NUK KA FATKEQËSI MË TË MADHE PËR NJË POPULL, SE KUR TRADHTARËT DHE ARGATËT E PUSHTETEVE TË HUAJA SHITEN E NDEROHEN SI ATDHETARË

25
Jun
2023

Përgatiti: Abdulla Mehmeti
Reflekse
Atdhetarët e vërtetë nuk duan pushtet, famë e pasuri, mirëqenie personale, ata e duan lirinë, përparimin e kombit të tyre, sepse kanë idealet dhe aspirata të tyre, që synojnë krijimin dhe ndërtimin e shtetit siç ua ka dashur zemra ndër breza edhe të parëve të tyre, duke e përbuzur e luftuar çdo pushtet dhe sundim të huaj.
Sikur të rikthehej sot pushteti i Serbisë (lexo: i Rusisë) në këto vise, sidomos në Maqedoni, në pushtet do të mbeteshin shumica e po këtyre që kanë qenë dje, nën regjimin komunist jugosllav, e që janë edhe sot, ndërsa shqiptarët që kanë rezistuar, kundërshtuar e rrezikuar përherë, do të mbeteshin po kështu siç janë sot, siç kanë qenë gjithmonë nën pushtetet e huaja, me ndihmën edhe të tradhtarëve vendës dhe kuislingëve shqipfolës në të gjitha kohërat.
Shpirti i helmuar me komunizëm jugosllav, individët me duart e përlyera me bojë tradhtie, atdhetarizmin e kanë reklamë e biznes, argati dhe detyrim ndaja atyre që ua kanë mbushur gjithmonë grazhdin, jo bindje e përkushtim ndaj kombit të tyre.
Problemet dhe fatkeqësia e shqiptarëve në Maqedoni nuk kanë filluar nga shpallja e pavarësisë së këtij shteti, si mbetje e ish-Federatës së Jugosllavisë, me hapjen e pluralizmit dhe pseudo demokracisë, as me sjelljen e Kushtetutës së parë të këtij shteti, më 17 nëntor 1991, por janë plagë të vjetra të trashëguara nga ish-regjimit komunist jugosllav, nga degradimi i statusit juridik-kushtetues nga vitet e tetëdhjeta, përmes ndryshimeve kushtetuese të tëhershme (me amendamente), kur shumica e këtyre që sot shiten si patriotë kanë qenë komunistë të përbetuar jugosllavë, bartës të funksioneve në atë pushtet, disa edhe agjentë të hapur apo të fshehtë të shërbimeve sekrete jugosllave, që i kanë duart e përlyera edhe me gjak, me helm e ndot, si argatë të agjenturave të armikut, UDB-së dhe KOS-it.
Fatkeqësisht, po këta individë janë privilegjuar edhe gjatë tri dekadave të fundit nga pushteti kinse demokratik i Maqedonisë, po këta e mbajnë peng edhe sot mosngritjen dhe moszhvillimin, mospërparimin e shqiptarëve në këtë shtet.
Shpirti me arrna komunizmi jugosllav nuk mund të shndërrohet në veshje të ngrohtë për shqiptarët sot, apo engjëj shpëtimtarë sikur vetëdeklarohen e shpallen nga pushteti i sotëm.
Ky është fati i zi i shqiptarëve, pse nuk dinë ta pastrojnë shtëpinë dhe oborrin e tyre nga këta gjarpinj helmues, nga ata që kanë kafshuar tinëz dje, që kanë ngrënë me dy lugë nga pushtetet sunduese antishqiptare, edhe sot janë po ata, janë helmi, ndoti dhe fatkeqësia e shqiptarëve në Maqedoni.
Kanë emra këta individë, kanë vulën e turpit në ballë nga bëmat e tyre, por kanë edhe pasuri dhe pushtet, sepse e kanë tapinë e gjithmonshme të sunduesve të huaj.
Nga 36000 ish-agjentë të sigurimit të shtetit gjatë regjimit komunist jugosllav në Maqedoni, shumica e tyre kanë qenë shqiptarë. Një pjesë e tyre ende janë edhe në shërbimet e njëjta, kinse të transformuar, ose i kanë të afërmit e tyre, nga përhapin progandë, mjellin varfëri e terror psikologjik e fizik, shpërndajnë helm e drogë, e lajnë me gjak e mbulojnë me turpe edhe të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve, jo vetëm në këtë vend, por kudo që janë e ngado që shkojnë.
(20. VI. 2023)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/06/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk