NJA DY FJALË PËR ZAJEDNICËN

13
Jan
2023

Shkruan: Xhafer Shatri
Kohët e fundit është sforcuar presioni për Asociacionin. Në këtë po prijnë amerikanët. Presioni ka marrë edhe formën e shantazhit, gati si në kohën e Grenellit. Sepse Escobar po paralajmëron Kurtin se, nëse ti nuk pranon, ne do të gjejmë partnerë të tjerë, përfshirë këtu edhe shoqërinë civile, për ta themeluar Zajdnicën! Në pikëpamjen time kjo nuk mund të bëhet ndryshe pos përmes grushtshtetit…
Duke menduar për këtë çështje m’u kujtua një intervistë para dhjetë ditësh e historianit të njohur çek, Frantishek Shistek, i cili shtron pyetje dhe shprehë dyshime bukur heretike:
“Nuk e kam kuptuar, ta zëmë, pse Amerika dhe Zoti Eskobar mbështesin aq shumë nismën për Ballkanin e hapur, sepse kjo më shumë i shkon për shtati Rusisë se sa Amerikës. Apo ndoshta Eskobar merr të holla ruse për të zbatuar politikën ruse në Ballkan?“
Unë nuk do të shkoja kaq larg, por skandali i fundit në Parlamentin Evropian dhe denoncimi publik nga një gazetar serb se Zonja Mongerini kishte marrë 10 milionë euro nga Serbia për të mbështetur copëtimin e Kosovës, apo skandali tjetër me Rik Grenellin, që sa ishte në pushtet punoi aktivisht për copëtimin e Kosovës e pastaj doli se paguhet 100 mijë euro në muaj nga Serbia për lobim… pra këto dyshime çdo njeri normal e bëjnë më mosbesues se edhe vetë Tomën e famshëm…
Sidoqoftë, po ndalemi te faktet që dihen:
– Marrëveshja e vitit 2013 për Serbinë ishte një rënie sakice në trungun e sovranitetit të Kosovës, me qëllim që pastaj në atë çarje të futen më lehtë pykat e shpartallimit.
– Marrëveshjen e ka nënshkruar Hashim Thaçi, sepse është shantazhuar me dosje për krime të bëra dhe të pabëra. Ndërkaq, dihet se sipas çdo kodi sëcili dokument që dikush e nënshkruan kundër vullnetit të lirë, ai nuk mund të jetë valid.
Por, në anën tjetër, këtë Marrëveshje e ka miratuar Kuvendi i Kosovës me 84 vota për!
– Në vitin 2015, Isa Mustafa ia ka dhënë edhe një ramje sakicë sovranitetit, me qëllim që pykat e shpartallimit të futen edhe më thellë në mënyrë që tokmaku i Serbisë pastaj të mos e huqë copëtimin.
Tash në tavolinë janë katër opsione:
– Serbia, kërkon me çdo kusht krijimin e Zajednicës dhe pastaj të vazhdohet edhe nja 30 vjet me “normalizimin e marrëdhënieve“;
– Kosova, gjegjësisht, kryeministri Kurti, i vetëdijshëm për kurthin, po këmbëngul që problemet në mes Kosovës e Serbisë të zgjidhen tash dhe njëherë e përgjithmonë.
– Amerikanët edhe vetë janë të ndarë: Eskobar dhe Hill po këmbëngulin për themelimin e asociacionit duke e siguruar Serbinë se nuk do të ketë njohje të Kosovës, ndërsa Derek Sholet kërkon edhe asociacionin por edhe njohjen e ndërsjell.
– Për Planin e Sholci-it dhe Makron-it tashmë po dihet, nuk garanton njohjen por garanton sovranitetin.
Në këto rrethana, Serbia e ka një përparësi: është shtet i konsoliduar por ka edhe një problem serioz: është hera e parë që ka përballë një përfaqësues të Kosovës para të cilit Vuçiqi etj. ndihen inferiorë. Sepse është më i dijshëm, më i guximshëm dhe çka është shumë me rëndësi as nuk po mund e thejnë as nuk po mund e blejnë. Dhe ky fakt po i bënë shumë nervoz.
Kosova ka dy problem serioze:
– Nuk është shtet i konsoliduar, se përndryshe çështjen e targave nuk do ta hapte fare, ose pasi e hapi do të duhej t’ia linte Eskobarit këmbët e arushës në duar; Ok, presim 10 muaj, por atë ditë e tutje më targa serbe në Kosovë nuk do të ketë, dhe tash e mas me këtë çështje do të merresh ti e jo ne; nuk do ta arrestonte Pantiq-in në rrethanat që dihej se Serbia ka në plan të shkaktojë krizë të thellë në veri të Kosovës etj., etj., etj…
– Edi Rama është duke luajtur ashiqare një lojë shumë të pistë kundër Kosovës.
Nuk e di saktësisht pse, por një sjelle e tillë kalëtroje nuk mund të jetë vetëm për shkak të animozitetit dhe inferioritetit ndaj Albin Kurtit.
Personalisht nuk më befason Edi Rama, sa më befason Ali Ahmeti. Do të mjaftonte një fjalë e tij thënë Derek Sholetit që “nëse ju këmbëngulni në federalizimin e Kosovës që nuk i ka as 11 mijë km katror dhe serbë nuk janë as 4% e popullsisë, atëherë ne do të këmbëngulim që me çdo çmim ta bëjmë Maqedoninë Konfederatë“…
Por, nëse nuk e thotë këtë sot, mendja ma thotë se nëse ka mbetur vetëm një fije e Abazit që e kam njohur dikur, jo vetëm do ta thotë nesër por edhe do ta bëjë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 13/01/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk