Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
Analisti i njohur, Andi Bushati, para disa ditësh në një emision televiziv, lëshoi deklaratën e ashpër ”Partia Socialiste është një bandë kriminelësh, ndaj duhet nxjerrë jashtë ligjit!”. Deklarata e tij, mendoj se është e saktë, por është gjysmake. Më se pari këtë deklaratë duhej ta bënte për PD, dhe pastaj, të cilësonte edhe simotrën e saj PS-në. Për të parën, PD-në, besoj se janë dakort dy të tretat e shqiptarëve, ndërsa për PS-në, është e vështirë të pranohet, ndonëse tashmë në vitin e 35 të qeverisjes, e ka realizuar edhe ajo “stazhin” e nevojshëm për t’u rreshtuar me PD-në. Le t’i marrim me radhë, duke rikujtuar telegrafisht momentet më kryesore të këtyre dy subjekteve politike, të cilat kanë drejtuar jetën dhe veprimtarinë e shtetit, në plot tri dekada e gjysëm. Partia Demokratike: U themelua brenda ditës në dhjetor 1990, duke marrë një mbiemër, që më tepër se gjysma e anëtarësisë, nuk ia dinte kuptimin. Mjetet e saj të propagandës, dominoheshin nga sharjet, goditjet, djegiet, vjedhjet, shkatërrimet. Të gjitha këto epitete, ajo i zbatoi qysh në vitet e para të qeverisjes, gjer sa arriti në vitin gjëmëmadh të ’97-tës.
Ishte pikërisht ky vit i jashtëzakonshëm, kur PD-ja duhej nxjerrë jashtë ligjit. Por ndodhi e kundërta. PS–ja, që rimori pushtetin, në vend të dënonte shkaktarët e gjëmës së madhe, bëri të kundërtën: I futi një amnisti të përgjithshme, duke falur krimet vëllezërve të saj “demokratë”, me të cilët edhe pati bashkëpunar “nën mutaf”. 12 muaj më vonë PD, me në krye Berishën, realizuan grusht-shtetin e vitit 1998. “Grushti”, pasi la disa viktima, dështoi dhe Berisha pas do kohe përfundoi në rajonin e policisë. Por vetëm për dy apo tri orë, sepse pas një telefonate nga Amerika, Italia dhe Gjermania, doli nga qelia si rrunak. (Për saktësinë e këtij veprimi, pyesni Paskal Milon, i cili në atë kohë ka qenë ministër i jashtëm, dhe ngjarjen e ka treguar në një emision televiziv, në mos gaboi të vitit 2021). Si “shpërblim” për dy gjëmat e para, në vitin 2005 Berishën “e thirri koha” përsëri në qeverisje, qeverisje që pati dy gjëma të reja, por edhe dy “suksese”.
Gjëmat e reja ishin, Gërdeci me bombën “atomike”, dhe 21 janari i “famshëm” 2011, ku me urdhër të Berishës u vranë katër qytetarë, të pafajshëm. Për të dyja këto gjëma, në vend që të dënohej me maksimumin e mundshëm, Berisha u “shpërblye” me dy suksese: Shteti që drejtonte, pasi dogji dhe fishekët e fundit në Gërdec, u pranua në NATO, dhe në vijim u hoqën vizat për qytetarët që donin të dilnin në Europë – dhuratë kjo për popullin, por pse jo, edhe për kryeministrin Berisha. Për të dyja këto gjëma, Berisha doli pa lagur. Kjo ndodhi për dy arsye të “thjeshta”: “Gërdeci lidhej me Pentagonin, dhe me këtë të fundit nuk mund të hahet asnjë shtet e asnjë shtetar. Ndërsa për 21 Janarin, u fut përsëri në skenë, faktori ndërkombëtar. Ish shefi i SHIK-ut të vitit 2011, Fatos Klosi, deklaroi në televizion në vitin 2022 se “Për 21 janarin, ishte ai që ia kishte përcjellë Berishës “mesazhin e ndërkombëtarëve”.
Ky mesazh fliste “për ruajtjen me çdo kusht të stabilitetit”, dhe që të ruhej “stabiliteti” përballë demonstratave të PS-së, kërkohej ta merrte “fjalën” arma. Se, sipas ndërkombëtarëve, stabiliteti prevalon mbi demokracinë! Le të kthehemi tani tek “biografia” 35 vjeçare e Partisë Socialiste: Partisë Socialiste i nisi tersi që ditën e krijimit me 10 qershor të vitit 1991, kur ndërroi emrin, programin, fytyrën . . . Në 31 Mars 1991 ajo quhej ende PPSH dhe me atë sigël mori mbi 70 përqind të votave për zgjedhjet e pushtetit qendror. Në fakt, nuk ishte merita e PS, që nuk ishte krijuar ende, por vepra e Enver Hoxhës. Ramiz Alia, i cili ishte ende në drejtim, që të plotësonte “direktivën” e ndërkombëtarëve, në Qershor të vitit 1991, e çoi PP në kongresin e 10-të. Në fillim, Ramizit, që vështronte nga lozha e sallës dhe drejtimin e Kongresit ua kishte lënë vartësve, gati i doli duarsh situata. Por konvertimi nga PP në Parti Socialiste, i qetësoi delegatët e kongresit. Ata, si shumë të tjerë para dhe pas tyre, madje edhe sot, i barazojnë termat “Socialistë” me “Komunistë.
Kështu, delegatët e PS dhe ata që u interesonte, e pranuan termin socialist, duke e njehsuar taktikisht me sistemin komunist, dhe ju futën punës me sulm përpara. Në vitin 1992 socialistët në pushtet, i përmbysi “vala demokratike” e PD-së së Berishës dhe me 22 mars 1992 ata erdhën në pushtet. Socialistët, edhe me udhëzimin në surdinë të liderëve të saj, hapën rrugë. Le t’i provojmë, nëse dinë apo jo të drejtojnë pushtetin. Në përforcim të kësaj prove, ishte dhe rreziku se, po nuk ua dhamë përkohësisht pushtetin, do të na djegin vendin. . . . Në fund të vitit 1997, vitit të gjëmës së madhe, Socialistët rierdhën përsëri në pushtet, duke qeverisur për dy mandate (1997 – 2005). Por ajo qeverisje ishte mjaft e çalë. Kjo ndodhi sepse PS nuk i dënoi krimet e ’97-tës dhe grusht-shtetin e ‘98-tës. Se kuptohet, nuk mund t’i dënonte: Në gjëmën e ’97-tës, kishin zhytur edhe vetë duart tek “piramidat financiare”, ndërsa për “grusht-shtetin i ndalonte “suuus -i” i ndërkombëtarëve. Periudha 2005 – 2013, ishte periudha më e zezë për socialistët dhe gjithë vendin. Por edhe për demokratët e Saliut, ishte me plot të zeza, që po të egziztonte një opozitë solide, ata nuk do ta kishin mbyllur mandatin e tyre të dytë.
Për daljen nga situata, socialistët menduan të gjenin një lider (kryetar partie), që jo me llafe e me uiski, si puna e Kryetar Fatosit, por me veprim dinamik, të arrinte të “rrëzonte” nga pushteti Berishën. Me sugjerimin e “specialistëve” vendas e ndërkombëtarë, kandidat për këtë detyrë u përzgjodh Edi Rama, i cili pasi kishte “shëtitur” disa vjet anës Senës së Parisit, duke shitur piktura e ikona, thirret në Tiranë për të marrë detyrën e Ministrit të Kulturës. Pak më vonë, atë e votuan dhe e kaluan në karrigen e Kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit, ku duhet thënë se shkëlqeu në shumë drejtime. Nisur nga propozimi final, dhe sukseset që kishte arritur si kryebashkiak, socialistët e futën Ramën në radhët e PS, dhe pas disa muajsh i dorëzuan edhe karrigen e Kryetarit të PS. Këtë e bënë, pa marrë parasysh se kush ishte në të vërtetë Edi Rama; pa e provuar në radhët e thjeshta të anëtarësisë dhe pa ndonjë profesion që ta lidhte me pushtetin, përveç diplomës së piktorit, dhe emërimit në skuadrën kombëtare të Basketbollit. Në emërimin e tij Kryetar i PS dhe pak më vonë edhe Kryeministër i vendit, zotëroi mendimi, se vetëm Rama mund ta rrëzojë Berishën, sepse duke qenë së bashku me të në ditët e krijimit të PD -së, “ai ia di hilet dhe dredhat Berishës”.
Fitorja e PS dhe e Ramës në vitin 2013, kuptohet në aleancë me LSI-në, ngjalli shpresat tek socialistët, se situata do të ndryshojë, dhe shumica e tyre e anuluan rrugën e kurbetit jashtë vendit. Por ecuria e mandatit të parë dhe të dytë e Ramës nuk vijoi sipas premtimeve. Më tepër se gjysma e premtimeve nuk u realizuan. Në mandatin e tretë, socialistët filluan ta kuptojnë hilenë dhe nisën nga zhgënjimi. Sigurisht jo të gjithë socialistët, por ata më të ndershmit dhe parimorët e kuptuan se kishin gabuar që në krye të herës, kur vunë kryetar dhe kryeministër, një neoballist, neolegalist, neomonarkist, dhe pse jo, edhe një neofashist. Megjithatë, një pjesë e socialistëve, pavarësisht veprimeve antisocialiste të Ramës, nuk ju ndanë atij. Kështu, falë këtyre militantëve të vendosur për vdekje, kombinuar edhe me manovrat pushtetare, krijoi mundëzinë marrjes nga Rama edhe të mandatit të katërt, një rekord ky në “demokracinë” e brishtë shqiptare. Duke e lënë mënjanë PD, të cilës tashmë shumica e qytetarëve ia dinë “radiografinë”, le të vijojmë me ata që kanë udhëhequr PS-në dhe shtetin për rreth 22 vite, çka përbëjnë afërsisht dy të tretat e kohës së tranzicionit aktual. Është e vërtetë, se në 14 vjet të sundimit të Berishës, Shqipëria u kthye në “tabanin” e kohës së Zogut.
Por edhe socialistët me në krye Nanon, Majkon, Metën dhe sidomos me Ramën, nuk arritën ta nxirrnin vendin nga gropa e zezë ku e hodhi “demokracia” e eksportuar nga kapitalizmi. Ama, një gjë u arrit: Kryeministri aktual Rama, pas 12 viteve të qeverisjes së tij, arriti të ndërtonte “fasadën” e shtetit e të vendit, e cila tani që ka filluar dhe është ndezur lufta kundër korrupsionit, kjo fasadë është grisur e po griset keqas, duke zbuluar lakuriqësinë e sistemit që Rama ka ngritur, i cili qëndron midis mafias e shtetit, e madje më shumë i lidhur si vëllezërit siamezë, me mafian. Si do të vijojë situata? Plot 35 vjet drejtueset e vendit kanë qenë dy Parti: PD dhe PS. Të dyja këto Parti, jo vetëm janë konsumuar, por, siç thotë mirditori, “janë bërë nishan”. Është e vërtetë se po të bëhen zgjedhjet sot, ato i fiton Partia Socialiste. Kjo ndodh për disa arsye: Së pari, Partia Socialiste, siç e thamë në krye, e ka “bërthamën” tek PP, bërthamë e cila është krimbur plotësisht, por socialistët vijojnë ta ndjekin, jo shumë për arritjet e pa arrira e programet e lerosura, por për shkak të rrezikut të kthimit të Saliut.
Provo të kritikosh Ramën dhe PS-në, dhe socialistët të vërsulen: “Dashke të kthehet Saliu, ti”. Për këta tipa, si majtas, si djathtas, ka vemë dy parti. Këtë variant e preferojnë dhe ndërkombëtarët, ndaj dhe jeta e këtyre dy “zuskave politike” është e gjatë. A mund të dilet nga situata me këtë skemë të degraduar? Kurrsesi jo! Partia Demokratike, nëse do të kishte minimumin e drejtësisë në vendin tonë, duhej të dilte jashtë ligjit qysh në vitin 1997. Ndërsa lideri i saj, Arturo-Ui shqiptar me emrin Sali Berisha, duhej dënuar të paktën katër herë me burgim të përjetshëm: në ’97, në ’98, për Gërdecin dhe për 21 Janarin 2011. Kjo nuk ka ndodhur, e mendoj se nuk do të ndodhë, sepse rënia e PD dhe burgosja e Berishës, mund të prishë “balancat” e demokracisë borgjeze që kemi “instaluar” qysh në vitin 1990. E njëjta gjë duhej të ndodhte edhe me PS-në dhe liderin e saj Edi Rama.
Dhe këtu bashkohem me analistin Andi Bushati. Edi Rama, siglës së Partisë Socialiste, i shtoi edhe emrin “Rilindje”, por realisht sot ajo shihet qartë se ka kaluar në “Rivdekje”. Me dhjetra qeveritarë të lartë të qeverisë së Ramës, me dyzina kryetarë bashkish që mbulon Rilindja, me dy zëvendëskryeministra të arratisur apo në pritje për arrestim, e plot administratorë të tjerë socialistë në pikëpyetje, tregon se PS – Rilindja, ashtu si simotra e saj PD, janë kthyer në kufoma të pakallura të demokracisë. Ato duhet të dalin në “morg”, të riparohen e të reformohen demokratisht, dhe pas kësaj mund t’i futen politikës, me sigla të tjera. Ndërsa liderët e tyre nuk meritojnë më pak se një burgim “shembullor” dhe konfiskim të pasurive që i kanë rrëmbyer popullit.
Jo njëherë, thjeshtë si qytetar, kam cituar në shtyp, se nga periudha e gjatë e tranzicionit demokratik, dy figura do të mbeten thukshëm në historinë e shqiptarëve: Sali Berisha dhe Edi Rma. I pari, Berisha, shkatërruesi i Shqipërisë, ndërsa i dyti, Rama, degjeneruesi i saj. Këto mund të vërtetohen lehtësisht vetëm me shembuj, që shihen në mënyrë të lirë me sy, sepse shenjat e “veprave” të tyre i kemi në çdo hap. Një thirrje për socialistët e vërtetë: Hapni sytë, shihni me sytë e ballit, të mendjes e të zemrës se çfarë ka ndodhur e çdo të ndodhë me jetën tonë dhe të vendit. Një ditë të gjitha gjërat do të dalin në shesh e në dritë. Po nuk reaguat sot, do të pendoheni e të ulni kokën trupërisht nesër. Mos e lini PS-në të firosë gjer në fund. Merreni situatën në dorë, dhe mos e lini pushtetin në duart e mafiozëve dhe tradhëtarëve, por në duart e shqiptarëve të vërtetë, ty cilët nuk i mungojnë Shqipërisë.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
