publikimi i materialeve të tilla të shoqërohet me kontekst të plotë, transparencë mbi burimin dhe një proces verifikimi teknik të pavarur. Kur këto mungojnë, transkriptet nuk janë më dëshmi, janë materiale të manipuluara me qëllim politik. Zeka nuk paraqet asnjë dokument që lidh bisedat me transaksione reale, nuk kërkon konfirmim nga asnjë institucion, dhe nuk ofron asnjë reagim të Rashiqit. Ajo që mbetet është një seri frazash të shkëputura, të interpretuara sipas dëshirës së redaksisë.
Në këtë formë, publikimi i “Pa Rrotlla”-s është më afër një pamfleti politik se një raportimi investigativ. Ai përdor gjuhë të rëndë, konkluzione të parapërcaktuara dhe mungesë totale të verifikimit, duke shkelur çdo standard etik që mbron publikun nga mashtrimi dhe propagandimi. Në gazetarinë profesionale, siç më ka mësuar përvoja me media me reputacion si The New York Times apo The Guardian, një transkript pa audio, pa kontekst dhe pa prova mbështetëse nuk publikohet si fakt. Ai publikohet vetëm si dokument në proces verifikimi, i shoqëruar me një sqarim editorial mbi kufizimet e tij.
Në analizën time të artikujve të publikuar nga Milaim Zeka në portalin “Pa Rrotlla”, u vërejt se secili prej tyre shoqërohej me një fragment të shkurtër në fillim, zakonisht prej rreth tridhjetë fjalësh që e udhëzonte lexuesin drejt një përfundimi të paracaktuar, duke e etiketuar përmbajtjen si “korrupsion” ose “krim”. Përtej këtij paragrafi orientues, artikujt nuk përmbanin asnjë element të raportimit faktik: mungonin dokumentet mbështetëse, deklaratat e palëve, konteksti kohor dhe procesi i verifikimit editorial. E gjithë përmbajtja mbështetej mbi një “transkript të përkthyer” të një bisede të supozuar audio, e cila paraqitej e shkurtuar, pa datë, pa zë origjinal dhe pa asnjë provë mbi autenticitetin. Në thelb, këto publikime nuk përmbanin asnjë informacion të verifikuar, vetëm një interpretim subjektiv të një materiali të dyshimtë, të trajtuar jashtë çdo standardi gazetaresk.
Tre nga të ashtuquajturat “artikuj ekskluzivë” të portalit Pa Rrotlla, nën drejtimin editorial të Milaim Zekës, tregojnë të njëjtin model: mungesë totale të raportimit gazetaresk. Përmbajtja përbëhet vetëm nga transkripte të përkthyera, të pa verifikuara dhe të shkëputura nga çdo kontekst kohor, institucional apo faktik. Nuk ka audio të plotë, nuk ka burime të pavarura, nuk ka proces redaksional verifikimi, vetëm fragmente të përzgjedhura për të mbështetur një narrativë të paracaktuar. Këto publikime nuk informojnë publikun; ato e orientojnë, me qëllim, drejt përfundimeve që vetë autori dëshiron.
Tre nga të ashtuquajturat “artikuj ekskluzivë” të portalit Pa Rrotlla, nën drejtimin editorial të Milaim Zekës, tregojnë të njëjtin model: mungesë totale të raportimit gazetaresk. Përmbajtja përbëhet vetëm nga transkripte të përkthyera, të pa verifikuara dhe të shkëputura nga çdo kontekst kohor, institucional apo faktik. Nuk ka audio të plotë, nuk ka burime të pavarura, nuk ka proces redaksional verifikimi, vetëm fragmente të përzgjedhura për të mbështetur një narrativë të paracaktuar. Këto publikime nuk informojnë publikun; ato e orientojnë, me qëllim, drejt përfundimeve që vetë autori dëshiron.
Në këtë rast, “Pa Rrotlla” nuk ka ndjekur asnjë prej këtyre standardeve. Në vend të informimit, ka ofruar interpretim. Në vend të provës, ka ofruar narrativë. Dhe në vend të interesit publik, ka ndërtuar një instrument për të ndikuar perceptimin publik përmes një identifikimi të rremë dhe një materiali të pa verifikuar.
Për rrjedhojë, ajo që paraqitet si “ekspozim i korrupsionit” është, në fakt, një produkt mediatik i ndërtuar mbi keqinformim, që shkel rregullat bazë të profesionit dhe dëmton seriozisht besimin e publikut në median e lirë. Transparenca, verifikimi dhe përgjegjësia janë themeli i gazetarisë dhe këtu mungojnë plotësisht.
Në dritën e provave që disponojmë³, roli i Milaim Zekës është i qartë: ai vepron si i “trajtuar” dhe i furnizuar nga Fatmir Sheholli, duke kanalizuar materiale të përgjuara, të paautorizuara dhe të paverifikuara me “urdhër publikimi” kundër kujtdo që sfidon rikthimin e ndikimit serb në Kosovë.
Skema është e përsëritur: furnizim nga Sheholli → kurim selektiv i fragmenteve → komentim orientues → etiketim politik i shënjestrës. Kjo nuk është rastësi redaksionale, është mënyrë operimi. Përputhshmëria e kësaj vije me akte të tjera nga “listat” e ZPS-së të shpërndara për presion e deri te ekspozimi i dëshmitarëve të mbrojtur, nga tentativa me dokumentin e fabrikuar kundër Richard Grenell, lidhje e tij me operatorin e shërbimit rus shtetasin serb të Kosovës⁴ Halit Sahitajn e deri te marrëdhëniet transaksionale me RTS-në për arkivë lufte⁵ për ta akuzuar UÇK-në për trafikim organesh⁶, tregon se Zeka nuk informon publikun, por e instrumentalizon hapësirën mediatike për të prodhuar mjegull, frikë dhe delegjitimim institucional, në linjë me interesat e Beogradit.
Kjo linjë veprimi mbështetet nga një histori sjelljesh që s’kanë lidhje me standardet e profesionit, akuza të rënda për mashtrim me viza ndaj qindra qytetarëve⁷; përplasje të përsëritura ligjore për shpifje⁸; lidhje operative me figura të diskredituara që qarkullojnë “kompromate” e dokumente të rreme⁹; përdorim i gjuhës denigruese në vend të transparencës përballë pyetjeve thelbësore¹⁰; dhe një model i hapur i montimit narrativ ku “transkripti” zëvendëson provën, ndërsa “komenti” zëvendëson hetimin. Në këtë kontekst, Zeka nuk është gazetar; është operator narrativ që maskon propagandën si “ekskluziv”.
Prandaj, është koha për një vijë të qartë: mediat në Kosovë nuk duhet t’i japin platformë Milaim Zekës. Përkundrazi, duhet të kërkojnë heqjen e licencës mediatike dhe hapjen e procedurave ligjore e rregullatore kundër tij për përdorim të gazetarisë si mjet dezinformimi dhe luftë psikologjike kundër shtetit. Liria e fjalës nuk është liri për të fabrikuar prova, për të ekspozuar dëshmitarë, apo për të kthyer publikun në terren eksperimentesh propagandistike. Institucionet, rregullatorët dhe vetë redaksitë kanë detyrimin ta mbrojnë hapësirën publike nga aktorë që e shkelin me vetëdije etikën dhe ligjin; në të kundërt, heshtja e tyre do të është bashkëfajësi.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
