NJË VODEVIL NDËRKOMBËTAR ME “NON GRATA” – BERISHËN!

25
Jul
2023
Shkruan: Gjon Bruçi

/ -Gazeta SOT, 25 Korrik 2022-/
Sqaroj lexuesin që mund të mos e dijë, se “Vodevil” (Vaudeville), quhet një pjesë teatrale, pa synime psikologjike e morale, por thjeshtë për argëtimin e publikut. Një të tillë pjesë teatrale kushtuar “Non grata”- Berishës, po shikon populli shqiptar, prej një viti e ca. Një pjesë teatrale me regji ndërkombëtare, që nisi në Uashington, vijoi në Londër dhe nuk dihet se në cilën kancelari apo skenë gjyqësore do të shënojë finalen.
“Shfaqja” në fjalë zhvillohet në skenën politike shqiptare, duke dominuar gjithë diskursin e politikanëve, gazetarëve, opinionistëve dhe pse jo, edhe të një mase të gjerë të qytetarëve. Disa prej tyre, madje, kanë bërë deklarata publike se “Vodevili” në fjalë shumë shpejt do të finalizohet me arrestimin e personazhit kryesor dhe të vetëm të saj, me emrin Sali Berisha. Përkundër kësaj “elite” politike, shtetërore e shoqërore, që janë të bindur se “vodevili” do të kthehet në dramë dhe tragjedi për personazhin e saj, ka dhe disa skeptikë, të cilët besojnë se pjesa teatrale e mësipërme do të mbetet gjer në fund, një vodevil argëtues, jo vetëm për “oborrin mbretëror”, por edhe për platenë e madhe të popullit. Po mundohem të sqarohem për këtë pozicion disi kontravers të elitës sonë të sipërme . . .
Personazhi Berisha, është politikani që ka zotëruar e vijon të zotërojë skenën e politikës shqiptare të tri dekadave të fundit në vendin tonë. Ashtu siç tha edhe ish presidenti Meta në prag të dorëzimit të karriges presidenciale, “Berisha ka lënë gjurmë në histori”. Sigurisht ai nuk e përcaktoi se çfarë gjurmësh ka lënë, por po të pyetet populli, me siguri do të thoshte se Berisha vërtet ka lënë gjurmë në historinë e shqiptarëve, por këto gjurmë kanë qenë gjurmë gjaku. Dhe do të rreshtonte të paktën katër nga “gjurmët” më kryesore, të cilat janë të dukshme dhe të filmuara nga mediat vizive, kamerat profesioniste e amatore dhe fotot e çastit të fotografëve. Këto “gjurmë” nisin me gjëmën e vitit 1997, vijojnë me grusht-shtetin e vitit 1998, “pëcillen” me “bombë-hiroshimën” e Gërdecit, për t’u “përuruar” me vrasjen në mesin e bulevardit e në mesin e ditës së 21 janarit 2011, të katër qytetarëve të pafajshëm. Nuk po cekim këtu aktet e tjera si vrasjet seriale në Tropojë, prapaskenat e “rënies së heroit të demokracisë”, zhdukjen pa gjurmë të Remzi Hoxhës, e të tjera kësisoj të tipit zogollian.
Nëse gjatë këtyre tri dekadave të emërtuara “tranzicion demokratik”, do të kishim patur një drejtësi vërtet të drejtë e aktive, personazhi ynë karizmatik, me emrin drithërues “Berisha”, do të ishte dënuar të paktën katër herë me burgim të përjetshëm, konkretisht: Për ngjarjet e vitit 1997, ku Berisha me veprimet e tij të drejtpërdrejta përmbysi shtetin dhe shembi Shqipërinë; në vitin 1998, kur hipur mbi tanke, synoi të rimerrte pushtetin; me tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 qytetarë, e u plagosën qindra të tjerë; dhe me vrasjen e 21 janarit 2011, kur viktimat ranë në bulevard nga plumbat e drejtpërdrejtë të Gardës qeveritare dhe rojeve të sigurisë së kryeministrit Berisha.
Kur kujtojmë këto skena të përgjakshme të ndodhura në kohë moderne, në një vend që gjendet në kërthizë të “Evropës demokratike”, skena të cilat u anashkaluan pa u ndëshkuar fajtorët, goja na hapet vesh më vesh, jo për të qeshur, por për t’u ngërdheshur . . . Për të katër rastet e mësipërme, fajtorët janë mbrojtur direkt apo indirekt pikërisht nga ata që predikojnë me të madhe “shtetin ligjor dhe demokracinë e sistemit kapitalist”. Në rastin e parë, me miratimin e ndërkombëtarëve euroatllantikas, hyri në lojë amnistia, çka i dha mundësi Berishës të dilte nga kasaphana, shëndosh e mirë si kokrra e mollës. Një vit më vonë, pas “grushtit të shtetit”, falë një “kokëkrisje” të qeveritarit të radhës, Berisha përfundoi në zyrat e policisë, por pas një telefonate nga Uashingtoni, Gjermania dhe Italia, doli si rrunak dhe vrapoi tek “tufa e tij”, për t’u rikthyer pas shtatë vitesh përsëri në postin e kryeministrit. Ngjarja e Gërdecit e tronditi Berishën, por shoku i tij i kahershëm e kundërshtari aktual, Rama, i ra Saliut shpatullave, duke e ngushëlluar për gjëmën, e duke e siguruar se do ta përcillnin së bashku “dhimbjen”. 21 Janari i viti 2011 u duk se i vuri “kësulën”, karierës politike dhe shtetërore të Saliut, por “porosia verbale” që kishte marrë nga ndërkombëtarët për të ruajtur “me çdo mjet “stabilitetin”, i dha mundësi Berishës, ta mbyllte me “nder” mandatin qeveritar, pa shënim të rëndë në “kartën e regjistrimit”, duke ia lënë dritaren hapur për t’u rikthyer përsëri në pushtet, siç pritet të ndodhë aktualisht.
Në shkurt të vitit 2015, unë analisti amator, botova në “DITA”, një shkrim replikë me redaksionalen e kësaj gazete, me titullin: “Ndëshkimi i Berishës? Mos prisni të ndodhë!”. Plot shtatë vjet pas kësaj replike, “profecia” ime rezulton ende e vërtetë. Vërtet kemi “Non gratën”, por kjo është shumë larg ndëshkimit.
Po, si është e mundur që pas gjithë këtyre krimeve shtetërore e individuale në dëm të demokracisë, të popullit e të vendit, politikani e shtetari Berisha, jo vetëm nuk është ndëshkuar, por madje replikon e ligjëron si bilbil, me sekretarë e departamente shtetesh nga më të fuqishmit e globit, pa iu dridhur qimja tashmë e thinjur e flokëve dhe e vetullave?
Arsyet e mosndëshkimit të Berishës, të paktën për katër rastet e mësipërme, tashmë janë të dukshme: Po i rreshtojmë sipas radhës: Amnistia e ngjarjeve të vitit 1997, e për rrjedhojë edhe e Berishës, vërtet u nënshkrua nga politikanët shqiptarë, të të dy krahëve, por regjisorët e kësaj marrëveshje ishin ndërkombëtarët. Arsyeja? Nëse Berisha do të përfundonte në bangën e akuzës, do të dilnin në shesh edhe duart e ndërkombëtarëve, të cilët ishin pjesëmarrës në prapaskenë të atyre ngjarjeve tragjike që shembën edhe fizikisht Shqipërinë. Për grushtin e shtetit të vitit 1998, nuk kemi pse të ndalemi, sepse kemi dëshminë e thukët të “telefonatave nga Uashingtoni, Berlini e Roma”, që anulluan edhe atë përpjekjen e vogël për ta “trembur” Saliun me ndalimin për disa orë në rajonin e policisë së kryeqytetit. Aq më pak mund ta mendojmë dënimin e tij për tragjedinë e Gërdecit, e cila ishte një “vepër” e Pentagonit, dhe me Pentagonin nuk mund të bëhen shaka. Sëkëlldinë më të madhe Saliu e pati me 21 janarin e vitit 2011. Ajo ngjarje e pashembullt, e tkurri dhe e bëri sa një grusht. Por porosia “për ruajtjen e stabilitetit me çdo mjet”, që i kishte transmetuar “perëndimi”, i jepte shpresë se do ta hidhte “lumin”. Shpresë që pas ditëve të para të gjëmës, iu bë realitet, dhe ai u kthye “burrërisht”, duke deklaruar publikisht se: “Po guxuat të sulmoni zyrën time, do të vras, jo katër apo pesë, por katërqind e pesëqind vetë, madje bashkë me opozitar Edvinin. . . “! I kujtoj lexuesit se “porosinë” e perëndimorëve drejtuar Saliut tonë, ia kishte transmetuar pikërisht ish Shefi i SHIK -ut, Klosi, gjë që ai e deklaroi në një panel televiziv në vitin 2019.
Është pikërisht kjo “histori”, tashmë me “bythën jashtë”, që e bën “Non Gratën” amerikane një vodevil, si ato që shfaqeshin në shekullin e 19 për të zbavitur oborrin mbretëror në Francë dhe në vende të tjera perëndimore. Ky “vodevil” përtej atllantikas, u dublue edhe nga “xhon Bulli” anglez, duke e bërë akoma më argëtues për elitën politiko-shtetërore të vendit tonë “demokratik”, por kurrsesi për popullin shqiptar.
Kur dëgjon për non gratat perëndimore kundër Berishës, dhe ky i fundi u nxjerr gjuhën dhe rikthehet në politikë për të rimarrë pushtetin, vetvetiu lind pyetja: Si është e mundur që gjithë ajo Amerikë, gjithë ai Departament Shteti, ndihmuar madje edhe nga sivëllai i tyre në ishullin britanik, nuk janë në gjendje të dënojnë një person, i cili akuzohet prej tyre për korrupsion dhe krime shtetërore? Sigurisht nuk them që Amerika apo Anglia të hapin seanca gjyqësore për Saliun tonë, por ata, sidomos amerikanët, mund të vënë brenda minutit në lëvizje, organet e SPAK-ut, që vetë i kanë ngritur dhe i ushqejnë me mendje, me infrastrukturë dhe me paga marramendëse.
Thuhet për nën zë, se po të arrestohet Berisha, militantët e tij do të na prishin stabilitetin. Ndaj “taktika” e amerikanëve paska qëllim ta frikësojë Saliun, tashmë “një limon i shtrydhur” dhe ta detyrojnë t’ia mbathë andej nga Orbani, apo ndonjë sivëlla tjetër kësisoj. Nëse vërtet agjensitë e informacionit të SHBA dyshojnë se arrestimi i Berishës mund të trazojë ujrat shqiptare, atëhere me keqardhje themi se SHBA e paska në pikën më të ulët agjensinë e famshme me germat CIA. Sa për arratisjen e Berishës jashtë Shqipërisë, ju siguroj se nuk do të ndodhë. Dhe kjo jo prej trimërisë, por përkundrazi prej frikës, se strehuesit e tij mund ta dorëzojnë pabesisht. Dhe i pabesi, si Berisha, e ka shumë frikë pabesinë. Berisha është trim, kur është në mes të militantëve të tij të flaktë, ngjashëm me skuadronet e Hitlerit. Dhe këtë mundësi po ia krijojnë pikërisht këto “non gratat”, që nuk shoqërophen me prova konkrete dhe akuzë pranë gjykatës shqiptare, pse jo edhe pranë gjykatës ndërkombëtare.
Në mbyllje: Mjaft na e shfaqët “Vodevilin” e Non gratës Berisha. Ju lutemi, gjeni një pjesë tjetër teatrale, se kjo që keni vënë në skenë, as na ngjit e as na përzhit!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk