Në mbrojtje të vlerave të UÇK-së dhe të së vërtetës kombëtare
Sot, si një ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndjej obligimin moral që të flas jo vetëm në emër të brezit tim, por në emër të të gjithë atyre që dhanë jetën, dinjitetin dhe familjet për lirinë që sot e gëzojmë.
Në zemër të kësaj historie qëndron një figurë që nuk ka nevojë për përshkrim:
Komandanti legjendar Adem Jashari, i cili, bashkë me familjen e tij, vendosi themelet e lirisë sonë me gjakun e derdhur në Prekaz. Ai është vula e pastër e luftës sonë – simbol i qëndresës, i sakrificës dhe i vendosmërisë shqiptare.
Sot, kur përpiqen të njollosin luftën tonë të drejtë përmes konstrukteve politike si Gjykata Speciale etj., duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk akuzohen vetëm çlirimtarët – vihet në shënjestër vetë e drejta jonë për liri.
UÇK-ja nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë objekt turpi. Ajo është emblemë krenarie. Është flamuri i gjakut të dëshmorëve. Është zëri i një populli që nuk kishte zgjidhje tjetër, përveçse të luftonte për ekzistencë.
Në këtë rrugëtim të lavdishëm për liri dhe bashkim kombëtar, përveç Adem Jasharit, ne nderojmë të gjithë ata patriotë të pastër që, pa interes personal e me ndërgjegje të qetë, i qëndruan besnik këtij ideali.
Respekt për ata liderë politikë që e mbështetën lirinë, nuk e tregtuan atë dhe nuk heshtën për përfitime personale. Ne nuk luftuam për një shtet që përkulet përballë padrejtësive, por për një Kosovë të lirë, sovrane, dinjitoze dhe me kujtesë të gjallë historike.
Prandaj, kjo është thirrja ime sot:
• Mos lejoni që UÇK-ja të barazohet me forcat e agresionit serb.
• Mos lejoni që figurat e shenjta të kombit të fshihen apo të relativizohen.
• Mos lejoni që fëmijët tanë të mësojnë një histori të rrejshme, ku çlirimtarët paraqiten si kriminelë, e agresori si viktimë.
Ne e dimë mirë kush ishte armiku dhe kush ishin mbrojtësit e këtij populli.
Historia nuk fillon në Hagë e as nuk përfundon në dosje politike – ajo jeton në Prekaz, në Koshare, në Gllogjan, në Llapushnik, në çdo varr dëshmori dhe në çdo nënë që dha djalin për Kosovën.
Liria nuk ishte dhuratë – ishte çmim i përgjakur. Dhe këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë.
🇽🇰 Lavdi Komandantit Legjendar Adem Jashari!
🇦🇱 Lavdi të gjithë dëshmorëve që dhanë gjithçka për këtë tokë!
Kush hesht, tradhton!
Me respekt dhe ndërgjegje të pastër,
Veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
