2. Iso-polifonia shqiptare, Plisi i Odiseut, plisi i shqiptarëve dhe tjetërsimi modern i Helenës së Trojës
Filmi The Odyssey i Christopher Nolanit, i shfaqur në kinema më 17 korrik 2026, është padyshim një nga realizimet më të mëdha kinematografike të viteve të fundit. Por madhështia teknike, kamerat IMAX, peizazhet reale, muzika e fuqishme dhe buxheti kolosal nuk e përjashtojnë filmin nga kritika historike dhe kulturore.
Përkundrazi, sa më i madh të jetë ndikimi i një vepre, aq më e madhe është përgjegjësia e saj. Për miliona njerëz që nuk e kanë lexuar Homerin, filmi nuk mbetet vetëm art: ai shndërrohet në mënyrën kryesore përmes së cilës ata përfytyrojnë Luftën e Trojës, Odiseun, Helenën, Agamemnonin dhe të gjithë botën e Epokës së Bronzit.
Dhe këtu lind problemi themelor: filmi e paraqet këtë botë nën etiketën e përgjithshme “greke”, ndërkohë që vetë Homeri nuk e quan kështu.
2. Homeri nuk flet për një “ushtri greke”
Në poemat homerike, luftëtarët që rrethojnë Trojën quhen kryesisht: Akej – Akhaioí
Danaj – Danaoí, Argë ose Argjivë – Argeîoi
Këto janë emërtimet që Homeri përdor për koalicionin e udhëhequr nga Agamemnoni. Fjala “helenë” nuk shërben tek ai si emër i përgjithshëm për të gjithë luftëtarët e Trojës. Ajo lidhet në mënyrë të kufizuar me njerëzit e Akilit nga Ftia dhe me një territor të caktuar të quajtur Helladë.
Këtë dallim e kishte vënë në dukje qartë edhe Tukididi në shekullin V para erës sonë. Ai shkruante se Homeri, megjithëse jetoi shumë kohë pas Luftës së Trojës, nuk i quajti të gjithë pjesëmarrësit “helenë”, por përdori emrat danaj, argë dhe akej. Sipas Tukididit, emri “helenë” nuk ishte bërë ende një emërtim i përbashkët për të gjitha këto popullsi.
Prandaj, kur filmi dhe industria që e shoqëron flasin për “ushtrinë greke”, “heronjtë grekë” dhe “mbretërit grekë”, ato përdorin një konvencion modern, jo terminologjinë e burimit homerik.
Kjo është më shumë sesa një çështje fjalësh. Emërtimi përcakton mënyrën se si publiku e kupton pronësinë e së kaluarës. Kur Akejtë, Danajtë dhe Argët quhen pa dallim “grekë”, një botë shumëfisnore e Epokës së Bronzit vendoset nën emrin e një identiteti që u përgjithësua në periudha më të vona.
3. Gjuha mikene nuk është e njëjta gjë me kombin modern Grek
Duhet ruajtur një ekuilibër shkencor. Pllakat e shkruara në Linear B dëshmojnë se në qendrat pallatore të Mikenës, Pilosit, Tirintit, Tebës dhe Knosit përdorej një formë e hershme e gjuhës pallatore administrative rrokjore nga kane dalë disa elemente te helenishtes arkaike që e barazojnë dhe e quajnë padrejtsisht si greqishtja mikene.
Por ekzistenca e një gjuhe të dokumentuar nuk provon ekzistencën e një kombi modern, të centralizuar dhe me vetëdije kombëtare të njëjtë me atë të shekujve XIX-XXI.
Bota mikene përbëhej nga mbretëri pallatore, dinasti, bashkësi fisnore, qytete dhe identitete vendore.
Ajo nuk ishte një shtet kombëtar i quajtur “Greqi”. Madje, pllakat e Linearit B janë kryesisht dokumente administrative: lista pronash, drithi, kafshësh, zejtarësh, detyrimesh dhe ofertash fetare.
Ato nuk përmbajnë ndonjë rrëfim për Luftën e Trojës dhe nuk e quajnë koalicionin e Agamemnonit “komb grek”.
Prandaj duhet bërë dallimi: Mund të flasim për një botë mikene, por nuk duhet ta barazojmë mekanikisht me identitetin kombëtar të Greqisë moderne.
Pikërisht këtë kufi e kapërcen shpesh kinemaja: nga prania e gjuhës kalon drejtpërdrejt te pronësia kombëtare, sikur ndërmjet Epokës së Bronzit dhe shtetit modern të mos kishin kaluar më shumë se tre mijë vjet ndryshimesh, përzierjesh dhe rindërtimesh identitare.
3. Pellazgët nuk mungojnë nga bota e Homerit
Bota homerike nuk përbëhet vetëm nga Akejtë. Homeri përmend trojanë, dardanë, lelegë, likianë, kretas, kidonë, dorë dhe pellazgë.
Në Odisenë, kur përshkruhet Kreta, thuhet se në të jetonin popullsi me gjuhë të ndryshme: akej, kretas autoktonë, kidonë, dorë dhe “pellazgë fisnikë”.
Por përmendja e pellazgëve provon diçka tjetër shumë të rëndësishme: bota që ruajti Homeri nuk ishte një hapësirë etnikisht e njëtrajtshme dhe nuk mund të reduktohet në një identitet të vetëm kombëtar modern grek.
Pra, alternativa ndaj monopolizimit grek nuk është që çdo hero të shpallet pa prova shqiptar ose pellazg. Alternativa shkencore është që secili popull dhe secili personazh të emërtohet me termat që përdorin burimet.
4. Helena e Trojës dhe realizmi përzgjedhës i filmit
Në filmin e Nolanit, aktorja Lupita Nyong’o interpreton dy motrat: Helenën e Trojës dhe Klitemnestrën. Kjo është konfirmuar në paraqitjen zyrtare të personazheve të filmit.[6] Nyong’o është një aktore dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për polemikat që lidhen me zgjedhjen e rastit. Përgjegjësia artistike i përket regjisorit dhe konceptit të filmit.
Helena nuk është një person historik. Ajo është një figurë mitologjike dhe letrare. Për këtë arsye, një regjisor ka të drejtë ta riinterpretojë, ashtu si në teatër personazhet mund të interpretohen nga aktorë të çdo prejardhjeje. Por një gjë është teatri simbolik ose kastimi i pavarur nga etnia, dhe tjetër gjë është pretendimi se po rindërtohet në mënyrë realiste një botë e Epokës së Bronzit.
Në Iliadën 3.121, Helena quhet λευκώλενος – leukōlenos, “krahëbardhë” ose “me krahë të bardhë”. Ky është një epitet poetik dhe formulor; nuk është analizë gjenetike dhe nuk duhet përdorur si provë biologjike absolute. Megjithatë, ai tregon drejtimin estetik të përfytyrimit homerik të bukurisë femërore.
Po kështu, tradita letrare e vendos Helenën në një familje të përcaktuar: ajo është e lidhur me Ledën, Klitemnestrën dhe vëllezërit Dioskurë – Kastorin dhe Polideukun, të njohur edhe si Poluksi.
Nëse një film ndryshon rrënjësisht pamjen tradicionale të një figure, ai ka të drejtë ta bëjë këtë. Por duhet ta paraqesë veten si riinterpretim bashkëkohor, jo si rindërtim besnik i botës homerike.
Këtu shfaqet kontradikta e Nolanit: kërkohet realizëm te anijet, metalet, armët, deti, zjarri, fyelli, lira dhe peizazhi, por braktiset koherenca e traditës letrare dhe ikonografike kur kjo nuk përputhet me zgjedhjet e sotme ideologjike.
Ky është realizëm përzgjedhës. Kur na leverdis, kërkojmë autenticitetin e Epokës së Bronzit. Kur nuk na leverdis, shpallim se gjithçka është vetëm mit dhe liri artistike.
5. Helena, Parisi dhe vëllezërit Dioskurë në artefakte
Një pasqyrë etruske e lashtë, e ruajtur në Muzeun Thorvaldsen, paraqet një skenë ku Helena dhe Parisi shfaqen së bashku me Dioskurët, Kastorin dhe Polideukun.
Ky artefakt nuk është fotografi e Helenës historike dhe as nuk vjen drejtpërdrejt nga Epoka e Bronzit. Ai është një paraqitje artistike e mëvonshme e mitit. Por ka vlerë sepse dëshmon mënyrën se si bota antike i konceptonte lidhjet familjare dhe ikonografinë e këtyre figurave.
Ajo që është e dokumentuar: Helena paraqitet brenda të njëjtit kompleks familjar dhe simbolik me dy vëllezërit që njihen nga kapelat e tyre karakteristike konike.
6. Plisi i Odiseut dhe i Dioskurëve
Një element që filmi mund ta kishte përdorur më besnikërisht është plisi, kapela prej leshi, shajaku, gëzofi ose lëkure, zakonisht me formë të rrumbullakët ose konike.
Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Athinës shpjegon se pílosi përdorej në lashtësi nga barinjtë, bujqit, peshkatarët, detarët, gjuetarët, udhëtarët dhe zejtarët. I njëjti institucion thekson se pílosi u bë një element dallues në ikonografinë e Odiseut dhe Dioskurëve.
Këtë e vërtetojnë edhe artefaktet. Një krater me figura të kuqe, i prodhuar në Lukaninë rreth viteve 390-380 para erës sonë dhe i ruajtur në British Museum, paraqet Odiseun dhe Diomedin duke zënë Dolonin. Përshkrimi muzeor e identifikon qartë Odiseun si figurën mjekrosh që mban në kokë pílosin-Plisin
Kapela nuk është një hollësi e rastësishme. Në artin antik ajo u bë një nga shenjat përmes të cilave shikuesi e njihte menjëherë Odiseun: udhëtarin, detarin, njeriun e dredhive dhe heroin që kalon ndërmjet qytetërimit dhe botës së egër.
Edhe Dioskurët paraqiten tradicionalisht me kapela të rrumbullakëta ose konike të tipit plis (pílos). Në disa interpretime mitologjike, dy kapelat lidhen simbolikisht me dy gjysmat e vezës nga e cila lindën personazhet e familjes së Ledës. Këtë plis e ka mbajtue dhe Akili dhe shumë heroj te tjerë
Odiseu dhe vëllezërit e Helenës, Kastori dhe Polideuku, lidhen qartë në ikonografinë antike me Plisin (pílosin) dhe në shumë raste paraqitet dhe Akili.
7. Nga pílosi i lashtë te plisi shqiptar
Shqiptarët vazhdojnë të ruajnë në veshjen e tyre tradicionale një kapelë të bardhë prej leshi të ngjeshur, të njohur si plis ose qeleshe.
Forma e saj ndryshon sipas krahinave. Në disa zona është gjysmësferike; në disa të tjera më e lartë, konike ose me majë të prerë. Ajo punohet me lesh të ngjeshur dhe ka qenë një nga shenjat më të dallueshme të veshjes tradicionale shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare.
Edhe afërsia gjuhësore ndërmjet termave pílos dhe plis është diskutuar nga etimologët. Vladimir Orel e vendos fjalën shqipe “plis”, në kuptimin e shajakut ose leshit të ngjeshur, në një familje krahasimesh indoeuropiane ku përfshihet edhe greqishtja e vjetër pílos.
Pra, ngjashmëria duhet të shpërfillet. Vazhdimësia e një forme të kulturës materiale është një e dhënë historike dhe etnologjike me vlerë. Kur një lloj kapeleje prej leshi të ngjeshur paraqitet në ikonografinë antike të Ballkanit dhe Mesdheut, ndërsa një formë e afërt vazhdon të mbahet në mënyrë të gjallë nga shqiptarët, kjo meriton studim, krahasim dhe paraqitje serioze.
Plisi provon se shqiptarët kanë ruajtur një element të lashtë të kulturës materiale Pellasge-ilirike-ballkanike që në shumë vende të tjera është zhdukur ose ka mbetur vetëm në gur, bronz dhe qeramikë.
8. Artefaktet janë të mëvonshme, por kujtesa e tyre ka rëndësi
Shumica e artefakteve ku Odiseu dhe Dioskurët paraqiten me plis, nuk i përkasin drejtpërdrejt Epokës së Bronzit. Ato janë prodhuar në periudhën arkaike, pellasge dhe me pas klasike helene ose në mjedise etruske e italike.
Por këto vepra dëshmojnë kujtesën ikonografike të antikitetit. Ato tregojnë se si njerëzit e lashtësisë i përfytyronin heronjtë homerikë dhe cilat shenja përdornin për t’i identifikuar.
Një film që pretendon se ka kërkuar me kujdes armët, veshjet, anijet dhe tingujt e botës së lashtë nuk duhet ta shpërfillë këtë traditë vetëm sepse nuk përputhet me estetikën moderne.
Nuk mund të rindërtohet çdo gozhdë e anijes, ndërsa të lihet në harresë mbulesa që arti antik ia vendosi vazhdimisht vetë Odiseut.
9. Iso-polifonia shqiptare: zëri që i dha shpirt botës homerike
Paradoksi më i madh i filmit gjendet në muzikë. Kompozitori Ludwig Göransson udhëtoi në Shqipërinë e Jugut për të regjistruar iso-polifoninë shqiptare dhe fyellet e barinjve. Ai deklaroi se iso-polifonia ishte një mënyrë e lashtë këndimi që nuk e kishte dëgjuar më parë në një film. Në Shqipëri regjistroi edhe fyellet e barinjve, duke kërkuar një tingull që të lidhej me natyrën, erën dhe materialitetin e botës së Epokës së Bronzit.
UNESCO-ja e njeh zyrtarisht këtë traditë si “Albanian folk iso-polyphony” – iso-polifoni popullore shqiptare. Ajo ndërtohet mbi ndërthurjen e zërave solistikë me ison e mbajtur nga grupi dhe ruhet veçanërisht në traditat e toskëve dhe labëve të Shqipërisë së Jugut.
Ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm për kulturën shqiptare. Por njëkohësisht lind një pyetje e pashmangshme: Përse, kur duhej të gjente zërin më arkaik të botës homerike, Hollivudi shkoi në Shqipërinë e Jugut, ndërsa kur duhej t’i vendoste emrin asaj bote, e quajti atë vetëm “greke”?
Filmi mori nga Shqipëria: ison, vajtimin, frymën e fyellit, zërin e barinjve dhe ndjesinë e lashtësisë. Por nuk u ndal të shihte se bariu shqiptar, krahas fyellit, ka ruajtur mbi kokë edhe plisin – një mbulesë e së njëjtës familje materiale me pílosin që arti antik ia vendosi Odiseut Helenes Dioskurëve, Akilit etj.
10. Një përvetësim kulturor me apo pa dashje?!
Nuk ka prova se Nolan ose Göransson kanë synuar të përvetësojnë kulturën shqiptare apo të mbështesin ndonjë tezë nacionaliste greke.
Por një vepër mund të prodhojë pasoja kulturore edhe përtej qëllimit të autorëve të saj. Kur publiku dëgjon iso-polifoninë shqiptare brenda një bote që i paraqitet vetëm si “Greqia e lashtë”, ekziston rreziku që vetë ky tingull të perceptohet si rindërtim i muzikës së lashtë greke. Origjina shqiptare mund të mbetet në shënimet e kompozitorit, ndërsa në kujtesën e miliona shikuesve gjithçka bashkohet nën etiketën “greke”.
Kështu krijohet një mekanizëm i heshtur: materiali kulturor merret nga shqiptarët; atmosfera i shërben filmit; ndërsa kapitali simbolik i kalon një narrative tjetër kombëtare.
Kjo është arsyeja pse origjina e iso-polifonisë duhet përmendur qartë sa herë diskutohet kolona zanore e filmit.
11. Çfarë mund të kishte bërë filmi?
Filmi nuk ishte i detyruar të mbështeste ndonjë tezë shqiptare ose pellazgjike. Por mund të kishte shmangur disa thjeshtime. Mund ta kishte paraqitur botën e Odiseut si: botë homerike; botë akease; botë mikene; ose botë e Epokës së Bronzit në Egje.
Mund të kishte shpjeguar se “grekë” është një emërtim konvencional modern.
Mund të kishte përdorur pílosin si atribut të dokumentuar të Odiseut. Mund të kishte njohur më dukshëm burimin shqiptar të iso-polifonisë dhe fyellit.
Mund ta kishte paraqitur Helenën si një riinterpretim të vetëdijshëm modern, pa krijuar përshtypjen se po ofronte një rindërtim historik të pamjes së saj.
Dhe mbi të gjitha, mund të kishte respektuar shumëllojshmërinë e emrave dhe popullsive që vetë Homeri ruajti.
12. Nuk kritikohet aktorja, por standardi i dyfishtë
Kritika ndaj paraqitjes së Helenës nuk duhet të shndërrohet në sulm kundër Lupita Nyong’o-s dhe as kundër njerëzve me ngjyrë.
Çështja është tjetër: Përse një produksion që kërkon autenticitet të jashtëzakonshëm material i lejon vetes një shkëputje kaq të madhe nga tradita letrare dhe ikonografike e personazhit?
Një Helenë e interpretuar nga Nyong’o mund të funksionojë në një vepër simbolike, teatrale ose të shpallur hapur si rishkrim modern.
Por kur filmi ndërton autoritetin e tij mbi realizmin, vendndodhjet reale, materialet autentike, instrumentet e lashta dhe rindërtimin monumental, publiku ka të drejtë të kërkojë koherencë.
Liria artistike është e ligjshme. Por liria artistike nuk duhet të paraqitet si e vërtetë historike, që tentohet nepermjet filmit.
PRA, FILMI MORI ZËRIN E SHQIPËRISË, POR NUK E PA PLISIN E SAJ DHE NGJARJA U TRAJTUA SI GREKE
“The Odyssey” është një film i fuqishëm, por ai nuk duhet marrë si gjykata përfundimtare e historisë.
Ai e quan “greke” një botë që Homeri e emërtoi kryesisht akease, danaje dhe argjive. Ai përdor një identitet të përgjithësuar më vonë për të përshkruar një realitet shumë më të hershëm dhe më të larmishëm.
Ai e ndryshon pamjen tradicionale të Helenës, por ruan pretendimin për realizëm material.
Ai kërkon në Shqipërinë e Jugut zërin arkaik që i nevojitet për të ringjallur botën e Odiseut, por nuk e shpjegon sa duhet se ky zë është pjesë e trashëgimisë së gjallë shqiptare.
Ai dëgjon fyellin e bariut shqiptar, por nuk sheh plisin mbi kokën e tij.
Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi më i madh:
Për t’i dhënë shpirt botës homerike, Hollivudi mori zërin e Shqipërisë; por për t’i dhënë emër asaj bote, ia dorëzoi të gjithën një identiteti kombëtar të formuar shumë më vonë.
Plisi nuk është pasaportë etnike dhe iso-polifonia nuk është një analizë ADN-je. Por ato janë dëshmi të gjalla se trashëgimia kulturore e Ballkanit nuk mund të mbyllet brenda kufijve dhe pretendimeve ekskluzive të një shteti modern.
Odiseu duhet të quhet me emrin që i dha Homeri: mbreti i Itakës dhe prijësi ake.
Helena duhet të lexohet brenda traditës homerike, jo vetëm përmes ideologjive të Hollivudit.
Iso-polifonia duhet të njihet qartë si shqiptare dhe në film duke ua berë të qartë shikuesve të botës që nuk e njohin historinë
Dhe plisi, që nga pílosi i artefakteve deri te kokat e shqiptarëve të sotëm, duhet të studiohet, të ruhet dhe të paraqitet – jo të lihet në heshtje.
Historia nuk mbrohet duke zëvendësuar një nacionalizëm me një tjetër. Historia mbrohet duke mos ua ndryshuar emrin burimeve, duke mos ua fshehur origjinën traditave dhe duke mos e shitur interpretimin artistik si të vërtetë historike.
FUSNOTA / Biblografia
_____________________
[1] Universal Pictures, “The Odyssey,” faqja zyrtare e filmit, shfaqur në kinema më 17 korrik 2026.
[2] Homer, Iliad, 2.684–685; shih gjithashtu përdorimin e emërtimeve Achaeans, Danaans dhe Argives në tekstin homerik. Homer, Iliad, Scaife Viewer, Perseus Digital Library.
[3] Thucydides, History of the Peloponnesian War, 1.3.3. Tukididi vëren se Homeri nuk i quante të gjithë luftëtarët helenë, por danaj, argë dhe akej.
[4] John Chadwick, The Mycenaean World (Cambridge: Cambridge University Press, 1976); Michael Ventris and John Chadwick, Documents in Mycenaean Greek, 2nd ed. (Cambridge: Cambridge University Press, 1973). Shkrimi Linear B dokumenton formën më të hershme të njohur të greqishtes.
[5] Homer, Odyssey, 19.172–177. Pasazhi përmend në Kretë akejtë, kretasit autoktonë, kidonët, dorët dhe pellazgët.
[6] Lindsey Bahr, “Who Is Telemachus, Again? Circe? A Guide to the Characters of Christopher Nolan’s ‘The Odyssey,’” Associated Press, korrik 2026. Nyong’o interpreton Helenën dhe Klitemnestrën.
[7] Homer, Iliad, 3.121. Termi leukōlenos përkthehet “white-armed” — “krahëbardhë”.
[8] Thorvaldsen Museum, “Mirror with Paris, Helen, and the Dioscuri Castor and Pollux,” nr. H2162, katalogu i koleksionit.
[9] Alexandra Chatzipanagiotou, “When the Temperature Drops…,” National Archaeological Museum, Athens, nëntor 2017. Muzeu e përcakton pílosin si element dallues të ikonografisë së Odiseut dhe Dioskurëve.
[10] British Museum, “Red-Figured Calyx-Krater: Dolon Surprised by Odysseus and Diomedes,” nr. 1846,0925.3, rreth 390–380 p.e.s. Përshkrimi identifikon Odiseun me pílos.
[11] Andromaqi Gjergji, Albanian Costumes Through the Centuries: Origin, Types, Evolution (Tiranë: Academy of Sciences of Albania, Institute of Folk Culture, 2004), veçanërisht 166.
[12] Vladimir E. Orel, Albanian Etymological Dictionary (Leiden: Brill, 1998), zëri “plis”.
[13] Bilge Ebiri, “Christopher Nolan on Making ‘The Odyssey’ Feel Intimate,” New York Magazine/Vulture, 14 korrik 2026. Göransson përshkruan regjistrimin e iso-polifonisë dhe fyellit të barinjve në Shqipërinë e Jugut.
[14] UNESCO, “Albanian Folk Iso-Polyphony,” Representative List of the Intangible Cultural Heritage of Humanity.
#Odisea #Homeri #Odiseu #Helena eTrojës #Akejtë #Danajtë #Pellazgët #PlisiShqiptar #Iso -Polifonia Shqiptare #Historia nuk monopolizohet


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
