ORGANIZATA ILEGALE “KUSHTRIMI I LIRISË” 1972 RRËFIMET E ELMAZ ADEMIT PËR RAFI HALILIN

15
Jan
2024
Shkruan: Ismet Jonuzi-Krosi

SHPALIME HISTORIKE
BISEDË ME ELMAZ ADEMIN, I DËNUAR POLITIK I VITEVE 70, TË SHEKULLIT XX
Elmaz Ademi, lindi 03.05.1951, në fshatin Porroj. Rrjedh nga një familje të dobët ekonomikisht, por shumë bujare, fisnike e mbi të gjitha kombëtare. Ka të kryer fakultetin filozofik-drejtimi sociologji.
Z. Elmaz! Ju njiheni si njeri, i cili kurrë nuk lëshuat pe, përkatësisht vuajtët burg deri në ditën e fundit e nuk kërkuat lëmoshë, por drejtësi për Shqipërinë Etnike. A janë këto nxitjet që nga rina e hershme, apo prej nga i gjithë ky arsenal kombëtar?
Elmaz Ademi: Ju, gazetarëve, ju interesojnë veçanti të cilat në vete përmbajnë një të fshehtë. Por, sa i përket asaj se prej kur ka filluar kjo bindja ime, mund t’iu them lirisht edhe pse, pas 50 vitesh e kam të freskët bisedën me babain tim të ndjerë, të cilën e kam zhvilluar në moshën 7 apo 8 vite.
Ishin duke shkuar në fushë, babai i hipur në gomar, kurse unë këmbëzbathur shkoja pas atij. Kisha dëgjuar për Titon, dhe nga kureshtja e pyeta babain se kush është Titoja? Ai, pa një pa dy më tha: Ai është njeri i madh me horizontin e njohurisë që kishte atëherë, Titon e parafytyroja atëherë si kolos të madh, dhe mendoja se ai han shumë dhe përsëri e pyeta babin, po mirë, po çka han ai? Babai më tha se ai han vetëm bukë e sheqer. Që nga ai moment kur unë nuk kisha opinga në këmbë e ai jetonte me luksin më të madh të kohës me bukë e sheqer, filloi urrejtja ime fëmijërore ndaj atij dhe klikës së tij. E që nga ai moment, edhe pse kam qenë nxënës i shkollës fillore, asnjëherë nuk kam dalë në pritjen dhe përcjelljen e stafetës që ia bënin njeriut që jetonte me luksin e kohës përkatësisht hante “bukë me sheqer”. Andej, gjeneratat tona, fjalën e kam para dhe pas meje, jemi fëmijë që nuk kemi përjetuar fëmijëri, por skamje ekstreme të socializmit sllavo-komunist. Pra, unë besoj se jam i qartë, dhe se pajtohem me thënien se i mjerë është ai njeri që nuk ka qenë fëmijë në jetën e tij. Kjo është një e vërtetë e hidhur për të gjithë shqiptarët e asaj periudhe kur politika rankoviqiane nuk zgjidhte mjete për t’i shpërngulur shqiptarët për në Anadoll, që edhe tek unë e mbarë popullata e kësaj treve e më gjerë ishte bërë mollë sherri. Pasi mbarova shkollën fillore, thuajse një vit të plot më shkoi duke punuar argat nëpër arat e porrojasve. Me fillimin e vitit të ri shkollor 1966/67, u regjistrova në gjimnazin e Tetovës edhe pse dua të falënderoj profesorin tim të ndjerë Qerim Arifin, i cili më ka lënë mbresa para se të regjistrohem. Pra, duhet të pranoj se dëshpërimi ishte i thellë tek unë ngase prindi kishte filluar t’i shiste arat, për të shkuar në Turqi. E gjithë kjo ndikoi mjaft edhe në suksesin tim në vitin e parë me çka u dëshmua me sukses mjaft të dobët, por këtë e kishte vërejtur kujdestari klasës Eshtref Emini, dhe kërkoi nga unë që t’i tregoj arsyet e dëshpërimeve ngase vërente se unë mund të mësoj e të mos jem nxënës i tillë. Pasi që ia tregova hallin se nuk pranoj e as që dua të shkojmë në Turqi, e ai më tha po sikur të kaloje vitin e parë a do të shkojë në Turqi, e unë ia ktheve me këmbëngulësi se kurrën e kurrës Elamzi nuk e lëshon Porrojin, se më mirë më vjen që të vdes se sa të shkoj diku që as e di e as kam dëgjuar. Ashtu edhe ndodhi edhe pse shumë nga anëtarët e familjes sonë shkuan për të mos u kthyer kurrë më atdhe, ndërsa unë sot e kësaj dite as kam qenë e as që e kam ndërmend, ngase nuk më harrohet kurrë në jetë kur vine mixha im e së bashku me vëllain e tij (babain tim) shkonin bashkë për në gosti e gjetiu, i shikoja se vetëm tek shqiptarët ndodhën ky fenomen ku dy vëllezër të lindur nga një nënë shqiptare të jenë njëri shqiptar e tjetri turk.
Si u njoftove me shokët, të cilët më vonë do t’i kesh bashkudhëtar jete në kalvarin e vuajtjeve e dënimeve politike?
Shkolla e mesme për mua ishte një fushë ku unë fillova t’i zgjeroj jo vetëm njohuritë, por edhe rrjetin e shokëve. Demonstratat e flamurit të vitit 1968, tek unë ngjallën shpresa me elan të madh për të vepruar. Pas këtyre demonstratave, u rrit jo vetëm urrejtja ndaj robëruesve, por në mua u shtua fuqia me të cilën mendoja se do të mund ta luftoja armikun. Pra ishte një fuqi rinore, e cila ishte jo e logjikuar mirë. Por, koha e bëri të veten. Filluam ta kuptojmë se forca mund të ndërpritet vetëm me të njëjtën masë, prandaj u vetëdijesuam dhe filluam t’i kërkojmë bashkë mendimtarët. Në vitin 1972, regjistrova fakultetin ekonomik në Prishtinë. Nuk e kisha hallin për të qenë student, pasi që pasuria e paktë që e kisha shkoi për në Turqi. Asnjë anëtar i familjes nuk ishte në punë. Fakultetin e vazhdova me nga dy ditë punë që i bëja gatë javës. Ishte muaji mars apo prilli i 1972, rastësisht në Prishtinë takoj Rafi Halilin. Gjatë bisedës u kuptuam shumë shpejt. Në atë moment, kisha lexuar librin “Ushtima e Korabit”. Rafiu, e kuptoi dhimbjen time dhe, më ftoi në banesën e tij. Nga ai moment filluan kontaktet tona të përhershme dhe unë kuptova se Rafiu ishte një hap para meje në atë drejtim. Aty, jam njohur edhe me Gafur Lokun dhe përnjëherë kemi filluar ngritjen e celulave. Në këtë banesë kemi marrë vendimet për aksionet e para. Aksioni i parë do të kryehet më 1 Maj 1972, në qendër të Tetovës, ku do të ngrihet Flamuri Kombëtar. Nëse ju intereson se ku është blerë flamuri, megjithëse të gjithë shokët që ishim si; unë, Rafi Halili, Gafur Loku, Rushit Nesimi, Muhamet Saliu dhe Xhavahir Aliu që ishim të të njëjtës katëgori ekonomike. Pra, nuk mund t’ia lenim njërit si barrë për ta blerë flamurin, por vendosëm që tri ditë të mos hamë drekë në mezon e studentëve dhe bonat që i shitëm me paratë e tilla e blejtëm flamurin. Edhe pse e siguruam flamurin nga ana e Rafiut, ne nuk kishim të holla për rrugë që të vinim në Tetovë. Të holla siguruam vetëm për dy shokët për Rafi Halilin dhe Gafur Lokun, kurse unë, Muhameti dhe Xhevahiri shkuam në këmbë nga Prishtina në Fushë Kosovë, ku hipëm në tren për në Han të Elezit. Në han të Elezit zbritëm dhe u nisëm në këmbë për në drejtim të Vratnicës. Më pas nga Vratnica me autobus erdhëm në Tetovë.
Flumurin e venduam atë natë që arritëm në Tetovë, më saktë në ora 12 të natës mu para banesës së një udbashi sllav. Flamurin e venduam, unë, Muhamet Saliu dhe Xhevahir Aliu, kurse Rafiu dhe Gauri bënin roje në qendër të qytetetit. Kur zbritëm poshtë hasëm në patrullën e milicisë, njëri nga milicët e rroku Xhavahirin për krahu, kurse unë dhe Muhameti ia vumë thikën milicit në fytë e ai u dorëzua duke e lëshuar Xhevahir Aliun, në atë moment ia dhamë vrapit, e pasi u larguam afër 50 metra, atëherë milicët filluan të bërtasin me vërejtjet e tyre; “NDAL”, “NDAL SE DO TË GJUAJMË…”. Pasi u krye aksioni, shkuam në vendtakimin, që e kishim caktuar në fushë nën urën e hekurudhës. Pasi u takum të gjithë, u përqafuam me njëri tjetrin dhe u shpërndajtëm nëprë shtëpi. Në ora nëntë të ditës edhe pse nuk kisha fjetur fare, dola në fshat për të kuptuar se mos ka ndonjë lajm për dhe rreth Flamurit Kombëtar. Në fshat nuk takova asnjë njeri. Mora rrugën për në fshatin Xhepçisht, aty takova Qerim Nesimin, i cili më pyeti se kur kam ardhur nga Prishtina. I tregova drejt, por ai me habi më pyeti se a kam dëgjuar diçka se mbrëmë e kanë ngritur flamurin në Tetovë. Unë e pyeta se a e pe ty a të tregoi dikush, e pash vetë flamurin që valëvitej e shumë e shumë fshatarë tu e të mi janë atje. Ndjeva një farë krenarie dhe thash me vete se aksioni është i suksesshëm. Flamuri ka qëndruar nga ora 12 e natës deri në ora 11 e drekës. Në mbrëmje kur e shtruam sofrën për të ngrënë darkë, i them babës; a dëgjova se flamurin e kishin vënë në Tetovë. Ndërsa ai ma ktheu me keqardhjes se gjoja atë flamur e ka vënë ndonjë shka i madh me pretekst që t’i akuzojnë e t’i maltretojnë shqiptarët si në demonstratat e vitit 1968. Edhe pse ai nuk kishte njohuri fare se për një vepër të tillë jam unë me shokë.
Pas këtij aksioni, filluam zgjerimin e rrjetit të celulave. Një celulë u ngrit në Xhepçisht, një me Rushit Nesimin, Ajet Ademin dhe Nasuf Dauti si dhe dy celula në Porroj, por vazhduan aksionet me intensitet më të lartë si shpërndarja e afisheve, kërkonim të na bashkëngjiten bashkëveprimtarë të së njëjtës ideologji.
Po ashtu edhe më 4 korrik 1972, ngritëm flamurin kombëtar, por kësaj here nëpër qytetet shqiptare të Maqedonisë Veri-Perëndimore, që ishte njëri ndër aksionet me të dalluara të organizimit tonë ilegal në organizatën “Kushtrimi i Lirisë”. Duke parë se armiku nuk ka frikë nga fjalët, ne vendosëm që t’i kundërvihemi edhe me forcë. Për këtë arsye u mor vendimi që Organizata të interesohet për mënyrë për mënyrën e organizimit me armë. Gjatë verës së vitit 1972 morë armatim në kabinetin e paraushtarakes në gjimnazin e Tetovës e të tejra.
Si u ranë në gjurmë organet e sigurimit shtetëror?
Organet e sigurimit na ranë gjurmëve tona në fshatin Zhelinë. Rafiu kishte formuar treshin me një farë Ismet Adili. Dhe një ditë e angazhon që t’i shtype ca afishe. Ismet Adili, i merr afishet dhe shkon të shtyp në Zyrë të Vendit,nëpunësi i kësaj zyre menjëherë i njofton organet e sigurimit-milicinë, me çka Ismetin e zënë në atë Zyrë. Me çka edhe ne si organizatë u zbuluam dhe filloi golgota ndaj nesh.
Sa u dënuat ju dhe grupi i organizatës “Kushtrimi i Lirisë”?
U dënuam me sa vijon;
1. Rafi Halili, me 7 vite
2. Gafur Loku, me 5 vite
3. Rushit Nesimi, me 5 vite
4. Elmaz Ademi, dhe 4 vjet dhe
5. Ajet Ademi, me 2,6 muaj.
Edhe pse trupi gjykues dyshonte dhe deklarohej në vendimet që kemi se grupi ynë arrin shifrën 1.500 veta, gjë që realisht nuk ishte e saktë. Se sikur të kishim kaq anëtarë do të bënim që Jugosllavia të gjunjëzohej që në atë kohë.
Unë e vuajta burgimin aq sa edhe mu shqiptua, pra 4 vjet e dy ditë shtesë, edhe të tjerët po të njëjtën ngase ne si grup nuk kërkuam lëmoshë e as që në shkonte ndër mend të bëjmë lutje atyre që na vrisnin e saktosnin neve si shqiptarë në Jugosllavinë e Titos. Gjatë burgut në Idrizovë, u njoha me të burgosur tjerë shqiptarë nga Gjilani, Prishtina, Vitia, Dardana, e gjetiu. Do ta tregoj vetëm një veprim, i cili do të tregojë lidhshmërinë në mes nesh dhe vendosmërinë për të arritur në qëllimin tonë final që ende nuk është duke u realizuar. Më 23 shtator të vitit 1976, e vuajta dënimin politik dhe u ktheva në gjirin familjar në Porroj. Dy javë më pas u nisa për në Prishtinë, sipas marrëveshjes që e bëra me Rexhep Malën në Idrizovë. Atje mora një pako me libra dhe materiale propaganduese. Librat që një numër i konsiderueshëm i tyre ishin të Enver Hoxhës, ku një pjesë të tyre i ruaj si suvenir i një kohe të kaluar në ilegalitet.
Sërish vazhdova me veprimtarinë tonë që ndryshe na thonë se ne jemi si patat në shkretëtirë, po të shohim pak ujë futemi, pra edhe unë me shokë sa na u afrua mundësia më e vogël ne filluam të veprojmë.
Viti i rrezikshëm për ne ka qenë 1982, kur UDB-ja mori vendim që të na zhdukin fizikisht, por Zoti deshi që ne të mbetemi gjallë.
Po ashtu në vitin 1979, gjatë shërbimit ushtarak, u dënova nga një gjykatë civile me 3 muaj burg, me pretekst se isha vonuar për 8 orë ditën e parë. Një arsye mjaft banale, por dihej se ku ishte qëllimi themelor. Ky burg, mund të vërehej edhe në hipotekë me para, të cilën e paguajtën shokët ushtar në Pazariç të Sarajevës.
Po ashtu jam burgosur në vitin 1982, më arrestuan në qytetin e Trebinjës së Bosnjës e Hercegovinës ku punoja si punëtorë krahu, më mbajtën dy javë dhe më lëshuan me qëllim, që ta zbulojnë Rafi Halilin, i cili ishte ilegal. Të bindur se ne kemi kantakte, që realisht edhe kishim, por ata kur nuk mundshin e as që kishte forcë të kuptojnë për kontaktet dhe veprimet tona.
Gjithashtu, u burgosa me 4 muaj me kusht në vitin 2001 në Prishtinë nga KFOR-i, që unë jam thellë i bindur se ishte me urdhër të dikujt që nuk i shkoja për shtati për ngjarjet e luftës. Andej, këtë ia lë kohës që ta dëshmojë se kush kishte të drejtë?
Aktivitet im në Evropën Perëndimore, është mjaft i ngjeshur, ngase atje kam punuar 22 vite, dhe merreni me mend një i burgosur politik se çfarë ka mund të bëj gjatë këtyre dekadave në Zvicër, kur dihet se mërgata shqiptare luajti rolin vendimtar për çlirimin e Kosovës dhe sadopak e ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare në Maqedoni.
Ende jam vital, dhe po ta doje nevoja për komb e atdhe jam gjithmonë i gatshëm të për veprim se amanetet e dëshmorëve nuk më lënë të qetë. Andej, porosia ime drejtuar opinionit shqiptar e më gjerë është amaneti i Abdyl Frashërit në Lidhjen e Prizrenit se, se pa zgjedhjen e drejtë të çështjes shqiptare nuk ka qetësi as Ballkani e as Evropa.
Bisedë me Elmaz Ademin, i dënuar politik i viteve 70, të shekullit XX.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/01/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk