Shkruan: Xhemil Zeqiri
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
Historia, politika dhe “sihariqet” që dalin nga një befasi?!
Është vërtet interesante se, pothuajse çdo bisedë me veprimtarin e çështjes kombëtare, analistin dhe poetin atdhetar, Fadil Shyti sjellë ndonjë “sihariq” të ri. Biseda mund të fillojë nga zhvillimet e ditës në Shqipërinë tonë në çdo krahinë të saj; Dardani, Tetovë, Dardani Lindore, Malësi e Madhe e më gjerë; pastaj shumë shpejt kalon në ngjarje historike, politikë, kujtime takimesh me personalitete të njohura shqiptare, si me Ajet Haxhiun, Adem Demaçin, Hydajet Hysenin, Elmaz Ademin, Hysni Milloshin, Nexhmije Hoxhën, Dilaver Goxhain, Albin Kurtin e të tjerë. Trajton ngjarje (episodike) që shpesh harrohen ose mbulohen nga pluhuri i kohës dhe zhurmat “politike” të aktualitetit!…
-Kësaj radhe po diskutonim për situatën politike dhe zhvillimet në Dardaninë e sotme.
Fadili, i shqetësuar nga situatat që po kalon atdheu, në veçanti në skenën politike “kosovare”, solli në bisedë një ngjarje të panjohur por, goxha interesante në RTV Klan në një program të cilin e quajnë: Pikë. Analisti kontrovers, Veton Surroi e kishte ftuar në intervistë publicistin pacifist mjeran Blerim Shala. Dhe, pikërisht këtu, erdhi “sihariqi” i befasishëm. Në atë intervistë televizive, përveç “heroizmave” të rezistencës “aktive” paqësore-si, rrahja e tenxhereve dhe legenëve, varrosja e arkivolit-që, siç më thoshte Fadili: “Ishin veç një propogandë mashtruese nga klika titiste rugoviste; kinse në Kosovë po lëvizë diçka drejt rrugës së lirisë,-kjo në fakt qe, bllokim i rrugës së lirisë, për gati një decenie”.
Biseda mori kahje të prapakthimeve më të vjetra në histori: Veton Surroi, e pyeti Blerim Shalën për një episod të historisë së dikurshme familjare të familjes së tij. Surroi, pa hezituar ia përmendi se, gjyshi i Blerim Shalës, kishte qenë i trajnuar në Gjermani si parashutist për të zbarkuar diversant në Shqipëri, për të luftuar kundër regjimit të Enver Hoxhës. Blerim Shala, nuk e mohoi këtë pikë të errët biografike familjare. Përkundrazi, e konfirmoi, bile dha hollësi të tjera.
-Ai tregoi se gjyshi i tij fillimisht kishte qenë pjesë e NDSH-së, në Kosovë, kishte marrë pjesë në Luftën e Drenicës, ishte plagosur, kishte emigruar në Greqi dhe më pas kishte marrë trajnim në Itali në Gjermani dhe Greqi. Shala deklaroi gjithashtu se, gjyshi i tij ishte rekrutuar formalisht nga CIA në vitin 1950; kishte qenë pjesë e grupeve të para të parashutistëve që zbritën në Shqipëri. Sipas vetë Shalës, gjyshi i tij u vra në Shqipëri në vitin 1952. -Pra, këtu nuk kemi më një histori të treguar në rrugë, në rrjetet sociale si në Facebook, Tik-tok, apo nga ndonjë thashethem tendecioz politik. Kemi të bëjmë me një rrëfim të bërë publik në një intervistë serioze, dhe mbi të gjitha, një vërtetësi nga vetë personi për të cilin bëhet fjalë, Blerim Shala, prandaj, kjo e bën çështjen edhe më interesante.
Nga historia familjare te historia politike
Nëse e vendosim këtë episod në kontekstin historik, bëhet fjalë për një periudhë jashtëzakonisht të ndërlikuar të Luftës së Ftohtë. Pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave dhe përplasjes së Shqipërisë me Jugosllavinë e Titos, territori shqiptar u bë objekt i operacioneve të ndryshme të fshehta dhe përpjekjeve për rrëzimin e regjimit komunist.
Në këtë kontekst, historia e gjyshit të Blerim Shalës nuk është thjesht një histori familjare. Ajo prek drejtpërdrejt një kapitull të historisë së Luftës së Ftohtë në Shqipëri dhe të përpjekjeve të organizuara nga shërbimet perëndimore për të depërtuar në territorin shqiptar.
Shtrohet pyetja: dihet historokisht që, trojet shqiptare në ish-Jugosllavinë revizioniste titiste ranë në robëri. Vallë, pse atëbotë perëndimi nuk përgatiti grupe të armatosura shqiptarësh në mërgim që të ktheheshin çlirimtarë në trojet e tyre, por i drejtoi drejt vendit amë të tyre? Po, e keqja qëndron dhe në faktin që, këta shqiptarë “trima” pranuan të shiten për pesë aspra të katandiseshin në mercenarë të huaj për të shkaktuar vëllavrasje ndër shqiptarët?!!! Dhe, pastaj këtu më tej lind pyetja që Fadili e shtron me mënyrën e tij karakteristike:
Si mund të mos flitet për një histori të tillë kur vetë protagonisti i sotëm e ka treguar publikisht?
Sigurisht, historia e një gjyshi nuk mund dhe nuk duhet t’i atribuohet automatikisht nipit të tij.
-Përgjegjësia politike dhe morale çdoherë dhe në çdo kohë është individuale. Një njeri nuk mund të gjykohet për veprimet e paraardhësve të tij. Por, kjo nuk do të thotë se historia familjare duhet të fshihet kur ajo është vetë pjesë e një rrëfimi publik. Përkundrazi; nëse një figurë publike e konsideron të rëndësishme të tregojë historinë e familjes së vet, atëherë ajo histori bëhet pjesë e kujtesës publike dhe mund të studiohet, verifikohet dhe diskutohet, qenka biografi e ndritur apo e errët?!
Dhe këtu vazhdon ironia e Fadil Shytit
Bashkëbiseduesi, shoku im, me humorin e tij të veçantë, e zbërthen, e çon bisedën më tej:
Në Shqipërinë e vitit 1949–1952, kur pushteti popullor gjatë epokës të Enver Hoxhës si çdo shtet në botë e konsideronte çdo depërtim të armatosur nga jashtë si kërcënim serioz, sulm flagrant të dërgoje njerëz me parashutë në territorin shqiptar apo gjetkë, kjo nuk ishte aspak një aventurë romantike. Ishte një operacion i rrezikshëm gjatë Luftës së Ftohtë.
Dhe Fadili e përmbledh këtë me atë ironinë e tij karakteristike: Shqipëria ishte aq e mbyllur dhe aq e armatosur mbi të gjitha me unitet; në kontrollin e kufirit, saqë, sipas shprehjes popullire, “as mizat nuk mund të kalonin, as bollat ta helmonin as të preknin kufirin, e lëre më agjentët mercenarët me parashuta të revizionistëve dhe të imperialistëve”. Kjo është dhe pjesa ku historia, bëhet edhe satirë e arsyeshme. Por, satira nuk duhet ta zëvendësojë dokumentin. -Në fakt, dokumenti ekziston në formën e një dëshmie që Shala thotë se e ka marrë nga dosja e gjyshit të tij, të ruajtur nga Sigurimi i Shtetit. Në intervistë ai shprehet që, e ka parë dosjen dhe e përshkruan atë si një dokument “Mjaft teknik dhe mjaft faktik”.
-Prandaj, për një trajtim serioz akademik, hapi i ardhshëm do të ishte i qartë: dosja duhet kërkuar, krahasuar dhe verifikuar me burime të tjera arkivore.
Kjo është mënyra se si historia ndahet nga propaganda.
“Sihariqi” që të detyron të mendosh?!
Në fund, ajo që më bëri përshtypje nga biseda me Fadil Shytin nuk ishin vetëm ironia dhe satira e tij, për veprimet donkishoteske të diversantëve terroristë; qe dhe fakti se një diskutim politik i ditës na çoi në një episod konkret të Luftës së Ftohtë, të cilin vetë Blerim Shala e ka treguar publikisht.
-Dhe, më tej kjo na rikthen te një problem i madh i debatit shqiptar: ne shpesh diskutojmë për historinë me shumë pasion, por me shumë pak dokumente?!!! Kjo është vërtet anakronike dhe tejet anti-shkencore, historike.
Në këtë rast, dokumenti, dëshmia dhe rrëfimi publik janë aty. Tani, mbetet që historianët dhe studiuesit t’i krahasojnë me arkivat shqiptare, amerikane, britanike, greke dhe burime të tjera të periudhës.
Sepse një “sihariq” politik nuk është i mjaftueshëm, është i pjesërishçm, me studime-argumente të mëtejshme bëhet i plotë.
Por, kur bëhet fjalë për histori, sihariqi i vërtetë është dokumenti.
Ia plasa të qeshurit kur shoku im me shaka tha: “I mora pesë kokrra qetësuese, se kisha frikë mos e fikja videon në utybe”.
Në një moment të bisedës, Fadili më tha me pak humor që, vetëm ai di ta përcjellë: “Psiqikisht, na ka lodhur ca mërgimi, pastaj veprimtaria jonë ndë vite duke menduar për ardhmërinë e ndritur të popullit e të atdheut. Herë-herë, vërtet nuk po jemi në në gjendje t’i dëgjojmë këto intervista plot me insinuata, me gënjeshtra dhe debatet zhurmuese krejt tallava”.
Ndaj, i përtypa si bombonet, pesë kokrra terapi qetësuese… Dhe, të dy shpërthyem në të qeshura.
Në fakt, kjo batutë e Fadilit është më shumë se një shaka e hidhur. Ajo përmbledh në mënyrë satirike një përvojë të tërë të mërgatës shqiptare: dekada të tëra duke menduar për Kosovën, trojet shqiptare, padrejtësitë historike, kufijtë, luftërat dhe të ardhmen kombëtare.
Mërgimtarët shpesh e kanë përjetuar politikën e vendit të tij nga larg, edhe emocionalisht sikur të ishin çdo ditë brenda saj. Televizioni, radioja, gazetat dhe sot rrjetet sociale janë bërë ca lloje “urash” me vendlindjen. Por, këto ura, ndonjëherë po i sjellin edhe aq shumë tension psikik për gjendjen politike në atdhe, saqë njeriu ka nevojë për “pesë kokrra qetësuese” vetëm që të arrijë ta përfundojë një debat televiziv!
-Fadili e tha këtë, jo vetëm për të qeshur.
Por, gjithnjë pas humorit fshihet një realitet serioz: sa shumë energji emocionale ka konsumuar mërgata shqiptare duke e ndjekur politikën dhe çështjen kombëtare nga larg. Padyshim, kjo është arsyeja pse edhe një bisedë me Fadil Shytin nuk përfundon kurrë thjesht si një bisedë kalimthi…
Fillon me Shqipërinë Etnike, kalon te historia, ndalet te politika, shpërthen në satirë dhe në fund, për të mos e fikur televizorin nga nervozizmi, atij si shumë prej nesh i duhen pesë “qetësuese”.
29. 09. 2026


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
