NJËSITET GUERILE – ZANAFILLA E KRYENGRITJES SË ARMATOSUR (GUSHT – SHTATATOR 1942)

27
Aug
2026
Shkruan: Dilaver Goxhaj

Njësitet Guerile (Nj.G.) ishin grupet e para të armatosura të Luftës ANÇ të përbëra prej 5-10 vetash në qytete dhe 10-20 vetash në fshatrat e krahinat për luftë kundër pushtuesve fashistë, nazistë dhe bashkëpuntorëve të tyre. Nj.G. u krijuan dhe drejtoheshin nga komitetet qarkore të PKSH në dhjetor të v. 1941, pikërisht kur kryeministri kuisling Mustafa Kruja deklaronte: “Bashkim i shtetit shqiptar me shtetin Italian nën një mbretëri të vetme.”, (kur SHBA nuk ishin përfshirë ende në Luftën e Dytë Botërore), dhe u shumuan në fillim të v.1942 në qytetet kryesore, dhe më pas edhe në gjithë qytetet dhe në fshatra e krahina të paçliruara. Nj.G. ishin forca e rëndësishme e Luftës ANÇ. Ato përfaqësonin formacionet e para të kryngritjes së Armatosur. Ishte aktiviteti luftarak i këtyre formacioneve që krijuan rrethanat për thirrjen e Konferencës së Pezës, më 16 Shtator 1942, ku u themelua FRONTIT ANTIFSHIST NACIONAL ÇLIRIMTAR; prandaj më 26 Shtator komanda e përgjithshme italiane ndërmori operacion ushtarak kundër krahinës së Pezës.
Prej këtyre njësiteve, në Shkurt 1942 filloi krijimi i çetave partizane, dhe në Maj 1943 i batalioneve partizane të U.N.Ç.SH. Si rrjedhojë e veprimtarisë së Nj.G. deri në fund të gushtit 1942 numri i dezertorëve ndër karabinierët, policët e milicët shqiptarë arrinte në rreth 300 veta.
Edhe pse në Konferencën e Pezës pati shumë pjesmarrës nacionalistë, “ata nuk e shihnin ende të dobishme lvizjen antifashiste, dhe as veten e tyre për të marrë përgjegjësinë e drejtimit të lëvizjes, ndërkohë që Balli Kombëtar u themelua aty nga mesi i muajit nëntor 1942”. (Kristo Frashëri “Mbi historinë e Ballit Kombëtar”, Tiranë 2012, f.40)
– Qarku Beratit, më 28 gusht 1942, njësi gueril i LOSHNJËS rrëmbeu makinat e shkrimit të komunës së qëndrës, si dhe morën pushkë e automatikë në zyrat e rojeve të pyjeve; hodhën bomba dore kundër postës së xhandarmërisë që ishte vendosur te çesma e Kalifasë, si dhe bënë atentat kundër milicëve dhe xhandarëve fashistë Zef Petrash Nika, Qazim Dervishi dhe Ismail Bodinakut.
Natën duke gdhirë 31 gushti 1942, njësitet partizane të SKRAPARIT, rrethuan fshatin Milovë të Tomoricës, në të cilin ishin rreth 60 milicë mercenarë fashistë. Numuri i rrethuesve arrinte në 180, prej të cilëve 140 ishin fshatarë të armatosur. Përpara se të fillonte sulmi u zbrazën batare pushkësh, due u derguar ultimatum që të dorëzoheshin. Komandanti i milicëve në fillim nuk e pranoi ultimatumin për t’u dorëzuar, por pas dy orëve partizanëve u erdhi përgjigjia se do dorëzoheshin, port ë liheshin të lirë. Dorëzimi dhe çarmatosja e kompanisë të milicisë fashiste ra si bombë në kokat e krerëve tradhëtarë shqiptarë. Pas këtij sumi numri i vullenetarëve të armatosur, të gatshëm për luftë, arriti rreth 600 vetë. Kundërveprimi i armiqve nuk vonoi.
Më 2 Shtator 1942, në SKRAPAR u dërguan 8 kompani milicësh fashistë dhe karabinierësh, rreth 1.000 forca, nën komandën e një nënkoloneli italian, duke marshuar nga tri drejtime: nga Berati, nga Terpani dhe nga Gramshi; ndërsa një kompani tjetër arriti në Tomoricë nga Opari i Korçës. Milicët u pritën me pushkë në Qafën e Dëvrisë. Kundërsulmi prej partizanëve dhe fshatarët e armatosur, i detyroi forcat mercenare dhe ato fshiste të tëhoqeshin dhe zunë pozicione në vijën Vlushë- Gradec-Radësh, 6-8 km nga Çorovoda.
Më 6 Shtator 1942 u krye sulmi vendimtar mbi armiqtë. Luftimet zgjatën gjithë ditën e gjithë natën.
Të nesërmen, më 7 Shtator, në orën 12.00, prefekti i BERATIT i raportonte Ministrisë së Punëve të Brendshme: “Fuqitë tona që tash 24 orë kanë luftue me fuqitë rebelë… në këtë minutë një pjesë e fuqive rebele ka arritur 4 kilometra afër Çorovodës. Gjendja çdo orë keqësohet, shfaqet nevoja shumë e ngutshme që brenda ditës së sotme të disponohet dërgimi i një fuqie prej 1.000 vetësh të armatosur”. Mirëpo ndihma nuk u erdhi, dhe ikën me nxitim nga kishin ardhur, për të mos pësuar fatin e milicëve fashistë në Melovë.
Rreth orës 14.00 të 7 Shtatorit forcat çlirimtare hynë në ÇOROVODË.
– QARKU TIRANËS, më 29 Gusht u dogj kantjeri i shoqërisë italiane “Staccioli”;
Më 30 Gusht u dogj centrali elektrik i xhenjos ushtarake;
Më 4 Shtator, njësitet guerile dogjën autobuzin e
oficerave të aviacionit.
Më 12 Shtator, dogjën fjetoren e oficerave të një batalioni Italian dhe ofiçinën mekanike të shoqërisë FIAT.
Më 23 Shtator u shkatërrua nga flakët depua e materialeve të postë-telegrafës ushtarake.
Më 27 Shtator, u bë shkrumb një depo tjetër me mëteriale të organizatës së rinistë fashiste.
– QARKU GJIROKASTRËS, më 1 Shtator 1942, njësitet guerile shkatërruan vijat telegrafonike që lidhnin garnizonin e qytetit me forcat pushtuese italiane në Greqi.
Ndërsa më 3 Shtator një njësit partizan sulmoi te Ujët e Ftohtë afër Tepelenës prefektin e Gjirokastrës, Tahir Kolgjinin, me gjithë shpurën e karabinierëve. U vranë një numër karabinierësh por vetë prefekti shpëtoi.
Më 9 Shtator 1942, mbi rrugën automobilistike midis Tepelenës e Gjirokastrës u godit nga një njësit partizan i krahinës së KURVELESHIT një kamjon ushtarak dhe u vranë një numër karabinierësh që ndodheshin në të.
– QARKU VLORËS, më 5 Shtator 1942, një njësit gueril rrëmbeu katër ton lëndë plasëse nga depot e shoqërisë italiane Tamburleni-Monai.
Më 22 Shtator 1942 një njësit tjetër mori një sasi pushkësh dhe municione që ruheshin pranë gjykatës së qytetit.
Më 26 Shtator 1942, njësiti partizan i Tërbaçit, me disa shokë ilegalë nga qyteti i Vlorës kryen një aksion në Qafën e Pëllumbit, afër Bratajt, mbi rrugën Gjorm-Kuç, duke sulmuar dy kamjonë ushtarake me ushtarë italianë të xhenjos. Një makinë u dogj kurse shumica e ushtarëve italianë u vranë.
– QARKU KORÇËS, më 6 Shtator 1942, një njësit partizan i
Mokrës shkatërroi një urë midis Prenjasit dhe Qukësit, duke e ndërprerë komunikacionin për disa ditë. Të nesërmen ky njësit goditi në pritë një patrullë ushtarësh italianë në rrugën midis Pogradecit dhe Qafa e Thanës.
Më 7 Shtator njësiti i KOLONJËS shkatërroi vijën telegrafike Ersekë-Përmet, kurse dy ditë më pas, 9 Shtator, goditi një togë milicësh në afërsi të fshatit Treskë.
Më 12 Shtator, po ky njësit, ndaloi një triçikël të Divizionit “Arezzo”, të cilin e dogjën, kurse ushtarët i çarmatosën dhe i lanë të lirë.
Më 22 Shtator, njësiti i FUSHËS së KORÇËS hodhi në erë një urë mbi rrugën Korçë-Bilisht.
Më 27 Shtator, një njësit i DEVOLLIT vrau një kapiten mercenar të milicisë fashiste, kurse të nesërmen, më 28 Shtator, në bashkëpunim me njësitin e disa fshatrave, shkatërruan vijën telegrafonike Bilisht-Follorinë (Greqi) dhe atë Bilisht-Korçë.
– QARKU DIBRËS, më 9 Shtator 1942, një njësit partizan i
MATIT kreu aksionin e parë në Vig, afër Vinjollit, kundër postës ushtarake italiane që udhëtonte nga Peshkopia në Burrel, vrau tetë karabinierë që ndodheshin brenda dhe kapi një sasi materiali luftarak.
Po më 8 Shtator, një njësit tjetër i Dibrës, sëbashku me njësite të fshatrave, shkatërruan vijën telegrafonike prej ZERQANIT në GUR të BARDHË (të MATIT).
Më 16 Shtator një njësit tjetër sulmoi kantjerët e shoqërisë italiane AMMI në Qafën e Buellit,i çarmatosën të tridhjetë punëtorët italianë të minierës së kromit dhe u larguan pasi morën një sasi të mirë materialesh.
Më 18 Shtator një njësit jetër i MATIT, po në Qafë Murrë goditi një ekip që kish dalë për mbledhjen e taksave dhe të dhjetash, që kryesohej nga nënprefekti.
Më 21 Shtator, po dy njësitë të tjera goditën një detachment xhenjerësh italianë në Gur të Bardhë.
Më 27 Shtator një njësit i DIBRËS vrau komandantin e karabinierisë së rrethit të ZERQANIT me gradën kapiten, i cili ishte bërë një xhelat i vërtetë për popullsinë. Aksionin e drejtonte Nazmi Rushiti.
– QARKU ELBASANIT, më 16 Shtator, u shkatërruan vijat
telegrafonike gjatë rrugës Elbasan-Durrës, Elbasan – Tiranë dhe Elbasan – Librazhd.
– Në 16 Shtator në LUMË të KUKSIT, një njësit partizan u ndesh me një grup karabinierësh afër Ujmishti. Luftimet zgjatën katër orë. Në këtë luftim u vranë dhe u plagosën mjaft armiq.
– Gjatë muajit Gushrt e Shtator 1942 këto njësite, në qytetet e tjera të vendit, kryen aksione për vrasje spiunësh, si dhe rrëmbim materialesh për nevoja të luftës çlirimtare.
Më 25 Gusht 1942, me vendim të Komitetit Qëndror të PKSH doli numri i parë i gazetës “Zëri i Popullit”, i cili u shtyp në shtëpinë e patriotëve Sefer dhe Emine Shijaku në Tiranë. Kjo gazetë u bë tribuna e vërtetë e kushtrimit për Luftën Nacionalçlirimtare.
(Bazuar te “Historia e LANÇ-it e popullit Shqiptar 1939-1944”, Tiranë 1975, v.1; botimet seriale “Veteranët tregojnë”, Tiranë 1979-1985; “Partizanët tregojnë”, Tiranë 1960; “Kronikë e ditve të stuhishme”, Tirane 1972, etj)
Tirane, 25 Gusht 2026

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 27/08/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk