Reflekse
Përpjekja dhe përkushtimi, lufta ndër shekuj e popujve dhe vendeve për paqe, liri dhe barazi, mbrojtja e jetës dhe dinjitetit njerëzor, në vendin tonë dhe kudo në botë, edhe sot janë sfida më e madhe me të cilën duhet të përballet njerëzimi, që të mos përfundojë bota në kaos e shkatërrim.
Edhe në ditët e sotme paqja është e rrizikuar seriozisht në shumë vende të botës ku shkelen brutalisht të drejtat dhe liritë e njeriut, ku rrezikohet jeta e miliona njerëzve të pafajshëm dhe nëpërkëmbet dinjiteti njerëzor, ku shkilen brutalisht të drejtat elementare e dhunohet qenia njerëzore, mbi baza etnike, fetare, sociale dhe racore, si nga pushtetet jodemokratike vendëse dhe nga mafia e terrorizmi ndërkombëtar, edhe në format më brutale, me nxitjen e konflikteve ushtarake, të përcjella me vrasje në masë të popullsisë civile, të njerëzve të pafajshëm, mes tyre edhe të fëmijëve, grave, pleqve e të pamundurve, me dëbimin e dhunshëm të popullsive vendëse me qëllim të kolonizimit të vendeve të tyre, për eksploatimin e pamëshirshëm dhe të papengueshëm të resurseve dhe begative natyrore në vendet e tyre nga të huajit, edhe nga fuqitë e mëdha politike dhe ushtarake të botës, në emër të Paqes!
Sot, më tepër se kurrë më parë në historinë e njerëzimit, rrezikohen popuj, shtete dhe rajone të tëra, shkelet paqja në emër të ruajtjes së paqes dhe kinse të sigurisë ndërkombëtare, përderisa korporata të fuqishme të komunikimit publik dhe informimit, mediet në duart e pushteteve jodemokratike dhe të mafies ndërkombëtare, që e shpërlajnë trurin e njerëzve, e shuajnë në mënyrë sistematike kujtesën historike të popujve të vegjël e të pambrojtur, me qëllim të vendosjes së pushtetit dhe sundimit mbi të pafuqishmit, për asimilimin, dëbimin dhe shfarosjen e popujve, edhe në emër sigurisë ndërkombëtare dhe të paqes.
Sot, më tepër se kurrë, bota ka nevojë për Paqe, jo për luftë, konflikte, shkatërrime të vendbanimeve dhe rajoneve të tëra, me të gjitha format e gjenocideve, të dëbime me dhunë të popujve nga vendet e veta, edhe në emër të paqes!
Sot, secili qytetar i botës vlen aq sa kontribuon për paqen, në vendin e tij dhe kudo në botë, por edhe për rezistencën e organizuar në mbrojtje të lirisë, jetës së qytetarëve të një vendi, për mbrojtjen e kufijve etnikë dhe sovranitetin territorial të vendit të tyre, për të mos e lejuar dhe legjitimuar okupimin dhe pushtimin me dhunë të asnjë populli dhe vendi nga të tjerët.
Kjo histori e pushtimeve, okupimit të vendeve dhe sundimit të popujve nga jashtë, e legjitimuar padrejtësisht shumë herë edhe nga institucionet ndërkombëtare, sipas logjikës së forcës, siç ka ndodhur deri më sot, duhet të merr fund përgjithmonë, në Evropë dhe kudo në botë!
Këtë duhet ta sigurojnë qytetarët e lirë dhe të ndërgjegjshëm të botës së sotme, në emër të Lirisë dhe të Paqes, sigurisht përmes krijimit të një Rendi të Ri Botëror, i cili përditë e më tepër po shihet në horizontet e skenës politike ndërkombëtare!
(21 shtator 2023)
* Autori i këtij shkrimi është Ambasador për paqe.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!