“Një punim madhor i Agron Dalipajt për ndikimin e gjuhës shqipe në mitologjii”.

19
Apr
2023

Shkruan: SHPENDI TOPOLLAJ

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Duke folur për mitet dhe legjendat në Fjalorin e Todi Dhamos, profesor Myzafer Xhaxhiu ka thënë: “Paraardhësit tanë, ilirë, kanë pasur një traditë të pasur mitologjike me legjenda, qënie fantastike, kulte apo hyjni, disa prej të cilave si Medauri, Redoni, Partini, Tadeni, Auzotika, Ika, Iria, Vidasusi, Bindi, Armati etj. që janë identifikuar sot nga studiuesit, janë përfshirë edhe në këtë fjalor”.
Por askush nga studiuesit dhe shkrimtarët tanë, përfshi edhe mua me nja shtatë libra me motive mitologjike dhe sidomos me “Esse rreth shprehjeve mitologjike”, nuk ka artikuluar asnjë tendencë pronësie a supremacie mbi atë të fqinjëve tanë, pra grekë dhe latinë.
Duke marrë në konsideratë ndërtimin e atëhershëm të shteteve, qyteteve shtete, marrëdhëniet mes tyre jo vetëm tregtare, por edhe kulturore, psikologjinë e popujve dhe për pasojë ndikimet reciproke, sidomos edhe duke marrë mos harruar shekujt e shumtë që kanë kaluar, e kam quajtur mitologjinë, jo vetëm si mençurinë e trashëguar ndër breza, por tani edhe si pasuri e të gjithë njerëzimit. Në këto kushte, askush nuk ka pse të mburret e të krenohet ndaj të tjerëve, e ca më shumë do të ishte gabim i pafalshëm sikur t`i përçmoje ata. Por kur kjo ka të bëjë me prejardhjen apo identitetin e popullit tonë që dikush kërkon ta përçmojë apo ta injorojë për hir të qëndrimeve keqdashëse politike ndaj nesh, atëherë del detyrë imperative që shkencërisht, pra me argumente dhe llogjikë të pakundërshtueshme, ta ngremë zërin dhe t`i vërtetojmë botës atë që pohon ndër të tjerë, arkeologu i shquar dhe i mirëarsimuar polak Piotr Dyczek se gjuha shqipe është nga më të vjetrat në botë dhe më e vjetra në Evropë. Kjo është në pajtim me bindjen e Nikolla Jorgas i cili popullin tonë, së bashku me baskët, i quan më të vjetrit e kontinentit tonë. Dhe kjo detyrë, ndofta më mirë se kudo, del e qartë te zbërthimi i kuptimit etimologjik i emrave të heronjve mitologjikë, qofshin ata perëndi, gjysmëperëndi apo vdekatarë. Pikërisht nga ky këndvështrim është nisur edhe autori plot vullnet e përvojë Agron Dalipaj në librin e tij “Mitet, origjina dhe gjuha e tyre”.
E vërteta është se ky autor ka kohë që merret me studimin e prejardhjes së gjuhës tonë iliro – pellazge. Ai edhe është qesëndisur dhe është shpërfillur për gjithësa ka bërë. Por gjithsesi ka vazhduar rrugën e tij dhe njerëzisht ka kërkuar përballje me autoritete të kësaj fushe.
Fakt i njohur historik është se gjuha jonë e shkruar nis me Buzukun dhe Mesharin e tij të vitit 1555, ndërsa grekët e vjetër dhe latinët shkruanin filozofi dhe tragjedi mijra vjet më parë. Në këto kushte, gjetja e rrugëve, qofshin këto edhe të tërthorta, mbetet kyçi kryesor për të të shpënë te lashtësia e asaj që de Rada e quante fillimin dhe themelin e çdo diturie. Qysh në parashtresën e tij, autori Dalipaj thekson fare thjeshtë: “Cili është identiteti gjuhësor në të cilin u krijuan mitet e mitologjitë, apo cila ishte gjuha që i polli mitet dhe, nëse kjo gjuhë ka ekzistuar, a ka lënë gjurmë më ndonjë gjuhë që ka mbërritur deri në kohën tonë? Më shkurt pyetja do të ish: a ka një gjuhë e cila mund të shpjegojë kuptimin e emrave të personazheve mitikë?” Pa tjetër që ka. Dhe ju të dashur lexues, e dini sesi e ka parë Alphonse de Lamartine këtë çështje. Ai pra, që gjatë udhëtimit në botën Orientale kishte vizituar edhe Greqinë dhe kishte arritur në përfundimin se: “Kjo (Shqipëria), është toka e heronjve të të gjithë kohrave… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin, turqit Skënderbeun, njerëz këta të së njëjtës racë, të të njëjtit gjak”.
Natyrisht Agroni i ka hyrë një pune mjaft të vështirë, me synim të lavdërueshëm, por është ashtu sikurse thoshin romakët e vjetër “Ad augusta per angusta”, pra “Të arrish qëllime të larta duke kaluar nëpër rrugë të ngushta. Por ai ia ka dalë fare mirë kësaj. Ia ka dalë duke u mbështetur te teoria jo e kollajtë e embriomorfemave, nga e cila rezulton se mitologjia helene i përket një gjuhe të gjallë midis Athinës e Romës, e cila mbeti gjallë edhe kur gjuhët e tyre si rrjedhojë e rënies politike dhe ekonomike, dhanë shpirt me gjithë ndriçimin e tyre të pamohueshëm.
Për këtë autor është fakt i pamohueshëm se: “Nuk vdiq gjuha që ishte midis greqishtes së vjetër e latinishtes e që flitej në gjithë Ilirinë, e sot flitet në Turqi, Greqi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal i Zi, Kroaci dhe në Italinë e Jugut. Nuk vdiq, sepse nuk vdiq populli që e fliste. Ai popull rezistoi. Rezistoi për të sjellë deri në ditët tona gjuhën origjinale të miteve e të perëndive dhe t`ua bëjë të mundur edhe gjuhëtarëve e filozofëve të gërmojnë tek ajo për thesare të pazbuluara”.
Më ndodhi një ditë që të vijë e të më takojë një mesoburrë i cili më kërkoi mundësimin e përkthimit prej tij të një romanit tim në gjuhën italiane. Ai fliste një gjuhë aq të kulluar shqip, sa me mëdyshje e pyeta se nga vinte. U çudita, por dhe u gëzova pa masë kur më tha se ishte arbëresh. Nuk ma do mendja se ka histori tjetër të ngjashme për ruajtjen e gjuhës me kaq besnikëri edhe pas pesëqind vjetësh largimi nga atdheu. Dhe e gjithë kjo, jo vetëm falë bukurisë, por edhe forcës së gjuhës tonë.
Në këtë libër dy gjuhësh, shqip – anglisht, i cili është pajisur me ilustrime të shumta nga krijimtaria artistike më e arrirë e mjeshtrave botërorë të çdo kohe, janë përzgjedhur heronjtë e mitologjisë qysh nga Afërdita, hyjneshë e bukurisë, dashurisë dhe pllenimit e deri te Zeusi, biri i Kronit dhe Reas dhe perëndia më e rëndësishme. Dhe pasi na jepen bëmat e tyre, ku ke çfarë mëson apo kujton, analizohet etimologjikisht prejardhja e emrit të tyre. Dhe po jap si shembull kuptimin e emrit të bijës së Zeusit e Dionës; gr. AFRODIT = shq. AFRODYT = AFRO`DY`T = AFRO`T`DY = AFROn Të DY ata që pëlqehen e dashurohen. E kështu me radhë vijojnë të na dalin parasysh plot të tillë që me këtë arsyetim të bëhen më të afërt dhe më të dashur. Por mbi të gjitha, kthjellojnë nga retë një të vërtetë të madhe; atë që deklaron vetë atdhedashësi Agron Dalipaj “…se kjo mitologji është krijuar në shqip që në krye të herës dhe origjina e burimi i saj nuk mund të jetë tjetër përveç gjuhës shqipe”.
Dhe në mbrojtje të veprës së tij pesëmbëdhjetë vjeçare ky autor me një kontribut të veçantë, sfidon këdo hapur: “Përkundër kësaj etimologjie që japim nga gjuha shqipe do të pranoj një tjetër më argumentative dhe që të jepte të njëjtin përfundim …” Të paktën gjuhëtarët dhe akademikët tanë, pse ngurrojnë, qoftë duke shprehur dakordësinë, qoftë duke mos i fshehur rezervat e mospajtimet që mund të kenë. Kjo është një fushë që shkon përpara nëpërmjet debatit dhe respektit reciprok, të cilin ky autor ndershmërisht e kërkon. Kjo është edhe mënyra e vetme për t`i sjellë Shqipërisë vlerat e vërteta, shpesh të mohuara padrejtësisht.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 19/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk