Sot, ndërsa po luaja me vajzën time Etniken poshtë pallatit ku jetojmë me qira këtu në Tetovë, ndodhi diçka që më preku në shpirt.
Një grua, e shoqëruar nga një djalë rreth 12 vjeç, kaloi pranë nesh. Sapo e pa vajzën time, ajo u ndal papritur. Sytë iu mbushën me lot, buzët iu drodhën, dhe pas vetëm disa sekondash, shpërtheu në vaj. Djali që ishte me të po ashtu filloi të qante, sikur ndante të njëjtën dhimbje me të.
Gruaja u afrua me hapa të pasigurt dhe, me një zë të dridhur, më pyeti: “Mund ta përqafoj?”
Nuk e dija çfarë po ndodhte, por e ndjeva dhimbjen e saj. Pasi i dhashë leje, ajo u ul në gjunjë dhe e mori vajzën time në krahë, duke e shtrënguar fort në gjoks. Ishte një përqafim që nuk donte ta lëshonte, një përqafim që dukej sikur përpiqej të mbante kohën pezull, sikur brenda atij çasti të donte të ndiente diçka që i mungonte më shumë se gjithçka.
Lotët i rridhnin pandalshëm teksa e mbulonte me puthje. E puthi në ballë, në faqe, në duar, pastaj, e ktheu kokën nga djali dhe, me një zë që mezi dëgjohej nga dhimbja, i tha: “I ngjan 100% asaj!”
E pyeta me kujdes: “Kujt i ngjan?”
Ajo mbylli sytë për një moment, si për të mbledhur forcë, dhe më pas tha me një dhimbje që e ndjeva deri në shpirt:
“Vajzës sime…”
Nuk e pyeta më. Ishte e qartë se ajo mbante brenda një mall të madh, një dhimbje të pashprehur, një mungesë që fjalët nuk mund ta përshkruanin. Ndoshta ishte një mungesë që nuk mund të kthehej më kurrë.
Ajo e shtrëngoi vajzën time edhe një herë, duke mbyllur sytë sikur donte ta mbante atë moment përgjithmonë. Dhe pastaj, me duar që dridheshin, e lëshoi ngadalë, sikur t’i duhej një forcë e madhe për ta bërë këtë.
Ndërsa u largua, sytë i kishte të mbushur me lot, por në atë dhimbje kishte edhe një grimcë ngushëllimi.
Pas disa çastesh, vajza ime më pa në sy dhe më pyeti me pafajësinë e një fëmije:
“Pse qau ajo grua?”
E shikova për një moment dhe i thashë butësisht:
“Sepse i ngjan vajzës së saj.”
Ajo nuk tha asgjë më shumë. Ndoshta nuk e kuptoi plotësisht, ndoshta do ta kuptojë kur të rritet. Por një gjë është e sigurt: pa e ditur, ajo sot i dha një njeriu të panjohur një dhuratë të paçmuar—një kujtim të gjallë të dikujt që i mungonte pafundësisht.
Dhe unë, i mbështetur pas murit me mendime të përziera, e kuptova edhe një herë sa e çuditshme dhe e thellë është jeta. Sa shumë dhimbje të fshehura mbajnë njerëzit. Dhe si ndonjëherë, një përqafim i thjeshtë mund të thotë më shumë se një mijë fjalë.🥹😥
ARFLET SELMANI
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!