Pjesa I
Një komb që nuk nderon bijtë e vet të rënë, është i dënuar të humbasë edhe lirinë që ata fituan me gjak. Në çdo vend të qytetëruar, respekti për të rënët është i shenjtë: në Francë, përkujtohet çdo vit zbarkimi i Normandisë; në Itali, çdo qytet ruan monumentet e të rënëve të Luftës; në SHBA, kujdesi për veteranët është politikë kombëtare. Kujtesa është themeli i identitetit dhe i dinjitetit kombëtar.
Në Shqipëri, fatkeqësisht, shpesh ndodh e kundërta. Varrezat e dëshmorëve shpërfillen, monumentet shkatërrohen, ndërsa përkujtimi i heronjve të kombit shpesh reduktohet në formalitete boshe. Kjo është një fatkeqësi kombëtare.
1). Martirët e Vigut
Më 21 gusht 1944, në fshatin Vig të Mirditës, pesë partizanë të batalionit “Perlat Rexhepi” – Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha dhe Ndoc Deda – u tradhtuan, u rrethuan dhe u vranë në befasi në pritë nga forcat shtetërore të xhandarmerisë dhe me bekimin indirekt apo direkt ( nuk dihet ) të Kapedanit të Mirdites ku morën pjesë (60 forca sipas disa burimeve dhe deri 200 sipas disa burimeve të tjera ) dhe trupat e tyre u hodhën në përrua, në një akt barbar që synonte zhdukjen e kujtimit të tyre nga historia . Ato ishin partizan antifashist e nazista me mision në Mirditë që të ngrinin popullin në luftë kundër pushtuesit Gjermanë që sapo kishte ardhur. Por populli nuk harroi: ata u kthyen në legjendë, në këngë, në frymëzim për brezat e ardhshëm.
Pas Luftës, në Shkodër u ngrit monumenti madhështor i “5 Heronjve të Vigut”, vepër e skulptorit Shaban Hadëri dhe bashkëpunëtorëve të tij, që u bë simbol i sakrificës për liri . Por pas viteve ’90, ky monument u shpërfill, u zhvendos dhe madje u përçudnua, si pasojë e mungesës së vizionit dhe përgjegjësisë politike.
2). Klasa politike me përgjegjësi zero
Klasa politike shqiptare pas vitit 1991 ka treguar një nivel zero përgjegjësie ndaj kujtesës kombëtare. Në vend që të ndërtohen politika shtetërore për ruajtjen e varrezave dhe monumenteve, për edukimin e brezit të ri mbi sakrificën e paraardhësve, institucionet heshtin ose shohin vetëm interesat e momentit.
Në Itali, çdo fshat ka një memorial të rënëve të luftës që ruhet me nderim; në Francë, kujtesa e të rënëve është pjesë e kurrikulës shkollore; në Gjermani, edhe viktimat e Luftës së Dytë Botërore kujtohen me solemnitet. Ndërsa në Shqipëri, monumentet rrënohen, varrezat lihen në harresë dhe përkujtimi i dëshmorëve shpesh shihet si “tepërcë” ideologjike. Ky është një turp kombëtar, por mbi të gjitha një krim moral ndaj historisë.
3). Kujtesa si themel i së ardhmes
Heronjtë nuk kërkojnë asgjë nga ne – vetëm një varr të ruajtur, një monument të respektuar, një lule të vendosur me dashuri. Por nëse nuk arrijmë të ruajmë as kaq, atëherë çfarë të ardhme pret Shqipërinë? Çdo monument i prishur, çdo varrezë e braktisur, është një goditje mbi shpirtin e kombit.
Emrat e pesë Heronjve të Vigut – Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha dhe Ndoc Deda – nuk janë thjesht gurë apo një pllakë e gdhendur: ata së bashku më mijëra të tjerë janë themelet e Shqipërisë së lirë. Të shpërfillësh sakrificën e tyre do të thotë të mohosh të ardhmen e kombit.
Prandaj, është detyra jonë të kërkojmë llogari nga politika, të ngremë zërin për të mbrojtur kujtesën, dhe të nderojmë siç duhet martirët e lirisë. Sepse një popull që nuk respekton gjakun e derdhur për atdheun, është i destinuar të humbasë lirinë.
—


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
