Për mësuesen dhe nxënësit

01
Nov
2023
Shkruan: Beqir Elshani


Për mësuesen dhe nxënësit

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Në fëmijëri habitesha kur pleqtë luteshin: “Zot, më ruaj mendtë!”, mendoja që njeriu mund të humbë dritën e syve, dëgjimin apo ndonjë gjymtyrë të trupit, mirëpo nuk mund të humbë mendtë (arsyen). Nuk mund të humbë, pasi që mendtë gjenden brenda në kafkë, siç thuhet me asht, me lëkurë e me flokë, besa edhe me kapelë. Prandaj sipas anekdotës “kur erdhën mendtë, më ikën dhentë”, sot disa njerëz as mend, as dhentë nuk i kanë.

Shkrimi për ngjarjen në gjimnazin “Hydajet Lezha” të Lezhës fillon me fjalën neolatine ´prononcim´, të cilën FGjSh nuk e përfshin, prandaj duhet shkruar “Në një deklarim për mediat”. Përdorimi i fjalës së huaj në vend të fjalës shqipe të kujton pulën e majme të fqinjës. Lidhur me akuzën e nxënësit që e akuzon mësuesen se nxënësve nuk u lejohet mbajtja e telefonave në orën e mësimit, nuk ka asgjë të keqe. Në mbarë botën shkollore bëhet pengimi i telefonave në orët mësimore. Edhe në shkollat suedeze ndalohet mbajtja e telefonit në orën mësimore. Prandaj është shembull i mirë që mësuesja e matematikës ndalon mbajtjen e telefonave.

Në vazhdim, mësuesja e matematikës në shkollën e mesme në Lezhë, si pedagoge e institucionit arsimor, nuk ka nevojë të betohet as në shpirtin apo në eshtrat e babait të saj, jo më në shpirtin e babait të ndjerë të nxënësit, që do ta ngelë në klasë e të ngjashme. Mësuesja nuk duhet t’i shqetësojë me anën e kërcënimeve psikike, duhet t´i përmbahet parimit pedagogjik. Të qortohet nxënësi me ngelje në klasë është akuzë e rëndë, për të cilën edhe mban përgjegjësi pedagogjike. Megjithëse sulmi fizik i nxënësit me karrige ndaj mësueses së matematikës, të cilën e bëri për spital, është për çdo kritikë. Tekefundit, nxënësi nën efektin e tronditjes mësuesen nuk duhej ta sulmonte as me grusht, jo më me mjete të forta. Ngjashëm ka ndodhur edhe në rininë time shkollore në gjimnaz, një nxënës në klasë për shkak të qortimit, arsimtarin e sulmoi me grusht, ndërkohë nxënësit e mbrojtën arsimtarin. Mirëpo arsimtari ishte pedagog me përvojë, ndaj e kuptoi zemërimin e nxënësit. Prandaj mendoj se gabime ka në të dy palët: prej nxënësve që nuk mbajnë disiplínë si dhe prej mësueses me qëndrim të ashpër ndaj nxënësve. Ka shtatë vjet që në bulevardin e qytetit janë mbjellë me qindra drurë, mirëpo për t´i mbrojtur nga ernat e stuhishme dhe dëmtimi rrugor, ende janë të rrethuar me shtylla trekëndësh. Prandaj nxënësit ende kanë nevojë për shtylla të forta pedagogjike.

Ne vetë po i shohim, të rinjtë nuk dinë të shprehen. Në vend se i riu të thotë që polici e grushtoi apo e qëlloi me grusht, thotë “Polici ma hini me grusht”. Pastaj kur nxënësi e mbaron gjimnazin, edhe qindra klerikë të thonë që toka është e sheshtë dhe nuk sillet, gjimnazisti nuk duhet të mashtrohet në dogmat fetare. Mbaj mend në shkollën fillore në vitet ´60-ta, po qe se nuk i dinim kryeqytetet e shteteve evropiane, turpëroheshim, ndërkaq në pyetjen e reporterit se cili është kryeqyteti i Zvicrës, i riu prishtinas thotë që nuk e di. Në kohën time e dinim që Cyrihu është qytet më madh, por e dinim që kryeqytet është Berna; po ashtu e dinim që Nju Jorku është qytet më i madh në SHBA dhe në botë, por e dinim që Uashingtoni është kryeqytet. Në muajin korrik isha në Ulqin, gjatë rrezitjes në Plazhin e Vogël kam lexuar disa romane dhe revistën e vendit “Koha”. Vetëm një vajzë e kam parë me libër nën çadër. Gjatë leximit kam mbajtur shënime nën diellin përvëlues të Adriatikut. Është për të ardhur keq, që tek rinia mungon vullneti për lexim. Tekefundit, revista kulturore “Koha” shitet me çmim modest, për habi askund nuk hasa ndonjë qytetar duke shfletuar.

E kuptoj zemërimin e prindërve për bijtë e tyre, megjithatë sulmin fizik ndaj mësueses duhet qortuar, sepse është në dëm të ardhmërisë së tyre. Me një rast në shkollën fillore në Therandë nxënësit u grindën, prandaj kujdestari i klasës i qortoi me shkop. Të nesërmen prindi prej zemërimit, në shenjë hakmarrje arsimtarin e mbërtheu në gjoks, mirëpo kolegët e punës e mbrojtën. Për fat të keq, më vonë ky djalosh tashmë i rritur e përdhunon një vajzë, për të cilën edhe dënohet me burg. Përkundrazi, në vitet e zjarrta për mbrojtjen e Kosovës nga dhuna jugosllave, në gjimnazin e Kaçanikut një nxënës në tabelë me shkumës kishte shkruar parullën “Kosova Republikë”, ndaj nxënësi shembullor vetëm pse nuk tregoi kush e ka shkruar parullën… bie viktimë dhe përjashtohet prej shkollës. Me kalimin e kohës gjimnazisti që kishte shkruar parullën… pas përfundimit të Fakultetit Juridik si gjykatës hibrid në Gjykatën Komunale dënon irredentistët për Kosovën Republikë. Prandaj prindërit duhet të tregojnë maturi, sepse më vonë mund të kenë pasoja të pakorrigjueshme.

Shko dhe eja dallëndyshe

Kur shkrimtari i Rilindjes Kombëtare, Filip Shiroka, në kohën e tij emigroi në Liban, vendlindjes së tij – Shkodrës, me përmallim ia kushtoi poezinë “Shko dallëndyshe”, duke i uruar udhë të mbarë për të vizituar vendlindjen e tij që gjendej matanë detit Mesdhe me të gjitha të mirat e jetës. Përkundrazi, një shqiptar boksierin, Robin Krasniqin, i cili shkon të vizitojë Mekën dhe Medinën, e porosit që të lutet edhe për të se nuk ka kushte për të shkuar atje, prandaj i kërkon një kapuç të haxhinjve dhe ujë të zemzenit. Ndryshe me nostalgjinë e sëmurë të besimtarit fanatik, nuk ka asgjë më të shenjtë se plisi i bardhë tradicional, dhe atdheu ku ka lindur. Pastaj uji i pijes në tokat shqiptare është një ndër ujërat më të mirë dhe më cilësor në Evropë, sepse buron prej alpeve me reshje të shpeshta të lagur me shi dhe të mbuluar më borë që nuk shkrihet deri në verën e nxehtë. Pikërisht unë gjendem në mërgim, mirëpo për asnjë vend në botë nuk ëndërroj sikur për vendlindjen time – Kosovën. Me miliona shqiptarë janë shpërngulur në Turqi, mirëpo mbetën pa kapuçin e bardhë dhe pa ujin burimor të Kosovës. Nostalgjinë ndaj atdheut si shumë shqiptarë të tjerë e argumenton edhe aktori në Turqi, Kivanc Tatlitug, i cili krenohet që është me prejardhje shqiptare. Ndërkohë që fanatiku nga trojet shqiptare prej boksier Krasniqit pret kapelën arabe, miku im, përndryshe veprimtar i çështjes kombëtare, Xhemil Zeqiri, prej Tetovës buzë malit Sharr, në Suedi më solli plisin e bardhë tradicional, të cilin unë e puth, ashtu siç e puth arabi kapelën e tij tradicionale. Bashkëvendësi im, Osman Gegaj, i cili si maturant i gjimnazit, më 8 tetor 1968 në krye me arsimtarin e tij, Prof. Haxhi Bajraktarin, në qendër të Therandës e ngritën Flamurin Kombëtar, megjithatë edhe pse ka qenë në Mekë, është betuar se kurrë nuk e heq plisin bardhë prej kokës. “Me plis kam lindur, dhe me plis do të vdes”, thotë flamurtari i demonstratës.

Sa i përket hoxhallarëve të Kosovës që me shpenzime të mëdha nxitin shkuarjen e të rinjve në Mekë të Arabisë, dhe atë disa herë me radhë, është mjet propagandistik për arkën e qarqeve fetare, përndryshe më mirë do të ishte që shqiptarët me pak shpenzime të vizitojnë qytetet tona të vjetra, po aq edhe të bukur. Duhet përkujtuar se me para të shumta që besimtarët shqiptarë i shpenzojnë për shkuarje në Mekë të Arabisë Saudite të pasur në vendlindje, mund të ndërtohet një fabrikë për zhvillimin e vendit dhe një spital për mbrojtjen e shëndetit të popullit.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 01/11/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk