PARTNERË, ANËTARË, APO MERCENARË?!

05
Apr
2024
Shkruan: Gjon Bruçi


-Gazeta SOT, datë 4 Prill 2024-
15 vjet më parë, dhe pikësisht më 1 Prill të vitit 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atllantikut Verior. Fillimisht, pranimi në këtë Organizatë famoze Politiko-ushtarake, na u duk “gënjeshtër”, apo gegnisht “rrenë”. Kjo prej datës 1 prill kur ndodhi, datë të cilën ne shqiptarët e etiketojmë: “dita e gënjeshtrave”, ose gegërisht: “dita e rrenave”. Por doli e vërtetë. Plot 15 vjet na bindën se ne jemi tashmë në një sofër me SHBA, e cila udhëheq këtë Traktat të famshëm! Në një sofër?! Kjo han diskutim, por le ta lëmë diskutimin për andej nga fundi, e t’i gëzohemi përvjetorit të kësaj dite, që liderët tanë politikë e shtetërorë, e quajtën ditën më të madhe të historisë së shqiptarëve, pas shpalljes së pavarësisë.
Siparin e këtij përvjetori historik e hapi Ambasada Amerikane në vendin tonë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ambasada në fjalë, pasi uron Shqipërinë për 15 vjetorin e pranimit të saj në NATO, konkludon: “Që nga anëtarësimi në NATO në 2009, zhvillimi i Shqipërisë në një partner dhe aleat të besueshëm, ka qenë vërtet i jashtëzakonshëm. Sot Shqipëria ka siguri, stabilitet dhe qëndrueshmëri – sot Shqipëria ka NATO-n. Së bashku, ne qëndrojmë më të fortë. Edhe shumë vite të tjera si aleatë në NATO!”
Konkluzën e saj, Ambasada amerikane e shoqëronte me nje videoklip “me dy seri”: Njëra me pamje para pranimit në NATO, e tjetra pas pranimit. Në të parën, shfaqeshin pamje nga rrëzimi i monumentit të “diktarorit”; një familje tepër e varfër shqiptare; një qendër zjarri (bunker); disa gra fshatare të ulura diku në tokë; dhe disa fëmijë duke lozur me një avion kukull. Në të dytën pamjet ndryshonin “ngjyrë”. Niste me disa ushtarë amerikanë të NATO-s, që loznin me qytetarë e fëmijë shqiptarë të gëzuar; për të vijuar me vizitën e Bushit në Tiranë e në Fushë-Krujë në vitin 2007. Në mbyllje të videoklipit, sentencat e miqve të përtej Atllantikut, si: “Shqipëria duhet të marrë vetë në dorë drejtimin dhe gjetjen e zgjidhjeve, të përshtatura me kushtet e saj”, “SHBA duhet të ndihmojë Shqipërinë, por Shqipëria duhet të ndihmojë veten”, etj. kësisoj.
Në “iso” të frazave të Ambasadës për jubileun në fjalë, ia ku vijnë edhe “ligjëratat” e liderëve tanë politikë e shtetërorë. I pari, Presidenti Begaj, ku midis të tjerave thotë: “Krenar për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqëruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje. Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe”, duke cilësuar më tej edhe faktin historik se “Skënderbeu ishte strategu i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin!” Dhe fill pas Presidentit, edhe Kryetarja e Parlamentit, Nikolla, përforcon argumentin se: “Shqipëria e ka fituar besimin dhe bindjen e ShBA dhe anëtarëve të tjerë të mëdhenj të NATO-s, me përkushtimin e qartë, të vendosur dhe pa asnjë dilemë në zbatimin e vendimeve të Aleancës, në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe lirisë së kombeve!”
Tani, le të bëjmë një analizë tepër të shkurtër për këto përcaktime të miqve amerikanë dhe të liderëve tanë. “Zhvillimi i Shqipërisë, që nga viti 2009 (kur u pranua në NATO), – thonë amerikanët e ambasadës, – ka qenë i jashtëzakonshëm!”. Nëse flitet këtu për zhvillim të jashtëzakonshëm në drejtim të plotësimit të detyrave si partner i NATO-s, do të qeshte gomari i Nastradinit, por jo shqiptarët, të cilët në shumicën e tyre kanë jetuar periudhën e socializmit, kur vendi i tyre kishte ushtrinë më të organizuar dhe më të armatosur në rajon e tej tij. Ndërsa sot, ajo numëron rreth katër mijë ushtarë, e po aq oficerë, nënoficerë e civila, të armatosur me pushkë e patllake, por me asnjë top, me asnjë tank, me asnjë aeroplan, me asnjë anije luftarake, të cilët nuk mund të mbrojnë as antenat e Televizioneve në majën e Taraboshit.
Akoma më qesharake duken deklaratat e Presidentit Begaj dhe të Kryetares së Parlamentit, Nikolla, kur të dy në sinkron, thonë se: “Djemtë e vajzat tona ushtare, në misionet paqëruajtëse dhe operacionet e NATO-s në Afganistan, Bosnjë, Bullgari, Letoni, Detin Egje, etj. po kontribuojnë në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe lirisë së kombeve!”. . . .
Shqiptarët nuk vijnë nga fiset e indianëve lëkurkuq të Amerikës, e as nga zululutë e Afrikës, por nga një vend e nga një shtet, që ashtu si në shekullin e 15-të, e vecanërisht në pjesën e dytë të shekullit të 20-të, patën ushtritë më të organizuar, më të armatosura e më të lavdishme në rajon e tej tij. Të parën, ushtrinë e shekullit të 15-të, pas vekjes së Skënderbeut – Gjergj Kastriotit, e shembi dhe e shkatërroi pushtuesi turk, ndërsa këtë të dytën, Ushtrinë Popullore të shekullit 20-të, pas ndarjes nga jeta të shqiptarit të madh, Enver Hoxha, e shembi tradhëtia, ndihmuar me të gjitha mënyrat e mjetet nga diplomatët, ekspertët dhe shtetarët e SHBA, për ta zëvendësuar atë me disa nënreparte minore, thua se janë reparte të gjuetisë e jo të ushtrisë.
Nëse fraza optimiste e ambasadës amerikane, duartrokitur nga liderët tanë vendës për “zhvillim të jashtëzakonshëm të Shqipërisë në këta vite”, lidhet me fushën politike, ekonomike dhe sociale, atëherë nuk mjafton vetëm “ati” i Nastradinit, për të thurur tragjikomedinë shqiptare të këtyre tri dekadave të fundit, ku në krye të oxhakut kemi patur dhe e kemi, “mikun e madh” të përtej Atllantikut. Ambasadorja më e fundit amerikne, zonja Juri Kim, kur ishte në vendin tonë, eksploroi shumë vende të Shqipërisë, dhe u kënaq së tepërmi me bukuritë e natyrës shqiptare. Besoj se edhe punonjësit e ambasadës amerikane, kanë patur mundësinë të shetisnin e të shijonin vendet tona të hatashme, për një turizëm masiv dhe elitar. Por as ambasadorja, e as punonjësit e saj, asnjëherë nuk panë se çfarë bëhej me fshatarët, punëtorët, të papunët, pensionistët, fëmijët e shkollave, dhe sidomos me të rinjtë, të cilët po e braktisin vendin e tyrë, në pamundësi për të siguruar minimumin e jetesës. Për të mos folur për krimin e rrugës dhe të organizuar, e sidomos për korrupsionin galopant që ka mbërthyer çdo “karrike” pushtetore nga baza në qendër.
Sllogani i mesazhit të Ambasadës amerikane se: “SHBA duhet ta ndihmojë Shqipërinë, por Shipëria duhet të ndihmojë veten”, është i saktë, por realizimi, nuk është dukur gjatë këtyre tri dekadave. Kjo për dy arsye: Së pari shqiptarët nuk kanë shumë nevojë për këshilla, e sllogane, por për ndihmë konkrete, çka ka munguar nga ana e mikut. Sigurisht miku mund të justifikohet se “i zoti e nxjerr gomarin nga balta”. Kjo e fundit është e vërtetë, por ama, kur “miku” të ka ndihmuar ta hedhësh gomarin në baltë, duhet të të japë një dorë për ta nxjerrë atë prej balte! Këtë nuk e ka bërë, madje në shumë raste “miku” ka bërë të kundërtën. Nuk janë të rralla rastet që, kur ne jemi bërë gati, për t’i hequr pushtetarët nga karrika qeverisëse, përfaqësuesit e “mikut të madh” të përtej Atllantikut, kanë ardhur në Shqipëri, dhe në vend që të tregojnë me gisht shtetarët tanë abuzues, lëshojnë për ta deklarata lëvduese si: ”Burrë shteti” për Saliun, “Yll në ngjitje” për Bashën, “Lider i mrekullueshëm” për Ramën, etj, duke na stopuar turravrapin tonë për daljen nga kriza, ku këta liderë na kanë futur. Edhe shprehja se “Shqipëria ka patur një zhvillim të jashtëzakonshëm”, është një dekoratë fallso, që miku amerikan, nëpërmjet urimit të ambasadës së tij, u jep gjyhnaqarëve tanë të korruptuar e të kriminalizuar.
Duke u kthyer përsëri tek urimi i Ambasadës me rastin e 15 vjetorit të hyrjes tonë në NATO, do t’u lutesha diplomatëve amerianë, të ndërrojnë të paktën një frazë: Jo 15 vjetori i hyrjes së Shqipërisë në NATO, por 15 vjetori i Hyrjes së NATO-s në Shqipëri. Dhe më tej, emërtimi “partner”, apo “anëtar” i NATO-s, të zëvendësohet me emërtimin: Sejmenë dhe mercenarë të NATO-s. Kështu do të ishim në rregull me të vërtetën.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 05/04/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk