Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
Ukshin Hoti, filozof i politikës shqiptare do thoshte – “BËJE OSE VDIS”!…
Ç`RËNDËSI KA PSE NA QENKA SHQIPTAR?!
-Është Kryekuvendari ish,
-apo, ky i tanishmi?!
Maqedonia e Veriut është një shtet që ndërton identitetin e tij mbi mohimin e tjetrit–në veçanti ndaj popullit shqiptar autokton në trojet e veta, që sot përbën gjysmë e popullsisë.
-Në vend që të jetë shembull i bashkëjetesës multietnike, ky shtet është bërë “laborator” i diskriminimit dhe i racizmit të institucionalizuar, kundër shqiptarëve.
-Ironia më e madhe është se kjo gjendje mbahet gjallë jo vetëm nga elitat maqedonase, por edhe nga partitë politike shqiptare, të cilat prej dekadash funksionojnë si vegla qorre të pushtetit maqedonas dhe si garant i stabilitetit të një shteti të huaj, që i trajton shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë.
Tradhtia e elitës politike shqiptare?!
-Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë humbur çdo funksion kombëtar. Në vend që të përfaqësojnë interesat e popullit të tyre, ato kanë zgjedhur të bëjnë pazare të pista për poste qeveritare dhe privilegje personale. Historia e dy dekadave të fundit është histori koalicionesh të turpshme, ku partitë shqiptare janë bërë fasadë, për çdo qeveri maqedonase, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të jenë të nën-përfaqësuar në institucionet shtetërore, të përbuzur në ekonomi dhe të përjashtuar nga proceset vendimmarrëse.
Marrëveshja e Ohrit, që duhej të shënonte fillimin e një epoke të re barazie, nga partitë shqiptare u përdor si mburojë justifikimesh për të bërë karrierë politike, ndërkohë që ajo kurrë nuk është zbatuar plotësisht.
Shqiptarët sot, ende janë peng i një sistemi arsimor të deformuar, i cili shpesh i shtyn të rinjtë drejt emigrimit, ndërsa vendbanimet shqiptare vazhdojnë të kenë infrastrukturë të shekullit të kaluar.
Racizmi maqedonas si shtyllë e shtetit. Maqedonia e Veriut ka trashëguar një ideologji shtetërore nacionaliste që gjithnjë e sheh kombin shqiptar si kërcënim të saj, jo si partner.
Historia e këtij shteti është e mbushur me shembuj të dhunës dhe diskriminimit ndaj shqiptarëve:
Ngjarjet e vitit 2012 në Smilkovcë treguan qartë, sesi shqiptarët mund të kriminalizohen kolektivisht pa prova, ndërsa mediat maqedonase, pandalshëm përhapin gjuhë urrejtjeje.
Konflikti i vitit 2001, u përdor nga shteti për të legjitimuar ndarjen etnike të vendit, ndërsa Marrëveshja që doli prej tij, nuk u zbatua kurrsesi në përmasa reale.
Shqiptarët shpesh përballen me dhunë policore dhe gjyqësore, ku drejtësia është e njëanshme (selektive) dhe kombësia është faktor vendimtar për trajtimin e qytetarëve.
Burgjet janë të mbushura me ish-pjesëtarë të UÇK-së.
Nga Brodeci te Kumanova – kur shteti sulmoi shqiptarët
Në vitin 2007, fshati Brodec u bë skenë e një operacioni brutal policor, me ndihmën e forcave speciale të ardhura nga Shkupi. Me arsyetimin e kapjes së “terroristëve”, u arrestuan dhe u rrahën publikisht burra shqiptarë, ndërsa, mediat maqedonase u angazhuan për të krijuar një klimë frike, sikur Brodeci ishte një “strofkë e rrezikshme ekstremistësh”.
Në majin e vitit 2015, “Lagjja e Trimave” në Kumanovë, u rrafshua nga një operacion i përmasave ushtarake, i inskenuar dhe i pa hetuar deri më sot.
-Dhjetëra shqiptarë u vranë, u plagosën apo u burgosën nën akuza të dyshimta.
Asnjë zyrtar i lartë nuk u mor në përgjegjësi, për këtë operacion të përgjakshëm që tronditi opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar. Por, brenda Maqedonisë, ky aksion makabër u paraqit si një “Fitore kundër terrorizmit shqiptar”.
Një nga plagët më të rënda të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, është ndjekja penale dhe burgosja e ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).
Ata, që në vitin 2001 i kapën armët, u ngritën për liri dhe barazi kombëtare, sot trajtohen si kriminelë, ndërsa pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë që kryen krime ndaj shqiptarëve, sot gëzojnë imunitet dhe lavdi shtetërore.
Burgjet maqedonase janë të mbushura me ish-ushtarë të UÇK-së, të cilët shpesh gjykohen mbi bazën e akuzave politike dhe jo provave konkrete.
-Ky fenomen i përsëritur, është dëshmi e një padrejtësie të përdorur si armë kundër shqiptarëve, ku lufta për barazi interpretohet si “terrorizëm”.
-Ndërkohë, partitë shqiptare që kanë ardhur në pushtet falë sakrificës së këtyre burrave, heshtin dhe bëjnë pazare për poste, duke i tradhtuar ata që u flijuan për një kauzë të drejtë.
Iluzioni evropian dhe roli i ndërkombëtarëve
BE-ja dhe SHBA-ja shpesh përshëndesin “Përparimin Multietnik”, të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që realiteti në terren është krejt ndryshe. Ata kanë zgjedhur stabilitetin mbi padrejtësinë, duke u bërë bashkëpunëtorë të heshtur të një sistemi diskriminues. Partitë shqiptare, në vend që të sfidojnë këtë dinakëri- hipokrizi ndërkombëtare, zgjedhin të jenë kukulla që legjitimojnë një shtet që i përjashton shqiptarët nga fuqia reale politike.
Kopenhagë
05 Shtatorë, 2025


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
