Një nga paradokset më befasues, madje që çdo shqiptar i ndershëm po ta lexonte apo dhe dëgjonte Vetonin në një emision televiziv, do të vërente se e gjithë ligjërata e tij përshkohet nga një ndjenjë dhe interpretim jo vetëm i gabuar, por tërësisht anti shqiptare, pavarësisht se ai na flet në gjuhën tonë shqipe. Për tu treguar “disi i veçantë”, Vetoni fillon e bën piruete rrotulluese përqark vetes, aq sa po i merren dhe mëndë, sepse fillon dhe analizon një nga epopetë më të lavdishme të popullit tonë të krahinës së Dardanisë, atë të luftës çlirimtare të popullit tonë të kësaj krahine nga sundimi i shovinizmit serb.
Duke mos ju referuar gjithë ligjëratës së tij thelbi që përshkon gjithë intervistën qëndron në idenë se…. “Lufta e popullit dhe e djemve tanë në Kosovë nuk ishte çlirimtare… se ne nuk kishim ushtri…dhe se ajo luftë nuk ishte e Kosovës…”. I kujtoj Vetonit se lufta e një populli që ndodhet i pushtuar nga çizmja e një okupatori, nuk shpërthen ashtu pa pritur. Ajo është një grumbullim urrejtje në harkun kohor të një periudhe të caktuar, urrejtje kjo që rritet e rritet vazhdimisht.
Duke u hedhur tash në terrenin tonë theksoj se fillesat e para kjo luftë i ka qysh nga vitet 1945-46, për të ardhur më vonë te “pranvera e rinisë kosovare” e viteve 80-82 e cila u karakterizua nga një valë e fuqishme protestash me karakter atdhetar e rinisë shkollore, studentore dhe punëtore, të asaj kohe, pranverë kjo që kërkonte të mos diskriminohej Kosova por të kish të drejta të barabarta me Republikat e tjera të ish Jugosllavisë së Titos (Milosheviçit)Këto protesta , vërtetë u shtypën nga zinxhirët e tankeve që dhe pse e gjakosën rëndë rininë kosovare, ndodhi ajo që dihet, se shpirtin luftarak te shqiptarit nuk mundën dot ta shtypnin dhe përkulnin…e për të ardhur më vonë në vitet e fundit të shekulli, vite këto që jo vetëm shekulli ish duke dhënë shpirt por bashkë me të, po jepte shpirt dhe vet Jugosllavia që sapo kish filluar të shpërbëhej.
Pra, në këtë rast perifrazimi i mësipërm i Vetonit, rezulton se nuk është vetëm kundër luftës se UÇK-se, por indirekt ai i kundërvihet dhe vet popullit të tij. Pse i kundërvihet popullit ? I kundërvihet sepse UÇK-ja ishte produkt i urrejtjes kombëtare te një populli të tërë të grumbulluara historikisht. Pyes Vetonin: Po mirë këta djem të rinj e të reja , kjo familja “Jasharaj” që i dha tokës dardane mbi 50 dëshmorë, sikurse dhe qindra familje te tjera qe u masakruan e që sëbashku me te rënët e formacioneve luftarake shkojnë rreth 3000, a ishin shqiptare apo jo ?
Formacionet e para embrionale, ishin shqiptare apo na kishin ardhur nga Somalia, apo Anadolli, si dikur jeniçerët e Turqisë ?! Po a mund të ketë formacione luftarake të importuara nga një vend tjetër apo dhe një luftë që të na e bëjnë të tjerët duke na çliruar dhe dhuruar lirinë ? Ka ndodhur në Spanjë në vitin 1936 qe shkuan si luftëtarë në brigadat internacionale, për Republikën…por ama lufta ishte luftë e popullit spanjoll. A e di z. Surroi se në harkun kohor të dy vjetëve Ushtria çlirimtare e Kosovës arriti deri në 30-35 mijë luftëtarë dhe se vetëm nga trojet tona duke filluar qe nga Shqipëria apo dhe diaspora troje të tjera shkuan me dhjetra e qindra luftëtarë dhe se kjo ushtri rritej nga dita në ditë në progresion matematik, ashtu sikurse na vriteshin dhe dëshmorët për lirinë e tokës amë?!
Nëse UÇK-ja nuk ishte ushtri, atëhere çfarë ish një amalgamë apo një përzierje kaçakësh a mercenarësh të mbledhur andej këtej për një pako makarona?! Po që ish ushtri me rregull e disiplinë e në beteja një flamur që u paraprinte e që i mobilizonte shpirtërisht, sikurse dhe një betim ushtarak i cili ishte dhe kodi i nderit të çdo luftëtari të UÇK-se a e dini? Nëse jo, po jua u citoj : …” “Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që më çdo kohe, pa kursyer as jetën time të luftojë për t’i mbrojtur interesat e shenjta të ATDHEUT.
Nëse e shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës, dhe nëse tradhtoj qoftë i humbur gjaku im. BETOHEM …” Vetëm në një pikë mund të rebelohesh or Veton Surroi sikurse rebelohem dhe unë, që përse mbas çlirimit UÇK-ja, nuk e zbatoi këtë premtim që ta kish shpallur menjëherë bashkimin me tokën amë , pra me Shqipërinë, pa pyetur askënd, por priti e priti deri sa të vendosnin ndërkombëtaret, teksa dihej fare bukur se ishin po ata ndërkombëtarë, që në fillesat e para na rekomandonin jo luftën çlirimtare por bashkë ekzistencën paqësore me pushtuesit serbë .
Ju pyes ju nga pikëpamja e organizimit te formacioneve luftarake: A e kini idenë se këto formacioneve ishin të ndara ne kompani batalione brigada e deri në divizione dhe që kishin komandat e tyre sikurse dhe ushtria kish komandën dhe shtabin e saj madhor? Për aq sa shkruani ka mundësi, që ju jo vetëm të mos kini qenë i inkuadruar në këto formacione, por mund t’ju ketë ngelë dhe qejfi që përse mbas lufte, nuk ju çuan në podium nderi si “ një luftëtar i madh i çështjes kombëtare “, pse jo dhe ndonjë post të rëndësishëm e honorifik në Qeverinë e Kosovës. Pra shkurt, idea juaj se UÇK-ja nuk ish ushtri dhe se nuk ish çlirimtare, rrëzohet automatikisht.
Nëse ju ndërhyrjen e NATO-s me anë të aviacionit dhe gjunjëzimin e Jugosllavisë e konsideroni si faktorin vendimtar të fitores në luftë, përsëri gaboni. Ju nuk e njihni artin ushtarak të luftimit dhe për rrjedhojë, nuk e dini se fatin e luftës se një populli që lufton për liri e pavarësi e vendosin bijtë e atij vendi, me luftëtarët e atij vendi. Faktori n/kombëtar apo dhe ndihmat e huaja sikurse dhe ndërhyrje apo mbështetje aleatësh, përherë janë faktor ndihmues e pozitiv, që shpejtojnë fitoren por jo faktor vendimtar. Po jua u them se edhe sikur NATO-të mos kish ndërhyrë ne do fitonim luftën domosdoshmërisht.
Është e vërtetë që dita e fitores mund të ish disi më e largët por do fitonim. Mendimi se Amerika apo NATO-ja i dha fitoren Kosovës është tejet i gabuar sepse i jep dhe një armë armikut tonë shekullor…që shqiptarët nuk janë të zotë e të afte në luftë për tu çliruar , nëse nuk i çlirojnë të tjerët. A ka më ofenduese se kjo ? Po Gjergj Kastriotin kaq shpejt e harruat që theu tri herë ushtritë e një perandorie? E di or Veton, se kush ishin ata ?! Ishin shqiptarë, stërgjyshërit pregjenetikët tanë (dhe të tutë) këtu e para.. gjashtë shekujsh . Pra, ne jemi gjak i trashëguar prej tyre, sepse sikurse e thotë dhe një fjalë e artë…” shqiptarin nuk e ka nxjerrë lokja prej barkut…por huta prej çarkut”. Herën tjetër bëni kujdes, sepse mund të ndodhë që vërtetë ta fyeni një njeri, pse jo dhe një institucion…por kurrë nuk duhet të goditni shpirtin tonë për liri e pavarësi. Jua shkruaj këto sepse citimi dhe fjala e juaj ofendon një popull të tërë, godet dhe atakon rëndë idealin dhe shpirtin luftarak të shqiptarit, mbivlerëson dhe vendos në plan të parë ndihmën dhe përkrahjen e të huajve si faktorin më vendimtar, pra shkurt sikur na e patën dhuruar ata fitoren. Nga ana tjetër, inkurajon përsëri Serbinë të rimarrë Kosovën se shqiptarët nuk janë as të aftë e as të zotë për të luftuar për liri- pavarësi dhe indetiteti kombëtar. Shpirtin tënd or Veton Surroi shitja atdheut, por kurrë mos ja shit me…ose pa dashje armiqve tanë shekullorë !
——