A k t u a l e
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!/Vazhdon dhe do vazhdoje të jete A k t u a l e me keto LIDERRA/
LIGJI PËR PËRDORIMIN E FLAMUJVE TË BASHKËSIVE ETNIKE, QË NËNKUPTON EDHE FLAMURIN SHQIPTAR NË MAQEDONINË VERIORE, POR NUK PËRMENDET ASKUND ME EMËR, ËSHTË MË DISKRIMINUES SE LIGJI I VITIT 1973 NGA ISH-REGJIMI KOMUNIST I MAQEDONISË JUGOSLLAVE
Sapo e kisha rishpërndarë mbrëmë për lexuesit shkrimin tim të publikuar 7 vjet më parë, më 2016, sot lexoj përmes medieve për dy faqet e zeza të propagandës në lidhje me këtë çështje.
Në njërën anë, deklaratat e drejtuesve të politikës shqiptare dhe të pushtetit aktual në Maqedoninë Veriore, që ua lajnë kryen me akull shqiptarëve vendës dhe të tjerëve, kinse “askush s’guxon ta prekë flamurin shqiptar sepse është i larë me gjak”.
Ndërsa sot, ende pa përfunduar euforia e festës së 28 Nëntorit ndër shqiptarët, nga Kodra e Diellit paraqitet një ish-komandant i njësive speciale dhe paramilitare në konfliktin e armatosur të vitit 2001, i cili aktualisht është drejtor i një ndërmarrje shtetërore në Shkup, i cili me fotografi e fjalë e jep lajmin se është larguar flamuri shqiptar nga shtylla ku qenka vendosur një ditë më parë, përkrah flamurit shtetëror, sigurisht se, sipas tij, në mënyrë të paligjshme, kinse ka diçka të ligjshme të vendosur në qendrën turistike Kodra e Diellit dhe përgjithësisht në këtë shtet të kapur nga bandat kriminale.
(29 nëntor 2023)
* * *
PËRDORIMI I FLAMURIT SHQIPTAR NË MAQEDONINË VERIORE
Përdorimi i flamurit shqiptar u lejua me ligj në ish-Republikën Socialiste të Maqedonisë (ish-Federata e Jugosllavisë, 1945-1992), të cilin e solli Kuvendi i kësaj republike, më 13 nëntor 1973.
Me sjelljen Ligjin për përdorimin e flamujve, rregullohej çështja e përdorimit të tyre në këtë republikë ish jugosllave, pa dallim nga flamuri republikan (atë kohë republikat ishin njësi të federatës pa prerogativa shtetërore), si dhe të flamujve të kombësive, shqiptare dhe turke, si dhe grupeve etnike në këtë republikë.
Pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë (1991), çështja e përdorimit të flamurit shqiptar gjatë kohë mbeti e pazgjidhur, shpeshherë duke u ndaluar me vendime të posaçme politike.
Kjo çështje u problematizua në momentin kur udhëheqësit e komunës së Gostivarit dhe të Komunës së Tetovë, me vendosjen e flamurit shqiptar dhe të flamurit të bashkësisë etnike turke, para se kjo çështje të rregullohej me ligj, i krijoi alibi pushtetit të ndërmerr masa të dhunshme, me ndërhyrje të forcave policore, për çka edhe shpërthyen demonstratat e njohura në qytetin e Gostivarit (1997), të cilat përfundoi me bilanc shumë tragjik, tri viktima në njerëz, shumë të lënduar e plagosur, demonstrues të burgosur, përfshirë edhe udhëheqësit e Komunës së Gostivarit dhe të Komunës së Tetovës.
Ligji për përdorimin e flamurit shqiptar në Maqedoni, i cenon të drejtat themelore qytetare e kombëtare
Në vitin 2005 u soll Ligji për përdorimin e flamujve të bashkësive (etnike) në Republikën e Maqedonisë, me të cilin rregullohej çështja e përdorimit të flamujve të të gjitha bashkësive etnike në këtë shtet, por pa theksuar në mënyrë të veçantë se për flamujt e cilave bashkësi etnike bëhet fjalë.
Për dallim nga ligji i vitit 1973, me të cilin rregullohej çështja e përdorimit të flamujve në nivel të kësaj ish republike jugosllave, si e flamurit republikan dhe e kombësive, me emërtim të saktë të tyre sipas përkatësisë etnike.
Me sjelljen e ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive, të vitit 2005, jo që nuk u zgjidh në mënyrë të drejtë përdorimi i flamurit shqiptar, por edhe më tepër u përkeqësua mënyra e përdorimit të tij, me sjelljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e tij, të Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë, më 18 korrik 2011.
Përderisa në nenin 6, alineja 1, të Ligjit për përdorimin e flamujve, i vitit 1973, thuhej:
,,Pjesëtarët e kombësisë shqiptare, turke dhe kombësive të tjera e grupeve etnike, dhe përfaqësuesit e kombeve të tjera të RSFJ, flamurin e kombësisë, grupit etnik, përkatësisht të republikës socialiste, mund ta përdorin lirisht në të gjitha rastet për të cilat është paraparë përdorimi i flamurit të RSM”.
Ndërsa, në lidhje me dimensionet e flamujve të kombësive, në radhë të parë të flamurit shqiptar, në nenin 8 të këtij ligji thuhej:
,,Dimensionet e të gjithë flamujve, gjatë përdorimit të njëkohshëm të tyre, patjetër duhet të jenë të barabarta”.
Për dallim nga këto përcaktime, me Ligjin për përdorimin e flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë, të vitit 2005, në asnjë rast nuk përmenden emrat e bashkësive etnike, as e asaj shqiptare, të cilave u njihet kjo e drejtë.
Për aq më tepër, me sjelljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji, në vitin 2011, u cenua rëndë e drejta e përdorimit të këtij flamuri në vendbanimet dhe komunave ku shqiptarët përbëjnë më pak se 50% të numrit të përgjithshëm të popullsisë në atë njësi të vetëqeverisjes lokale (komuna).
Sipas neneve 2, 3, 4 dhe 5, të Ligjit për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive, të vitit 2011, pas fjalës ,,pjesëtarët e bashkësisë”, u shtuan fjalët:
,,që janë më tepër se 50% e popullsisë në atë njësi të vetëqeverisjes lokale”.
Ndërsa në nenin 6, thuhet: ,,Pas nenit 8 shtohet neni 8-a, i cili thotë:
„Neni 8-a
Flamuri i Republikës së Maqedonisë ngrihet me flamuj të tjerë në pajtim me ligjin dhe është me dimension më të madh nga flamujt tjerë për një të tretën.“
Shqiptarëve në Maqedoni, përveçse me këtë ligj u mohohet e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar në nivel të shtetit, kjo e drejtë u mohohet edhe në komunat ku nuk përbëjnë mbi 50% të popullsisë.
Po me këtë ligj, flamurit shqiptar, si edhe flamujve të bashkësive të tjera etnike, i janë zvogëluar dimensionet për 1/3 e tij, në të gjitha rastet e përdorimit të tij, e sidomos gjatë përdorimit përkrah flamurit shtetëror të Republikës së Maqedonisë.
(28 Nëntor, 2016)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!