NJË PROPOZIM MODEST PËR ECURINË E VEPRIMTARISË SË OVP TË LANÇ, “NDERI I KOMBIT”

07
May
2026
Shkruan: Gjon Bruçi
Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ, është një organizatë Kombëtare, ngarkuar me misionin e lartë të Mbrojtjes së Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, Epopeja më e lavdishme e historisë së Popullit Shqiptar.
Për fat të keq, në dy – tre vitet e fundit, në kryesinë e saj është cënuar uniteti, kushti bazë për funksionimin normal të kësaj organizate madhore.
Për të dalë nga kjo situatë, si pasardhës i drejtpërdrejtë i Veteranit të LANÇ dhe njëherësh edhe pasardhës i drejtpërdrejtë i Dëshmorit të Atdheut, dëshiroj t’ju përcjell Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ këtë propozim modest:
Në kushtet e tanishme të pluralizmit politik, kur në pushtet janë instaluar e do të instalohen edhe subjekte politike, që nuk e njohin LANÇ, është tepër e domosdoshme që OVP e LANÇ, për të bërë të mundur mbijetesën e saj të përhershme dhe realizimin e misionit histork të mbrojtjes së vlerave të kësaj Lufte dhe gjakut të Dëshmorëve të saj, të realizojë dhe sanksionojë ligjërisht në Statutin e saj Themeltar, por edhe në Kushtetutën e vendit, dy masa të rëndësishme:
Së pari: – OVP e LANÇ të shkëputet juridikisht dhe praktikisht nga pushteti qendror dhe vendor, duke ia ndaluar pushtetit të radhës mundësinë e ndërhyrjes dhe manipulimit të veprimtarisë së saj politike e Atdhetare. Kjo Organizatë duhet të jetë plotësisht e pavarur dhe permanente (e përhershme).
Së dyti: – Në preambulën e Statutit të OVP “Nderi i Kombit”, të sanksionohet ligjërata: “Anëtar i OVP të LANÇ “Nderi i Kombit”, mund të bëhet çdo qytetar/qytetare, i cili njeh Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar të viteve 1939 – 1944, Udhëheqësen e kësaj luftë Partinë Komuniste Shqipatare të themeluar në 8 Nëntor 1941, si dhe njeh e vlerëson kontributin e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane Nacional Çlirimtare, Gjeneral Armate ENVER HOXHA”. Kjo njohje, jo vetëm të shkruhet, por edhe të deklamohet nga çdo orator që mban fjalime, ose përshëndet në përvjetorë të eventeve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar.
Mendoj se këto dy ligjërime, duhen realizuar sa më parë, sepse siç u konstatua, pushteti politik qendror e vendor, gjatë këtyre 35 viteve të fundit, jo vetëm nuk ka patur asnjë lidhje programore, ideore e shpirtërore me LANÇ, por përkundrazi është përpjekur ta anashkalojë atë, gjer në harrim.
Në këtë mënyrë do të spastrohen nga radhët e saj mercenarët e pushtetit, të cilët të yshtur nga armiqtë e përhershëm të shqiptarëve dhe vetë pushteti, synojnë sfumimin deri në shkrirje të Organizatës së VP të LANÇ dhe të vetë Luftës së Lavdishme Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar.
Por kjo e fundit, nuk duhet të ndodhë, në asnjë kohë e në asnjë situatë.
LUFTA ANTIFASHISTE NACIONAL ÇLIRIMTARE,
ËSHTË KURORA MË E LAVDISHME
NË HISTORINË SHUMËSHEKULLORE TË POPULLIT SHQIPTAR!
Vdekje Fashizmit – Liri popullit!
————————————
Gjon BRUÇI, pasardhës Veterani dhe Dëshmori.
Shenim: LANC nuk mbrohet me “lutje apo dua”, por vetem me perpjekje e me Lufte”.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 07/05/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk