OPOZITA QË MBAHET PENG NGA ISH LIDERËT DHE KOMANDANTËT ZHVATËS, NUK FITON MË ZGJEDHJE

05
Apr
2026
Shkruan: : Lirim Gashi
OVL po përpiqet t’ia hajë kokën Albin Kurtit – me dhëmbët që ia kanë huazuar ish-komandantët më të pandershëm të luftës.
Po përpiqet t’ia kafshojë kokën më dhëmbët e komandantëve më të pandershëm, të cilët gjatë luftës u pasuruan përmes plaçkitjes së fondeve të luftës ndërsa pas përfundimit të luftës u shndërruan në milionerë dhe miliarderë përmes abuzimit me buxhetin e shtetit, përmes përvetësimit të fondeve për rindërtimin e infrastrukturës, përmes manipulimit të tenderëve, përmes privatizimit dhe përvetësimit të sektorëve më të rëndësishëm të doganave dhe sidomos përmes privatizimit mafioz të ndërmarrjeve shtetërore.
Janë po të njëjtët komandantë që e kanë kthyer në normë juridike pandëshkueshmërinë e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe pandëshkueshmërinë e vrasjeve politike dhe të “vetëvrasjeve të detyruara”, duke e kapur plotësisht prokurorinë dhe gjyqësorin.
Janë po të njëjtët komandantë që në negociatat e Brukselit kanë nënshkruar marrëveshje fatale me përfaqësuesit e politikës gjenocidale serbe – marrëveshje që i kanë dhënë Serbisë kontroll apo ndikim të paprecedentë mbi veriun e Kosovës.
Janë po të njëjtët komandantë që, në bashkëpunim me strukturat kriminale dhe terroriste të “Listës Serbe”, e kanë shndërruar veriun e Kosovës në një parajsë të krimit të organizuar, të korrupsionit, të trafikimit të armëve, të prostitucionit.
Janë po të njëjtët komandantë që e kanë kthyer veriun në një plantacion dhe laborator për mbjelljen dhe përpunimin e narkotikëve, si dhe në një fabrikë për prodhimin e kriptovalutave.
Janë po të njëjtët komandantë që e kanë shndërruar veriun e Kosovës në një “Kazablankë” të shërbimeve sekrete armiqësore.
Janë po të njëjtët komandantë që i kanë shndërruar mediat kryesore televizive të Kosovës në zëdhënëse të propagandës hibride serbe.
Dhe në vend që të turpërohen, të pendohen dhe të kërkojnë falje për cinizmin, hipokrizinë, korrupsionin dhe tradhtinë e tyre të paprecedentë, si dhe të reflektojnë dhe ta pyesin vetën : “Pse nuk e gëzojmë më besimin e 70% të shqiptarëve dhe pse nuk e kemi as mbështetjen e familjes Jashari?”, ata shpifin se gjoja Albin Kurti po e financojka urrejtjen e shqiptarëve ndaj tyre.
Në këtë mënyrë, ata po u thonë shqiptarëve se ju mendoni dhe analizoni me “trurin e Albin Kurtit”.
Dhe a ka nënçmim dhe ofendim më të madh për shqiptarët se sa t’u thuash se nuk kanë mendim të vetin për asgjë, vetëm pse po i ndiejnë në lëkurë pasojat e politikës së tyre të keqe dhe të rrezikshme ?
Dhe çfarë po bën OVL?
Në vend që t’i pastrojë listat nga veteranët e rrejshëm dhe t’ua kthejë dinjitetin veteranëve të vërtetë, ajo po proteston kundër ekspozitës së Shkëlzen Gashit, e cila dokumentoi, ndonëse në mënyrë të pasaktë, numrin e viktimave dhe vendndodhjen e krimeve të luftës.
Po proteston edhe pse vetë nuk ka arkivuar dhe dokumentuar kurrë asgjë.
Dhe pse po e bën këtë?
Sepse është e tmerruar nga ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.
Shtrohet pyetja: pse OVL nuk protestoi kur Hashim Thaçi e nënshkroi “Zajednicën”, apo kur Haradin Kuçi e mbylli komisionin për hetimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës?
Pse nuk protestoi kur Hashim Thaçi ushtroi presion të paimagjinueshëm mbi deputetët e Kuvendit të Kosovës për të votuar Gjykatën Speciale, “Demarkacionin” dhe “Zajednicën”?
Pse nuk protestoi kur Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa u morën vesh brenda pak sekondash për ndarjen e përfitimeve nga privatizimi mafioz i doganave dhe nga privatizimi mafioz i kontrollit teknik të automjeteve?
Pse nuk protestoi kur pikërisht këta komandantë i mbushën listat e saj me veteranë të rrejshëm – jo vetëm për përfitime materiale, por edhe për krijimin e një baze të detyrueshme votash ?
Nuk protestoi, sepse edhe vetë është pjesë e së njëjtës lojë të pistë me fatin e popullit dhe të shtetit.
E çfarë po bëjnë partitë opozitare?
Në vend që të shkëputen nga një trashëgimi kaq e dëmshme politike që ua kanë lënë pas këta komandantë zhvatës dhe mashtrues, të cilët njëkohësisht janë edhe ish-udhëheqës të strukturave të tyre kriminale dhe hajdute, ato vazhdojnë të mbeten peng i tyre.
Prandaj, kur flasin për reforma, në përpjekje për ta mashtruar popullin sikur kinse kanë kuptuar dhe kanë mësuar diçka nga gabimet e tyre, mua më rrotullohet stomaku nga neveria dhe më vjen të vjell, sikur të kisha ngrënë ushqim të helmuar.
Njeriu, nëse nuk udhëhiqet nga arsyeja, por nga pasionet, bëhet rob i atyre forcave që vetë nuk i kupton. Kështu edhe një republikë, kur nuk ndërtohet mbi virtytin dhe mendjen e lirë, por mbi interesat dhe frikërat, shndërrohet në një trup që vepron kundër vetvetes.
Ajo që unë e shoh sot si përpjekje për t’ia “kafshuar kokën” Albin Kurti, nuk është gjë tjetër veçse shfaqje e pasioneve të paarsyeshme të atyre që janë të robëruar nga lakmia dhe frika.
Sepse ai që ka ndërtuar fuqinë e tij mbi përvetësimin e padrejtë, jeton në ankth të përhershëm nga drejtësia.
Ata që gjatë luftës dhe pas saj e kanë kthyer pasurinë publike në pronë private, nuk veprojnë nga virtyti, por nga një dëshirë e verbër për dominim.
Dhe sipas natyrës së kësaj dëshire, ata përpiqen të ruajnë atë që kanë fituar jo me të drejtë, por me çdo mjet, qoftë edhe duke deformuar të vërtetën dhe duke e nënçmuar arsyen e qytetarëve.
Sepse është natyrë e zakonshme e njeriut të robëruar nga pasionet që të besojë se edhe të tjerët nuk mendojnë me mendjen e tyre, por janë të drejtuar nga dikush tjetër.
Kjo është një formë e injorancës: të mos kuptosh se mendja e lirë është e aftë të gjykojë vetë, kur përballet me përvojën e saj.
Në këtë kuptim, pohimi se qytetarët nuk kanë mendim të pavarur, por vetëm pasqyrojnë mendimin e Albin Kurtit, është një mohim i vetë natyrës njerëzore si qenie racionale.
Po kështu, një shoqëri që nuk ndëshkon padrejtësinë, por e kthen atë në normë, nuk është më e udhëhequr nga ligji, por nga forca.
Dhe aty ku forca e zëvendëson ligjin, shteti pushon së qeni republikë dhe bëhet një bashkësi interesash të frikshme, ku secili ruan veten në kurriz të tjetrit.
Veprimet që synojnë ta fshehin të vërtetën, qoftë edhe përmes kundërshtimit të dokumentimit të krimeve apo mohimit të fakteve, nuk burojnë nga dëshira për drejtësi, por nga frika e ekspozimit.
Sepse e vërteta, në vetvete, nuk ka nevojë për mbrojtje — ajo qëndron; ndërsa gënjeshtra kërkon gjithmonë zhurmë për të mbijetuar.
Pyetjet pse nuk u kundërshtuan marrëveshjet e dëmshme, pse nuk u ndalën padrejtësitë, apo pse nuk u pastruan radhët nga falsiteti, nuk janë thjesht pyetje politike — ato janë pyetje mbi natyrën e virtytit dhe mungesën e tij.
Sepse ai që vepron me virtyt, vepron nga domosdoshmëria e arsyes, jo nga llogaritë e interesit.
Në fund, duhet kuptuar një parim i thjeshtë: një shtet është aq i lirë sa janë të lirë qytetarët e tij nga frika dhe mashtrimi.
Dhe liria nuk qëndron në mungesën e kundërshtarëve, por në fuqinë për të njohur të vërtetën dhe për të vepruar sipas saj.
Prandaj, një republikë që mbetet peng i së kaluarës, nuk është e lidhur nga historia, por nga paaftësia për ta kuptuar atë me arsye.
Dhe vetëm kur arsyeja bëhet udhërrëfyese, pasionet humbasin pushtetin e tyre — si tek individi, ashtu edhe tek shteti.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 05/04/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk