PDK mes thirrjeve për rikthim dhe ëndrrave të pafundme

05
Jan
2025
Shkruan: Ferat Selimi Oslo


PDK mes thirrjeve për rikthim dhe ëndrrave të pafundme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, gjatë një vizite në Skenderaj, bëri thirrje për fuqizimin e partisë dhe e cilësoi rikthimin e saj në udhëheqjen komunale si garanci për zhvillim dhe transformim. Ai theksoi se udhëheqja e PDK-së në këtë komunë përfaqëson një model qeverisës me perspektivë për të gjithë qytetarët. Krasniqi, përmes kësaj deklarate, synoi të ringjallë besimin te partia në një nga bastionet tradicionale të saj.
Megjithatë, një valë kritikash ka ngritur pyetje të mëdha mbi lidhjen e lidershipit të tanishëm të PDK-së me trashëgiminë historike dhe simbolikën e saj. Drenica, që njihet si zemra e UÇK-së dhe bastion i PDK-së, ka pritur gjithmonë një respekt të veçantë ndaj figurave si Adem Jashari. Ai dhe familja e tij, të cilët sakrifikuan gjithçka në luftën për liri, përfaqësojnë një ndër shtyllat kryesore të identitetit kombëtar.
Mosvizita në kullën e Jasharajve nga Memli Krasniqi për vite të tëra, një pranim i bërë publik nga vetë kryetari, ka ngjallur shqetësime dhe pakënaqësi te mbështetësit e partisë. Pyetja që ngrihet nga shumë votues është e thjeshtë: si ka mundësi që familjen Jashari e vizitojnë liderë e figura nga mbarë bota, ndërsa vetë PDK-ja, e krijuar në emër të sakrificës së tyre, nuk tregon respektin e duhur për këtë trashëgimi?
Për shumë analistë dhe qytetarë, kjo qasje e largët e lidershipit aktual të PDK-së shihet si një shkëputje nga vlerat që e kanë mbajtur këtë parti si simbol të luftës dhe lirisë. Nëse kjo distancë nga figurat historike dhe bastionet tradicionale vazhdon, partia rrezikon jo vetëm humbjen e zgjedhjeve, por edhe të identitetit që e ka ndërtuar me sakrificat e brezave të tërë. Kjo situatë kërkon reforma të thella dhe një rikthim të sinqertë te rrënjët e saj historike.
PDK, sikur të tregonte vullnet për të mësuar formulën, unë isha i gatshëm ta jepja atë, por askush nuk u interesua, as të pyeste, edhe pse receta ishte krejtësisht falas. Shpresoj që në mandatin tjetër do të kërkojnë formulën time të duhur dhe si mund të arrijnë deri te fitorja. Deri atëherë, ju uroj një ëndërr të këndshme.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 05/01/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk