OPOJANI ISLAM KRYEZIU, DOKTORI MË I RI I SHKENCAVE!

19
Jan
2025
Shkruan: Demir Reshiti


Bashkëvendësi im Islam (Myriman) Kryeziu nga fshati Brezne, është doktori më i ri i shkencave nga Opoja. Gradën Doktor Shkence i Mjekësisë, dr. Islami e ka arritur në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit “Hasan Prishtina” të Prishtinës.
Islami më 16 Janar 2025 ka mbrojtur me sukses të lartë punimin e Disertacionit me titull: “Roli i kuercetinës në parandalimin e efekteve të dëmshme të hiperoksisë në rrugët e ajrit dhe mushkëritë e minjve neonatal”.
Mentor i doktoratës ka qenë prof. asoc. Ramadan Sopi; kryetar i komisionit prof. asoc. Burim Neziri, ndërsa anëtarë të komisionit: prof. Kemajl Bislimi, dhe prof. asoc. Leart Berdica nga Universiteti i Mjekësisë Tiranë. Mbrojtja e Disertacionit ishte publike!
Dr. Islam Kryeziu, u lind më 22 prill 1976 në fshatin Brezne të komunës së Sharrit. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa të mesmen, gjimnazin matematiko natyror në gjimnazin “Ruzhdi Berisha” në Dragash.
Në vitin akademik 1994/95, regjistroi studimet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme. Studimet i përfundoi në dhjetor të vitit 2003 me sukses të shkëlqyer. Nga qershori i vitit 2004 deri në vitin 2010 punoi si mjek i përgjithshëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, ku është vlerësuar me Mirënjohjen Punëtor i dalluar.
Specializimin nga fusha e Patologjisë e kreu në vitin 2015. Në këtë periudhë derisa ishte në specializim regjistroi studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës. Në muajin prill të vitit 2016 punësohet si specialist në Institutin e Anatomisë Patologjike në Prishtinë. Kurse në vitin 2017 punësohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore si histopatolog mjeko-ligjor. Në vitet akademike 2019/20, 2020/21, 2021/22, 2022/23 angazhohet në Kolegjin e Shkencave Mjekësore “Rezonanca” si asistent i lëndës së Patologjisë dhe që nga viti akademik 2023/24 është emëruar Ligjërues i lëndës Patologji Speciale për programin e Stomatologjisë. Kurse aktualisht është në përfundim të specializimit të dytë nga Ministria e Shëndetësisë, Mjekësi Ligjore.
Është i certifikuar Ekspert Gjyqësor në fushën e Patologjisë / Histopatologjisë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Gjatë periudhës 20 vjeçare si klinicist dhe së fundmi në atë akademike ka ndjekur disa trajnime/ kurse intensive si: Kurs intensiv i patologjisë Urogjenitale dhe Gastrointestinale, në Agria, Greqi; si fellowship nga fondacioni amerikano-austriak AAF, Salzburg Austri; Shkolla Europiane për Onkologji, visiting professorship, Patologjia e Gjirit, Tiranë; Ndërsa një pjesë të rezultateve nga puna eksperimentale e doktoratës i ka prezantuar në konfrencen internacioanele, Experimental Biology (EB) 22-26 Apr 2017, Chicago, IL, USA.
Dr. Islami është anëtar i Shoqatës Evropiane të Patologëve (ESP), Asociacionit të Patologjisë Digjitale (DPA), si dhe i Shoqatës Mjeko-Ligjore e Kosovës.
Aktualisht ka pozitë udhëheqëse në Laboratorin e Histopatologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Ka të publikuara disa punime shkencore si autor i parë dhe bashkautor. Gjithashtu ka marrë pjesë në shumë simpoziume, konferenca dhe kongrese në vend dhe jashtë vendit. Është i martuar, ka dy fëmijë dhe jeton në Prishtinë.
Dr. Islami na tha se këtë të arritur shkencore ia dedikon babait të tij të ndjerë Myrimanit, i cili ka bërë shumë sakrifica e kaluar një jetë të tërë në kurbet për t’i shkolluar pesë fëmijët e tij (dy djem e tri vajza) dhe për t’ua siguruar një jetë të mirë e të begatë familjes.Urime dr. Islam,Shëndet e suksese!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 19/01/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk