Për librin e veteranit, Zaim Beqiri

10
Mar
2023


Shkruan: Beqir Elshani

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Veterani i luftës, Zaim Beqiri, është rritur me pushkë e me penë, në fushën e dijes dhe luftës për çlirimin dhe bashkimin e atdheut. Vetë fjala liri ka kuptimin e plotë të çlirimit dhe bashkimit të atdheut. Për fat të keq asnjërën nuk e patëm, populli shqiptar mbeti i robëruar dhe i copëtuar gjeografikisht. Të gjitha këta janë bërë në mënyrë diplomatike nga qarqet shoviniste, në mënyrë që armiqtë sllavo-grekë shumë lehtë dhe më shpejtë të gllabërojnë tokat shqiptare me popull të madh dhe me detin në perendim të Ilirikut. Libri “KUJTIME”, i Zaimi Beqirit mbetet i pavdekshëm, është një dokument që do të lexohet për shumë vite nëpër bibliotekat popullore, sidomos në kujtesën e mbarë popullit shqiptar.

Me një frymë e lexova librin “Kujtime” të veprimtarit atdhetar, Zaim Beqirit, nga Shipkovica që ndodhet rrëzë bjeshkëve të Sharrit, prej nga Tetova kreshnike duket si në pëllëmbë të dorës. Gjatë përshkrimit të ngjarjes autori shkruan se ndërkohë që shokët e tij në botën e jashtme po jetonin mirë e të lirë, në vendlindje ishte vonuar koha e Migjenit. Jetonin në kushte të vështira.

Në libër më ra në sy artikulli “Mes dhimbjes dhe arrestimeve” në të cilin flitet për raportet mes autorit të librit në vendlindje dhe bashkëvendësit të tij, Baki Ymeri, që ato vite jetonte në Gjermani. Është për t’u habitur, si guxonte Baki Ymeri që prej Gjermanisë, mikut të tij në vendlindje, siç thuhet në ferrin jugosllav, t’ia dërgonte romanin voluminoz “Dimri i vetmisë së madhe” të Ismail Kadaresë, që ato vite lexohej netëve të zymta me qiri. Kur them me qiri, fjalën e kam se ato vite shkrimtarët e Shqipërisë, sidomos Sulejman Krasniqi, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, në sistemin e Jugosllavisë fashiste ishin rrepësisht të ndaluara. Këtë rrezik e argumenton më së miri edhe drejtori i Shtëpisë Botuese ”Rilindja”, Rexhep Zogaj, kur në oborrin e Pallatit të Shtypit i dogji librat e mrekullueshme të Kadaresë dhe të Agollit. Prandaj të mbaje librat e këtyre autorëve, ishte bombë me sahat. Jo vetëm që libri i Kadaresë ishte i ndaluar në sistemin jugosllav, por më tragjike është se brenda në libër kishte futur fotografinë e Enver Hoxhës, siç thuhet, jashtë zi, brenda edhe më zi, prandaj sapo Beqirit i bie në dorë, dihet, ky trim (fjala është për Beqirin) vendin e kishte në burg. Mbase Baki Ymeri ka harruar, ose e ka lënë me qëllim që ndonjë kureshtar ta lexojë.

Një ditë duke shëtitur me mikun tim, Fadil Shytin, më pyeti se po të më arrestonte udba jugosllave me librin “Titistët” e Enver Hoxhës, si do të veproja në ato rrathana. Pa as më të voglin dyshim ia ktheva që e kam gjetur në park. Pastaj shtova se udbashët mund të më vrisnin, mirëpo unë nuk do të dorëzohesha. Miku, im, Fadili, duke më përgëzuar për gjeturinë konspirative më përqafoi. Përkundrazi, kureshtari nga Gjermania, udbën e ka informuar për personin se kush është dhe ku gjendet. Mbase, Bakiu e ka bërë nga entuziazmi, mirëpo në fillim duhet menduar për pasojat e rrezikshme, pasi që posta jugosllave me postën gjermane ishin si nata me ditën.

Këtë po e ilustroj edhe me një ngjarje në vitin 1978. Në fillim të vitit shkollor unë me kolegun tim, Hysni Kabashi, si bibliotekarë që ishim, shkuam të vizitonim panairin ndërkombëtar të librit në Beograd. Atje blinim libra shkencorë për nevoja të lexuesve. Të nesërmen duhej të ktheheshim në vendlinje, mirëpo treni për Prizren ishte në orët e vona të mbrëmjes. Ambasada e Shqipërisë gjendej afër Stacionit Hekurudhor, prandaj shkuam ta vizitojmë. Ambasadorët na pritën mirë, sapo u treguam që jemi bibliotekarë, njëri prej tyre e mbushi tryezën me libra dhe revista të ndryshme. ishte madhështore, dukej sikur gjendeshim në Tiranë. Unë i kërkova revistat Ylli dhe Shipëria e Re, ishin revista që mund të bliheshin edhe me anën e eksport-importit në Beograd, prej nga ndërmarrja fitonte para.

Ambasadori duke parë që kolegu im mbeti duarthatë, ia dhuroi një album me fotografi me ngjyra të Shipërisë Socialiste në krye me Enver Hoxhën, mirëpo kolegu im ia ktheu: “Faleminderit! Deri në Kralevë e çoj diqysh, mirëpo në Kosovë, më djeg, menjëherë organet policore do të më arrestojnë, prandaj nuk e marrë”. Kolegu im ishte i ri, megjithatë me kohë i kuptoi pasojat, prandaj nuk pranoi të rrezikohet. Kështu duhej të vapronte edhe moshatari ynë, Baki Ymeri, dhe të mos e rrezikonte shokun e tij, Tasim Vokën, për t’u kthyer dhe për të vazhduar punën në Gjermani. Zaim Beqiri e quan veprim të pamatur dhe provokues të Ymerit, e dinte që postat jugosllave kontrollonin, sa që as gjilpëra nuk nuk mund të kalonte. Për habi, Zaimit i vinte keq për veprimin e pamatur të shokut të tij, prandaj shkruan se e ka bërë nga pakujdesia. Mu për këtë udba i torturonte, dhe i kishte në sy të keq. Më erdh mirë që veprimtari atdhetar, Zaim Beqiri, me kohë e ka kuptuar rrezikun, prandaj me gjakftohtësi është përmbajtur para langojve të pushtetit jugosllav. Baki Ymeri nuk e dinte që në Serbi mund të lexoheshin vjershat për kryeçetnikun serb, Drazha Mihajloviq, por në Kosovë nuk mund të lexohej albumi i Shqipërisë Socialiste. Kjo do të thotë se Enver Hoxha ishte më i rrezikshëm se Adolf Hitleri gjerman, se Benedito Musolini italian dhe se Drazha Mihajlloviqi serb.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/03/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk