NUK NDËRTOHET SHTET LIGJOR ME MENTALITET TË VJETËR DHE POLITIKANË TË PËRFSHIRË NË KORRUPSION DHE KRIME

22
Jul
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

Rilexim për reflektim

Pushteti i Maqedonisë Veriore edhe aktualisht përballet me sfida të mëdha, ndërsa qytetarët e saj shqiptarë çuditërisht të mpirë nga propagandat partiake, politike dhe fetare, këto procese i përjetojnë sikur ndodhin në një skaj tjetër të largët të botës, jo në vendin e tyre!
Qeveria aktuale e Maqedonisë po përballet me probleme të njëjta, si në raport me shtetet fqinje dhe me faktorin ndërkombëtar, por edhe me probleme të brendshme, të cilat e pamundësojnë konsolidimin e shoqërisë, ndërtimin e shtetit ligjor dhe proceset demokratike.
Kjo qeveri ka reflektuar pozitivisht, me ardhjen në pushtet të saj para një viti, sidomos në zgjidhjen e shumë problemeve të trashëguara nga e kaluara, disa prej të cilave i ka përmbyllur pozitivisht, siç është zgjidhja e çështjeve të hapura me Bullgarinë fqinje, jo vetëm për ndërtimin e mirëbesimit dhe fqinjësisë së mirë, por edhe për zgjidhjen e disa çështjeve të historisë, gjuhës dhe identitetit të popullit maqedonas; ndërsa me Greqinë fqinje pas 27 vjet kontesti të rëndë për emrin e shtetit, arriti më në fund të nënshkruaj një marrëveshje nga disa të quajtur edhe ,,historike”, Marrëveshjen e Prespës, e cila Maqedonisë ia hapi rrugët e integrimit në NATO dhe BE, ndërkohë, problemet e brendshme me të cilat përballet shoqëria e këtij vendi disa dekada me radhë, siç duket ende janë më të mprehta, më të vështira dhe më të rënda për t’u zgjidhur.
Nga e gjithë kjo frymë pozitive e krijuar në vend pas ndryshimit të pushtetit, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit 2016, po shihet qartë se sa vështirë mund të zgjidhen problemet e brendshme në një shoqëri të degjeneruar totalisht, me një klasë politike të komprometuar, të korruptuar dhe kriminalizuar, me qytetarë të cilët e kanë humbur shpresën për të ardhmen e tyre, me këtë edhe ndjenjën e përgjegjësisë për ruajtjen dhe mbrojtjen e shtetit nga ndikimet negative të jashtme dhe të brendshme.
Ndikimet e huaja në vend për një periudhë të gjatë kohore, kapja e shtetit dhe institucioneve të tij nga strukturat mafioze dhe nëntoka kriminale, përveç varfërisë ekstreme në vend kanë sjellë edhe degradim të skajshëm moral ndër qytetarët e vendit, të cilët në pamundësi të hapjes së perspektivave të reja, shpëtimin e kërkojnë në botën e jashtme, ku gjatë dy dekadave të fundit janë larguar së paku 1/3 e popullsisë së përgjithshme të vendit.
Periudha e gjatë kohore e qëndrimit në pushtet të një klase politike tepër të papërgjegjshme, e cila në vorbullën e korrupsionit dhe krimit arriti ta fusë pjesën më vitale të popullsisë, atë të moshës madhore, jo vetëm si makinë votuese, por edhe përfituese në procesin e vjedhjes së pasurisë së shtetit, përkrah oligarkëve nga radhët e partive politike.
Një shoqëri e varfëruar skajshëm, e lënë në mëshirën e fatit, me ekzistencë të rrezikuar, e ekspozuar jashtë çdo norme ndaj propagandës perfide nga mediet e kontrolluara nga nëntoka kriminale dhe mafia në pushtet, nuk ka se si të shpëtojë nga darët e sundimit të egër të këtij regjimi totalitar, i cili vlimet e brendshme mund t’i derdhë edhe jashtë këtij kazani, i cili ndrydh e kapërdin vullnetin e lirë të qytetarëve, zien e përcëllon gjithçka që është e drejtë, humane dhe e moralshme, ku imponohen vlera të bastarduara dhe krijohen fatkeqësi individuale e kolektive për banorët e këtij shteti të shndërruar në ferr.
Shenjat e para të dobësisë së pushtetit aktual përballë strukturave të vjetra të infiltruar brenda tij, kohët e fundit vërehet qartë, të cilat sigurisht kanë për qëllim të dëshmojnë para qytetarëve të vendit dhe para faktorit ndërkombëtar se as kjo strukturë politike nuk është më e mirë dhe më e aftë se ajo e mëparshmja, e cila e solli vendin buzë greminës dhe shkatërrimit total.
Është koha që këto tendenca negative të parandalohen para se të lëshojnë rrënjë, para se ta përhapin gangrenën e korrupsionit edhe në radhët e qeverisë aktuale. Qytetarët e vendit tanimë i kanë të njohura disa afera korrupsioni në radhët e ministrave në qeverinë aktuale. Askush nuk ka të drejtë të hesht përpara këtyre dukurive, aq më pak partitë politike të shqiptarëve, të cilat nuk janë thjesht vetëm partnerë koalicioni për qeverisjen e këtij shteti, por kanë edhe përgjegjësi më të madha se kjo: ta nxjerrin vendin nga humnera ku e kanë futur po këto parti politike me partnerët e tyre të derisotëm, që ky shtet të mos funksionojë dhe të shkatërrohet nga jashtë dhe brenda, për të kërkuar në të ardhmen alternativa të reja për „shpëtimin“ е vendit dhe popullsisë sllave në gjirin e ndonjë shteti fqinj të Maqedonisë. Në favor të këtyre përpjekjeve të disa qendrave politike të jashtme janë mbi dymbëdhjetë marrëveshje të hapura dhe disa të tjera të fshehta mes shteteve të aleancave ballkanike sllave ortodokse, nga viti 1912 deri më sot.
Era e keqe e tenderëve të paligjshëm të disa ministrive të qeverisë aktuale, sidomos në sektorët e ndjeshëm siç është shëndetësia, mbrojtja e ambientit jetësor, investimet dhe zhvillimi ekonomik, vetëm sa e kanë dhënë alarmin, para të cilit askush nuk duhet të jetë imun, i mbrojtur special nga pushteti, meqë bëhet fjalë për diversionin më të madh që mund t’i bëhet një qeveria nga brenda, jo vetëm për komprometimin e saj, por edhe pengimin e çdo reforme në shoqëri dhe ndërtimin e shtetit ligjor.
Përfundimisht, ministrat që veç kanë të filluar t’u marrin erë tenderëve të paligjshëm dhe jo transparentë, marrjes së ryshfetit nga kompanitë e dëshmuara deri më sot se kanë vepruar kundër interesave të qytetarëve të këtij vendi, sidomos kundër interesave të shqiptarëve, sa më parë duhet të largohen nga qeveria, sa nuk i kanë futur duart edhe më thellë në korrupsion dhe krime, ende sa nuk e kanë zgjuar revoltën e qytetarëve të stërmbushur me mllef e urrejtje ndaj regjimeve jodemokratike dhe totalitare.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 22/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk