Përvjetor
NJË KURORË E MUNGUAR NË GJUHËN E TIJ AMTARE MBI VARRIN E PJETËR GURIT
Pavarësisht nga interpretimet e historisë nga këndvështrimi i sotëm, për ngjarjet dhe personalitetet historike, faktori politik shqiptar në Maqedoninë Veriore, përderisa pranon të jetë pjesë e manifestimeve shtetërore për shënimin e Kryengritjes së Ilindenit në Krushevë, e cila shënohet secilin vit më 2 gusht, për nder të ngjarjeve vitit 1903, politikanët dhe pushtetarët shqiptarë nuk duhet të jenë kaq vasalë të politikave ditore të pushtetit kur është në pyetje interesi kombëtar, e vërteta historike dhe sidomos respektimi i gjuhës shqipe, kështu siç është e përcaktuar me ligjin aktual për përdorimin e gjuhëve.
Kujt dhe pse i pengon vendosja e një kurore me tekst në gjuhën shqipe mbi varrin e udhëheqësit dhe kryekomandantit të Kryengritjes së Krushevës, Pjetër Guri (Pitu Guli), i cili është flijuar për idealin e lirisë së popullit të tij, ashtu siç ka besuar në atë kohë dhe në ato rrethana?
Pavarësisht nga e historia siç u mësohet brezave të sotëm, figurat e këtilla historike si Pjetër Guri, mund të shërbejnë si modele miqësie, bashkëpunimi dhe perspektive, për të sotmen dhe të ardhmen, mes popujve që sot jetojnë në Maqedoninë Veriore, maqedonas, shqiptarë, vllahë dhe të tjerë.
Detyra kryesore e përfaqësuesve politik të sotëm të shqiptarëve nënkupton edhe përfaqësimin e historisë, gjuhës, kulturës dhe traditave liridashëse ndër shekuj, jo më nga e kaluara e afërt, për shënimin e ngjarjeve dhe nderimin e personaliteteve historike të para një shekulli.
* * *
Poshtëshënim
Si autor i këtij shkrimi, jam i vetëdijshëm për faktin se, kjo kryengritje është frymëzuar, organizuar dhe financuar nga Rusia, përmes pushtetit të atëhershëm të Bullgarisë, për interesat e veta, por ngjarjet duhet të vlerësohen ashtu siç kanë ndodhur, në kontekst të rrethanave të asaj kohe. Se një pjesë e shqiptarëve kanë qenë të manipuluar nga shërbimet e huaja, ruse, serbe, greke dhe bullgare, kryesisht për shkak të përkatësisë fetare të tyre, me bindjen se ata luftojnë kundër zgjedhës shekullore të Perandorisë Osmane, por më pak të lajthitur nuk kanë qenë as disa shqiptarë të tjerë atëkohë, vëllezët të gjuhës e të gjakut të tyre, të cilët për shkak të besimit të tyre fetar janë përpjekur të krijojnë një Shqipëri Osmane, nën përkujdesjen e Sulltanit, jo të një shtet të pavarur kombëtar, siç u krijua Shqipëria më 1912.
(4 gusht 2024)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!