Pengje të një rrethi vicioz!

11
Mar
2023

Shkruan: Medai Shaholli
Këta janë liderët shqiptarë pengje të një rrethi vicioz që nuk dalin dot nga aty për më shumë se dy dekada rrotullohen pa dalë në rrugë të madhe.
Ata nuk bëjnë dot tutje të ecin përpara për ta çarë rrethin për t’u larguar nga bataku i kënetës së ‘drzhavës Severna’ ku kanë ngecur, pasi janë kredhur deri në fyt me llumin e korrupsionit.
Si ata të pozitës ashtu edhe ata të opozitës e kanë ‘ngrënë karremin’ e pushtetit si pjesë e qelbësirave qeveritare apo si opozitë e privilegjuar shqiptare dhe kanë ngelur pengje të pushtetit që nuk mund ta heqin dot më atë njollë të servilizmit dhe të bashkëfajësisë me ‘mëkatet’ e qeverisë ndaj shqiptarëve përmes fushatave ndëshkuese të organeve represive policore sa herë që shqiptarët rebelohesin për të drejta të munguara kombëtare apo gjatë proceseve të montuara politike.
Këta janë trimat tanë që shajnë dhe akuzojnë njëri-tjetrin për korrupsion dhe për qëndrime antishqiptare si pjesë e qëlbësirave të pushtetit apo si opozitë e papërgjegjshme dhe destruktive, ndërsa kur po afrohet afati i ndryshimeve kushtetuese ‘drzhava Severna’ nuk ka gatishmëri për ta fshirë nofkën e 20%, liderucët tanë si vasalë të pushtetit bëhen bashkë dhe nuk duan t’i prishin punët me ‘drzhavën’, por janë të gatshëm t’i miratojnë ato ndryshime pa prekur 20% e turpit dhe të përdhunimit të identitetit tonë kombëtar nga kushtetuta e supremacisë sllavo-maqedone.
Këta janë liderucët tanë të rrethit vicioz që pushteti dhe ‘drzhava’ i kanë ‘ngritur’ grackën servilizmit dhe të vasalitetit deri në fund të karrierës së tyre politike, ku ata i kanë pranuar këto ‘sakrifica’ për hir të leverdive personale dhe partiake.
A kanë shqiptarët shans për të shpëtuar nga pengu i lederucëve të kapur dhe të nënshtruar?
Gjithsesi që kanë, duke u ndërgjegjsuar njëherë e mirë për mos t’i votuar më këta liderucë të dëshmuar tashmë si vasalë të pushtetit, por duke gjetur alternativa të tjera me burra dhe gra, djemë dhe vajza, të rinj dhe të reja që nuk do të pranojnë vasalitetin dhe servilizmin në këmbim të karrierës dhe pushtetit por do t’i shërbejnë me përgjegjësi qytetarëve nga të cilët kanë marrë besimin për t’i përfaqësuar.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 11/03/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk