O Zot, ndihmoji shkrimtarët, intelektualët dhe politologët shqiptarë të vijnë në vete!

04
Oct
2025
Shkruan: Xhemil Zeqiri

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Siç mësojmë nga rrjetet sociale (Facebook), është bërë përurimi i librit të 40-të të profesorit të nderuar Lush Susaj, me titullin “Pasoja të përdhunimit komunist të Shqipërisë”.
Pas vitit famëkeq 1991, kur pushteti popullor u rrëzua me metoda rrugaçësh dhe me mashtrime, u premtua se me shkatërrimin e “diktaturës popullore” do të vendosej një regjim i ri – “diktatura borgjezo-monarkiste e ikanikut Ahmet Zogu” – dhe se shqiptarët e varfër do të hanin “bukë me lugë të arit”!
Unë preferoj ta quaj atë sistem “socialist” e jo “komunist”, sepse Shqipëria nuk ka qenë kurrë komuniste në kuptimin teorik të fjalës. Nuk jam filozof i demokracisë kundërpopullore, por një punëtor i thjeshtë, dhe do të doja që emërtimet të përdoren sipas së vërtetës, e jo si katrahurë. Kritiket e vërtetë të sistemeve e dinë këtë gjë dhe është detyrë e tyre t’ua shpjegojnë spekulantëve që merren me shkrime e analiza politike sipërfaqësore.
Profesori i nderuar paska shkruar plot 40 libra – urime për këtë arritje! Me dëshirë do t’i lexoja. Por uroj që kur shkruan, të merret më shumë me të drejtat dhe të vërtetën, e jo me propagandë, siç duket në titullin “Pasoja të përdhunimit komunist të Shqipërisë”. Vetë titulli duket i ngarkuar me një dozë urrejtjeje. Por urrejtja, në fakt, nuk na ndihmon si popull dhe si shtet.
A ka shpjeguar profesori se “komunizmi” e mori Shqipërinë me mbi 90% analfabetë, pa rrugë, pa spitale, pa kuadro të arsimit, shëndetësisë, bujqësisë e aq më pak të industrisë, dhe nga një vend me 750 mijë banorë e solli më 1990 me mbi 4.2 milionë? Urrejtja patologjike ndaj pushtetit popullor, me ndihmën e “miqve” tanë, çoi në djegien e mbi 500 fabrikave, shkatërrimin e kooperativave, sistemit të ujitjes, ushtrisë etj.
Do të kisha dëshirë gjithashtu të lexoja nëse profesori ka shkruar për qëndrimet e Enver Hoxhës në Konferencën e Paqes në Parsë 1946, apo në Kongresin e 81 Partive Komuniste në Moskë; nëse ka folur për operacionin ushtarak “Shpërthimi”; apo për bandat e Zogut, të cilat me ndihmën e agjenturave të “miqve” ndërkombëtarë hynin me armë nga ajri, deti dhe toka për mbi 10 vite, me rreth 20.000 njerëz, shumica nga organizata “Shqipëria e Lirë”?
Profesor i nderuar, edhe në Kosovën tonë të dashur, një tjetër shkrimtar, Adnan Merovci, po na del me shkrime për “madhin president ikanik” Ibrahim Rugova. Por ky stil i ngritjes së figurave konformiste në hero, ndërsa të tjerët i ulim e i përulim, po e çon kombin tonë drejt një rruge të gabuar. Me një gjuhë e kulturë ndër më të lashtat në botë, po përfundojmë me shkrime e politologji boshe.
Dhe do ta mbyll me një lutje, edhe pse jam ateist:
O Zot, ndihmoji shkrimtarët, intelektualët dhe politologët shqiptarë të vijnë në vete!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 04/10/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk