NJË POPULL I ÇARMATOSUR PËRBALLË RREZIKUT TË LUFTËS!

18
Feb
2024
Shkruan: Gjon Bruçi

/Nga Arkivi/
-Botuar më 17 shkurt 2022 – (marrë me shkurtime)
Prej disa ditësh, në ekranet e televizioneve dhe agjensive të lajmeve, mbizotëroi pragkonflikti mes Rusisë dhe Ukrainës. Për qetësimin e situatës dhe shmangien e luftës, kanë rendur ndër takime e bisedime presidentë, kryeministra, e diplomatë ndërkombëtarë, duke e shtyrë disi “shkrepjen” e luftës, por jo ndalimin e plotë të saj, çka ka lënë në ankth shtetet dhe popujt e Europës, e gjer përtej Atllantikut. I vetmi vend i qetë, ku situata ka “ecur” si vaji në lakra, ka qenë vendi ynë, Shqipëria. I vetmi “event” që lidhet më konfliktin në fjalë, ishte takimi 50 minutësh i presidentit të Republikës me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, dhe intervista e Ministreshës së Mbrojtjes nga Uashingtoni, evente që u harruan sapo televizionet tona ripërsëritën reklamat e “Big Brother Vip” dhe të “Përputh-përqafen”
Po, vërtet, ç’lidhje ka vendi ynë me konfliktin Rusi – Ukrainë?! Ku Ukraina, e ku Shqipëria! Madje, edhe sikur konflikti i armatosur të jetë më afër, diku në Ballkan për shembull, ne nuk kemi pse sëkëlldisemi. Ombrella e Natos na mbulon si dhjami veshkën . . . Ky konkluzion super optimist, është i politikanëve dhe pushtetarëve tanë aktualë. Këta aktorë modernë të Shqipërisë së sotme, pasi e shkatërruan me themel shtetin, degjeneruan ekonominë, shkatërruan mbrojtjen, dhe bënë rrush e kumbulla pasuritë kombëtare, e instaluan pushtetin e tyre tek bytha e NATO-s, të sigurtë se tashmë ka mbërritur paqa e përjetshme . . . Po, a është i saktë ky konkluzion?! A mund të ketë paqe të përjetshme në një botë që, qysh se është krijuar, nuk ka pushuar nga konfliktet me mjetet e dhunës në zona e rajone të saj, gjer tek dy luftrat e fundit të shekullit njëzet?
Sigurisht, nëse flitet për politikanët dhe pushtetarët, këtu ka diçka të vërtetë. Nëse “paqa e përjetshme” e tyre prishet në një moment, ata e kanë rrugën e zgjidhjes. Imitojnë mbretin Zog, në inkursionin e tij ikanak në prag të pushtimit fashist. Problemi qëndron tek populli i thjeshtë, i cili nuk ka ikur kurrë, sepse nuk e ka ditur dhe nuk e din rrugën e ikjes nga trojet e tij.
Vërtet NATO-n e kemi mbi krye si ombrellë, por ajo mund të mbyllet, për t’u hapur në një rajon tjetër më të leverdisshëm, dhe populli shqiptar, për të parën herë në historinë e tij shekullore do të gjendet pa armë në brez e në krah, përballë “fqinjit” të djallëzuar, apo nazist-fashistit të “rinuar”.
Nuk dua të zgjatem për Ushtrinë Popullore të kohës së Socializmit, sepse shumica e shqiptarëve e kanë njohur, e madje kanë qenë efektivë të saj. Ndërsa ata që kanë lindur pas viteve nëntëdhjetë, kanë mundësi ta njohin atë nëpërmjet dokumenteve historikë dhe filmimeve me reportazhe e dokumentarë, që edhe pse censurë neofashiste, depërtojnë nëpër ekranet e televizioneve tona e më tej tyre. Shqipëria e atyre viteve brenda 72 orëve nxirrte përballë armikut e në mbrojtje të kufijve të Atdheut, mbi 750 mijë luftëtarë, në përbërje të të cilëve ishin të gjithë qytetarët e moshës luftarake, përfshi forcat vullnetare, rininë shkollore e atë studentore. Asnjë ushtri në Botë, përveç asaj të Izraelit, nuk mund të barabitej me ushtrinë shqiptare, për nga koha e kompletimit, nga organizimi, nga kompaktësimi, nga morali, nga përgatitja e terrenit, nga qëndrushmëria e prapavijave. Dhe kjo u arrit sepse ajo ishte Ushtri e Popullit Ushtar, dhe kishte në udhëheqje e në drejtim një Parti syshqiponjë me emrin, Partia e Punës së Shqipërisë, dhe një Komandant të Përgjithshëm të jashtëzakonshëm, Gjeneralin e Lvdishëm të Luftës e të Paqes, Enver Hoxhën.
Në 33 vjet “demokraci” borgjeze, falë kontributit të politikanëve shqiptarë me në krye “Arturo-Ui shqiptar, Sali Berishën dhe kryetarin e “qindsheve mavi” të Duçes së ri me emrin Rama, nga ajo ushtri nuk ka mbetur asnjë shenjë!!! Viti nëntëdhjetë e shtatë, shënon shkatërrimin e ushtrisë, dhe të sistemit të mbrojtjes. Ky shkatërrim vijoi edhe pas këtij viti të zi, duke e firosur e varrosur plotësisht Ushtrinë shqiptare. Nga ana tjetër, megjithëse kemi plot 13 vjet që jemi pranuar në NATO, ushtria jonë, jo vetëm në numër, por edhe në paisje dhe armatime mbetet ushtri mësimore. Një ushtri që nuk ka asnjë top, asnjë tank, asnjë avion, e asnjë anije luftarake, nuk mund të quhet ushtri, përveçse një “repart pune” i organizuar si repart ushtarak, dhe që përdoret për fikjen e zjarreve e pastrimin e teritoreve nga kanaçet dhe plehrat që hedhin prodhuesit e përdoruesit e përditshëm.
Mund të ndodhë që një vend e ta humbasë ushtrinë dhe armatimin. Kjo nga fuqi madhore, ose nga tradhëtia. Tek ne ndodhi kjo e fundit. Më vonë, vendi dhe populli e ringren përsëri ushtrinë dhe e pajis atë, pa marrë parasysh sakrificat që i kërkohen për këtë punë. Por në rastin tonë kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka gjasa të ndodhë. Prej të paktën njëzet e pesë viteve nga vdekja e ushtrisë shqiptare, asnjë kryeministër, nuk e ka patur në evidencë çështjen e mbrojtjes. Atë ia ka dorëzuar NATO-s, duke mbajtur vetëm ndërtesën e Ministrisë së Mbrojtjes me dhjetë pesëmbëdhjetë gjeneralë, që nuk kanë kë të stërvitin, e aq më pak me kë të luftojnë.
Qysh se kanë dalë armët, sidomos armët e zjarrit, shqiptari nuk u ndodh kurrë pa armë. Edhe kur nuk kishte shtet (dhe kjo ishte pjesa më e madhe e historisë së tij), shqiptari do të gjente se s’bën një armë për të mbrojtur shtëpinë, trojet dhe atdheun. Kjo ndodhte, jo për t’u dukur, por se ia detyronin rrethanat. Sot këtë traditë ia degjeneruan dhe po ia degjenerojnë politikanët dhe pushtetarët aktualë. Asnjë regjim, asnjë pushtues nuk arriti ta çarmatoste shqiptarin. Socializmi, përkundrazi i siguroi popullit të gjitha llojët e armëve që ka bota, dhe ia afroi pranë vendbanimit, e madje edhe në shtëpi. Sistemi i vetquajtur “demokratik”, jo vetëm që nuk ia afron, por ia heq fare nga pronësia, duke e lënë të çarmatosur nga rreziqet e mundshme të luftës, e cila edhe sot është në rend të ditës.
Kemi NATO-n, thonë “pelivanet e demokracisë”. Por NATO nuk është e përjetshme.
A nuk ishim ne në Traktatin e Varshavës në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar?
Dhe nëse ne shqiptarët, nuk do të ishim shkëputur nga hija e degjeneruar e këtij Traktati, do të kishim përfunduar në një popull refugjat, siç e kemi nisur në këto tri dekada të fundit. Por për fatin tonë, në ato vite Konaku i shqiptarëve kishte Zot, dhe “Traktati i famshëm” iku prej Shqipërisë me bisht ndër shalë. E kundërta mund të ndodhë më NATO-n, nëse ajo ikën nga Ballkani. Sigurisht nëpër “shalët” e saj do të ikin politikanët dhe shtetarët aktualë, por jo populli, i cili nuk i braktis trojet e tij shekullore. Veçse qëndresa dhe mbijetesa e tij në trojet amtare, do të kushtojë shumë.
Situatat në botë, asnjëherë nuk kanë qenë të qeta. Nëse do të mblidhnim të gjitha luftrat lokale e rajonale të pas luftës së Dytë Botërore, dëmet në njerëz dhe në ekonominë e popujve të vegjël, do t’ia kalonin kësaj të fundit. Përderisa botën e dominon sistemi borgjez, luftrat grabitqare e pushtuese janë e do të mbeten në rend të ditës. Sepse sistemi në fjalë nuk mund të egzistojë pa kofliktin, luftën, grabitjen. Përballë kësaj situatë tashmë të dukshme, nuk pin ujë, as pacifizmi, e as teoritë rugoviane për liri e pavarësi të dhuruar. Vetëm përballja me të keqen, me luftën, mund të sigurojë liri e pavarësi të vërtetë të një populli, të një vendi e të një kombi.
Ne, brezi i tanishëm i Shqipërisë, mund ta kalojmë jetën tonë të shkurtër në mirëqenien fallso të neokolonizatorëve të sotëm, por e ardhmja e pasardhësve tanë do të jetë e rrezikuar. Dhe për popujt dhe vendet e vegjël, ky rrezik shkon gjer në asimilim. Prandaj, nëse heshtim sot, brezat e ardhshëm do të na mallkojnë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 18/02/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk