PA HOXHË APO PA FLAMUR!

31
Aug
2026
Nga: Nexhat Abdiu

E lexova ngjarjen në Llacë të Tetovës dhe, sinqerisht, nuk di çfarë të them më parë: të zemërohem, të trishtohem apo të turpërohem!
Një nënë, nëna e një luftëtari të UÇK-së, një grua që kishte ndihmuar gjatë luftës, përcillet për në banesën e fundit. Familja kërkon vetëm një gjë: të varroset me flamurin kombëtar mbi arkivol.
Dhe për këtë arsye hoxhallarët largohen nga ceremonia!
Atëherë unë pyes:
Çfarë është bërë flamuri shqiptar që të qenka i papranueshëm edhe mbi arkivolin e një nëne shqiptare?
Flamuri nuk është zot.
Flamuri nuk adhurohet.
Flamuri nuk zë vendin e Allahut.
Flamuri është simboli i një populli.
Dhe nderimi i flamurit nuk është adhurim fetar. Është respekt për identitetin, historinë, sakrificën dhe dinjitetin e një kombi.
Unë nuk kam asgjë kundër fesë. Përkundrazi, besimi është çështje e zemrës dhe e ndërgjegjes së çdo njeriu.
Por kam shumë kundër atij mentaliteti që i thotë shqiptarit:
“O fenë, o kombin!”
Jo!
Shqiptari nuk duhet të zgjedhë.
Mund të jesh mysliman dhe shqiptar. Mund të falesh në xhami dhe të duash flamurin tënd. Mund të besosh në Zotin dhe të nderosh dëshmorët e kombit. Këto nuk janë kundërshtime.
Ajo që është e rrezikshme është kur një ideologji fetare bëhet aq e ngurtë, saqë një copë pëlhure mbi arkivolin e një nëne bëhet më e papranueshme se braktisja e vetë familjes në çastin e saj më të dhimbshëm.
Dhe këtu është thelbi:
Nëse një hoxhë nuk mund ta përcjellë një nënë shqiptare për në varr vetëm pse mbi arkivolin e saj është flamuri kombëtar, atëherë familja ka të drejtë të thotë:
“Faleminderit, por nuk kemi nevojë për një hoxhë që na kërkon të heqim flamurin për të na dhënë lamtumirën e fundit.”
Sepse flamuri nuk e pengon njeriun të lutet.
Fanatizmi po!
Dhe mos ta ngatërrojmë fenë me fanatizmin.
Problemi nuk është Islami.
Problemi nuk është shqiptari mysliman.
Problemi është ideologjia që kërkon ta çrrënjosë shqiptarin nga historia dhe identiteti i tij në emër të një interpretimi të ngushtë fetar.
Ne kemi pasur hoxhallarë që kanë qenë patriotë. Kemi pasur dijetarë myslimanë që e kanë dashur Shqipërinë dhe shqiptarin po aq sa kanë dashur fenë.
Prandaj mos na tregoni se patriotizmi dhe Islami janë armiq.
Nuk janë!
Dhe nëse dikush na vendos përpara kësaj zgjedhjeje absurde:
“Hiqe flamurin ose nuk ta varrosim nënën…”
Atëherë përgjigjja ime është e prerë:
MË MIRË PA HOXHË, SESA PA FLAMUR!
Sepse hoxhën mund ta gjesh përsëri.
Nënën nuk e kthen më askush.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

08.20026

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 31/08/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk