NJË VIDEO E PËSHTIRË PËR KOMBIN TONË!

01
Apr
2026
Shkruan: Gjon Bruçi
Gazeta SOT, 31 Mars 2026
Shoku im nga Kosova, Haxhi Dreshaj, që unë e konsideroj si vëllain e vogël ngase është shumë më i ri se unë, më dërgoi këto ditë një video, ku drekonin Vuçiçi me disa shokë të tij në Beograd. Në krye të tavolinës, si mysafir i veçantë ishte dhe Kryeministri ynë, Edi Rama. Tavolina e shtruar si për mbret, fytyra të qeshura, përqafime dhe gaz e hare pa fund. . . .
U trondita së tepërmi. U trondita dhe u turbullova. Kryeministri ynë ka shkuar në shumë shtete dhe është takuar me zyrtarë të lartë të shumë vendeve. Edhe në Beograd ka shkuar, e madje ka mbajtur fjalime. Siç ndodhi para disa vitesh, ku tamam sikur të ishte “Skënderbeu” i Spiropalit, i tha Vuçiçit në sy, se “Kosova tashmë është vend i pavarur, ndaj pranoje dhe njihe!”
Për këtë deklaratë burrërore, e cila u deklamua në konferencën e shtypit, Rama – Vuçiç me 10 Nëntor 2014 në Beograd, unë pata bërë edhe një shkrim me titull: “Shqiptarët flasin në Beograd, zagarët kuisin në Tiranë”. Me “Shqiptarët” personifkoja Kryeministrin tonë, ndërsa “zagarët”- Berishën dhe shokët e tij në Tiranë.
Por fatkeqësisht situata evoloi. Takimi i famshëm i vitit 2014, u sfumua e u harrua, sepse u mbulua me “stratagema” të reja, që e përdhosën të parën. Video që më dërgoi “vëllai im i vogël, ma riktheu plotësisht dyshimin që kam patur për Kryeministrin tonë. Dyshim, që tashmë me ngjarjet që pasuan, e që i dinë të gjithë shqiptarët (përveç socialistëve), më është kthyer plotësisht, dhe plotësuar me nofkën “Esat Toptani”.
Tavolina me “gjithë të mirat e Zotit”, shoqëruar me buzëqeshje, përqafime, dolli e dollibashe, më bënë të mallkoj veten për atë shkrim që pata shkruar 12 vjet më parë. Kjo ndodhi sepse pas takimit të parë të nëntorit 2014, “skenat” u ndërruan dhe Kryeministri ynë u “nakatos” keqas me Vuçiçin, në allishverishe të fshehta e të hapura. Mund të përmendim disa nga të hapurat: Ndikimi i Kryeministrit tonë tek Hashim Thaçi, për “korigjimin e kufijve”, ose më saktë për ndarjen e Kosovës, duke shtuar “dhurata” për Serbinë dhe për ndërkombëtarët e tjerë; Ballkani i hapur, që mbyllte fatet e Kosovës, e madje edhe të Shqipërisë; Nxitja e parlamentit të Kosovës dhe Hashimit, në miratimin e “Gjykatës Speciale”; Deklarimi se pjesa veriore të Kosovës “kishte mbetur tokë e askujt”, e deri tek “Letra e përbashkët” Vuçiç – Rama, drejtuar BE, për pranimin në këtë institucion të Serbisë e Shqipërisë, edhe pa të drejtë vote e vetoje, etj, etj,
Është pikërisht kjo tolerancë e politikanëve dhe shtetarëve këtej e matanë Drinit, që dy Republikat Shqiptare, edhe pa njohje e paqëtim reciprok, kanë një balancë marëdhëniesh tregtare, e madje edhe politike, që të bëjnë të llafosesh me vete, si të ishe somnambul . . .
Si është e mundur, që ne si shqiptarë, të aplikojmë një tolerancë të tillë me hasmin tonë shekullor, e më të tëbuar në rajonin e Ballkanit? Dhe kjo ndodh, kur ky hasëm jo vetëm nuk ka pranuar vrasjet, përdhunimet dhe gjenocidin e pashoq me ne shqiptarët, por as nuk pranon të ulemi si të barabartë në një tavolinë me të?!
Dikush, ose ndoshta edhe shumkush nga kozmopolitët e globalizmit dhe liberalizmit të kohës së sotme, me këtë ligjëratën e fundit, do të më quajë nostalgjik i së kaluarës së vjetër. Ndaj po mundohem të arsyetoj dhe të argumentoj, jo vetëm mendimin tim, por edhe të vërtetën dhe të drejtën e një populli, që ndonëse ka vuajtur si askush tjetër në rajon, ka burrërinë dhe urtësinë t’i japë tjetrit dorën dhe të kaluarën ta hedhë prapa krahëve. Por kjo ndodh, kur edhe pala tjetër jo shqiptare, sillet me të njëjtat sifate burrërore.
Shqiptarët, në dymijë vjet kanë jetuar e janë administruar më shumë me kode e ligje kanunore, të cilat për kohën e shkuar, por edhe për sot, ruajnë parametra modernë e të pranueshëm. Është vrarë shqiptari me hasmin e konakut e të vatanit, por kurrë nuk e ka përçudnuar e grabitur kufomën e të vrarit. Në çdo rrethanë e për çdo arsye që ka bërë vrasjen, kufomën e të vrarit e ka kthyer përsëmbari, duke i vendosur duart kryq mbi gjoks, e duke i vënë pushkën përbri krahut. Madje, nëse situata ishte me rrezik, pasi largohej prej të vrarit, gjente ndonjë çoban, apo udhëtar rasti e i jepte porosi të kryente ato veprime, që nuk arriti t’i kryente vetë për shkak të rrezikut. Në të gjitha rastet ishte i detyruar t’i çonte fjalë familjes së të vrarit për aktin që kishte bërë. Akoma më burrërore ishte pajtimi, i cili realizohej me ceremoni burrërore, ku hakmarrësi ose vrasësi, shkonte në takimin e pajtimit me pushkën me grykë poshtë dhe i binte n’dorë kundërshtarit. Ishin pajtimtarët ata që e mbyllnin hesapin, duke peshuar edhe dëmshpërblimin që nuk ishte i vogël. Por ky dëmshpërblim, në mjaft raste falej nga i dëmtuari dhe kjo sillte midis dy familjeve një miqësi të re, pa asnjë “ashkëL” në mes tyre.
Po në rastin tonë, me dy komshinjtë tanë, serbin në veri e grekun në jugë, si ka ndodhur në kohët e vjetra e gjer në shekullin e njëzet?! Jo më larg se 27 vjet më parë, dhe pikërisht në vitet 1998 – 1999, shovinistët serbë, në mes të Europës moderne, ushtruan mbi shqiptarët e Kosovës një gjenocid më të llahtarshëm se nazifashistët e luftës së Dytë botërore. Mbas këtij gjenocidi e poshtërimi, ata, jo vetëm nuk e njohën luftën e UÇK dhe ndërkombëtarëve, që bënë të mundur çlirimin e trojeve etnike shqiptare, por nuk pranojnë të ulen në tavolinën e bisedimeve si të barabartë, me ata që i përdhunuan prej më se një shekull me radhë. Këtu nuk është fjala për popullin e thjeshtë serb dhe grek, me të cilët kemi jetuar në harmoni, por për politikanët dhe shtetarët e këtyre vendeve, që megjithëse jetojnë në Europë prej qindra vitesh, nuk e kanë asimiluar ende sjelljen kafshërore të Kainit me Abelin.
A nuk ju duket e paimagjinueshme sjallja e Vuçiçit, zëvendës kasapi i Ballkanit, i cili, para dite ulet në tavolinën e bisedimeve me kancelaritë europianë për ceshtjen e pajtimit me shqiptarët e Kosovës, dhe në mbrëmje deklaron në Beograd, se Kosovën nuk e lëshojmë, se ajo është “djepi i Serbisë”?!!!
Dhe pikërisht me këtë pasardhës të Kasapit Millosheviç, politikanët e shtetarët tanë këtej e matanë Drinit, ulen në të njëjtën tavolinë, ku Vuçiçi u nxjerr gjuhën. Madje disa prej tyre, siç është rasti i Kryeministrit tonë Rama, pinë së bashku e çojnë dollinë për flamurin e serbisë, flamur që prej më se një shekull, u ka pri “Arkanëve” me shokë në poshtërimin, përdhunimin dhe zhdukjen e shqiptarëve, të cilët punonin e jetonin në trojet e tyre etnike.
Për më keq, në marrëdhënie të ngrohta e “vëllazërore” me politikanët e shtetarët serb, nuk është vetëm Kryeministri ynë Edi Rama, e ndonjë politikano-pushtetar i Republikës së Kosovës, por edhe bisnesmenë e tregëtarë nga Kosova dhe nga Shqipëria, të cilat furnizohen çdo ditë më mallra (me hile apo pa hile) nga hasmi i tyre shekullor.
Për të mos u dukur nga lexuesit, si një nostalgjik i kanuneve të moçme në komunikimin me botën e sotme, po sjell një ligjëratë të deklamuar nga një europiane e kohëve moderne. Është fjala për zonjën Anna-Marie Lizin, e cila në vitin 2003, ajo u bë Presidente e Komisionit për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Mbrojtjen e Senatit belg. Ndërsa në vitin 2004, ajo u emërua Presidente e Senatit të Belgjikës, para se të bëhej senatore në korrik 2007. Ajo ishte Kryetarja e parë femër e Senatit belg (2004 – 2007).
Anna – Marie Lizin shprehet pikërisht për këtë çeshtje, që flitet në këtë shkrim. Po e citojmë:
“Edhe sikur ajri i pastër të vinte vetëm nga Serbia, dhe jeta ime të ishte e varur prej tij, po të isha shqiptare nuk do ta blija. Do të më dukej përbuzje ndaj të gjitha viktimave!”
Kësaj deklarate, asnjë shqiptar i vërtetë, nuk mund t’i bëjë kritikë apo korigjim. Vetëm tradhëtarët e racës sonë mund ta bëjnë këtë gjë. Për fat të keq, këta të fundit nuk na mungojnë. I kemi patur e i kemi ende në krye të vendit, të cilët fillimisht mbulohen me parulla e sllogane atdhetare, por shumë shpejt i nxjerrin kthetrat e ndyra të tradhëtisë.
Kur dalin hapur dhe i shohim të gjithë, atëhere kujtohemi për Toptanin, i cili na duket “liliput” përpara veprimtarisë së sivëllezërve të tij të shekullit të njëzet e një.
“Letrat” tashmë janë hapur; kush nuk i sheh tradhëtarët, ai është qorr, ose kandidat për tradhëtinë, fenomeni më i rrrezikshëm, që ne shqiptarëve na ka dëmtuar më shumë se vetë armiku apo pushtuesi.
————————

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 01/04/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk