Përgjigje të nderuarit Fitim Çaushi

28
Mar
2024
Nga: Dilaver Goxhaj


I nderuar Fitim Çaushi. Faleminderit per përgjigjen tuaj mjaft të gjatë të datës 24 mars 2024 për të më bindur mua se pse e keni shumëzuar me zero veprimtarinë atdhetare të Faik Konicës, të cilën e filloni si më poshtë:
“I nderuar Dilaver. Së pari nuk jam unë, që e kam “shumëzuar me zero” krijimtarinë e Faik Konicës, kanë qenë studiuesit e letërsisë shqipe dhe profesorët e mëdhenj në periudhën e socializmit, ata që e gjykuan atë pak krijimtari të tij, në minimum, në raport me punën e tij të dëmshme. Për këtë ju jini i bindur. Ne nuk mund të jemi më të mirë nga ata intelektualë korifej, që të bëjmë rishikimin e punës së tyre për rivlerësimin e Konicës. Së dyti, krijimet e Konicës, për të cilat shkruani ju, janë pas periudhës që ne prezantuam në dy shkrimet e para, kohë në të cilën Konica nuk ka shkruar asnjë gjë, përveç revistës “Albania”….”
Unë u bëra ju, i nderuar Fitim, një vërejtje dashamirëse që të mos e shumëzonit me zero veprimtarinë patriotike të Faik Konicës, duke u bazuar si në veprën seri të tij, në tre vëllime, botuar në vitin 2001 nga sh.b. “Dudaj”, por veçanërisht në gjithçka që ka shkruar e ka thënë veçanërisht eruditi shqiptar, i ngjashëm si Faiku, shqiptari dhe intelektuali i madh shqiptar Fan Stilian Noli. Noli, i cili, jo vetëm që ka qenë bashkohës me Faik Konicën, por edhe e ka mbrojtur Faikun edhe në Paramentin e Shqipërisë, oratoria e të cilit nuk ishteështë fjalë e zakonshme, qoftë për nga idetë që kumton dhe mënyrën e shprehjes, ashtu edhe nga thurrja origjinale, shkalla e lartë e ekspresivitetit dhe veçoritë stiliko-gjuhësore në mbrojtje të veprimtarisë patriotike të Konicës, duke qëndruar mbi “ata intelektualët korifej. . . studiuesit e letërsisë shqipe dhe profesorët e mëdhenj në periudhën e socializmit.”, që ju m’i keni vënë barikadë që të mos guxoj ta përsëris vërejtjen që u kam bërë për atë fyerje që i keni bërë veprimtarisë letrare, publiçistike dhe patriotike të Faik Konicës.
Dhe, që të mos zgjatem, po u po u përgjigjem me mbrojtjen që i bën Faikut Fan Noli, në Asamblenë Kombëtare të Shqipërisë në janar 1923, botuar në gazetën “Shqiptari i Amerikës” 20 janar 1923, e titulluar “Në mbrojtje të Faik Konicës”, të cilën e gjeni edhe në vëllimin VI të veprave seri të Fan Nolit, f.127-129, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1996:
“Zoti keytar! Nga fjalët e të nderçmit deputet t’Elbasanit z.Mehdi Frashëri merret vesh sikur Parlamenti u bë gjykatore për të dënuar Faik Konicën. Parlamenti po t’adaptoi këtë pikëpamje, duhet të marri tri gjëra parasysh.
E para: A është kompetent Parlamenti për të gjykuar Faikun? Thom vetëm Faikun, se ky emër është aq i njohur midis nesh e popullit, sa të dihet për cilin bëhet fjalë. Nga pikëpamja legale, Parlamenti nuk është një gjykatore; sa për pikëpamjen morale, duke marrë në sy që Faiku ka kritikuar ashpër guvernën dhe partinë e shumicës, gjykimi juaj do të ishte një parodi e drejtësisë, se do të ishit dhe akuzatorë dhe gjykatës, edhe davaxhinj dhe kadinj. Këtë e dini fort mirë që s’e merr kalemi, dhe nga ana ime nuk dëshironj që Parlamenti ynë të bëhet qesharak pa punë. Dhe duke mos qenë kjo gjykatore, as kompetente, as e paanshme, nuk shoh nevojën të përgjigjem si ndonjë i akuzuar n’istidakun e deputetit t’Elbasanit.
E dyta: Faiku është Kryetar i Vatrës, i zgjedhur lirisht prej anëtarëve të saj, nuk është Sultan i Vatrës. Duke dënuar, pra, Faikun, kini për të dënuar edhe Vatrën dhe anëtarët e saj që e kanë zgjedhur për kryetar. Edhe e dini që të gjithë, sa shërbime të çmuara i ka bërë çështjes Vatra. Nuk do t’jua nëmëroj të gjitha; arrin t’ju kujtonj vetëm dy: Pas dëshmimit të Venizellosit vetë, Vatra ia ndryshoi faqen Toskërisë, duke i futur shqiptarët orthodoksë në vathën patriotike. Guverna jonë mezi mblodhi me pahir një hua të brëndshme prej 700.000 fr.ar më 1922, pasi u zgjidh çështja e kufirit, ku Vatra i mblodhi Guvernës me një fjalë vetëm një hua prej një milionë fr.ar.më 1920, kur puna e Shqipërisë ishte edhe në rrezik.
E treta: Cili është Faiku që gatitemi të dënoni? Deputeti i Elbasanit ju tha që kombi i detyron Ismail Qemalit një monument. Jemi fare me një mendje, po unë shtoj që kombi i detyron Faikut një monument edhe ca më tepër. Isamil Qemali për një vepër, për një gjest, për ngritjen e flamurit në Vlorë, Faikut për disa vepra, për disa gjeste që i kanë kushtuar tërë jetën. Faiku është kryelëronjësi i gjuhës sonë, është zbulonjësi i flamurit tonë të harruar, është kryekalorësi i lirisë dhe indipendencës kombëtare, dhe ne të gjithë s’jemi veç dishepuj të tij. Historia e paanshme s’mund ta harrojë këtë gjë, as munt të mohonjë që Faiku i ka falur çështjes tërë rininë e tërë mendjen këtu e njëzet e shtatë vjet me radhë pa reshtur. Dhe ku e gjeti Faiku inspiratën për këtë luftë të gjatë e të rëndë me shpresë kudër shpresës, kur Shqipërinë s’e deshnë as Shqiptarët vetë dhe ca më pak të huajt? Ku gjetkë, veç në shpirtin e tij, ku mbretëronte si një farë perëndie ideale stoik i detyrës, ku gjetkë veç në temperamentin e tij prej idealisti të ashpër e të fort që refuzon të bëjë kompromise me njerëzit e ditës dhe me faktet e pamëshirtë! Faiku ka punuar dhe ka atë fuqi prej shpirtit që e përshkruan aq bukur Shekspiri në tragjedinë e Jul Qezarit:

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

M’atë, o Perëndi e bën të dobtin luan!
M’atë, o Perëndi, po i dërmon tiranët!
Se as kull’e gurtë, as muret prej bakëri,
As burgu i errët, as vargonj prej hekuri,
Nuk e përmbajnë dot fuqin’ e shpirtit.

Dhe është e tëpërt t’ju them që, po të mos kishim patur burra idealistë si Faiku, Shqipëria nuk do të ishte e lirë sot.(Këmbëtrokitje nga disa deputetë). Për fat të mirë historia nuk shkruhet me këmbëtrokitje, po me punë, dhe Faiku ka punuar me tepri e më përpara se të gjithë ne.
Ka punuar, ndodhet sot në prak të pleqërisë, dhe nofta është fat i tij shkruar ta ngrysë jetën në syrgjin, jetë sakrifici dhe shërbimi pa tjetër shpërblim, veç sharjeve nga ata që përfituan prej mundimeve të tij. Sot është hera e parë që përmendet emri i tij në Parlament të Shqipërisë së lirë, dhe ironia është që përmendet me gjykim e për dënim. Faiku, dekani i veteranëve të çështjes Kombëtare. Ndoshta bukuria tragjike e sakrificit të Faikut e kërkon këtë dënim si kurorën prej gjëmbash dhe uthullën e Krishtit. Po a i ka hije Parlamentit tonë ky rol prej mundonjësi pa shpirt? Për nderin e kombit, ju lutem të mendoheni para se të jepni gjykimin tuaj. Rrimë në sofrën, të cilën Faiku është përpjekur tërë jetën e tit të na e shtronjë. S’na ka hije t’i hedhim gurë. Korrim drithin që ka mbjellur Faiku. S’na ka hije ta goditim me drapërin që na dha në dorë.
Mburremi që jemi një komb mirënjohës. Ja, një rast i mirë që ta provojmë. Mburremi që jemi trima dhe patriotë. Disa prej jush e kanë provuar në disa raste dhe veçanërisht në Lushnjë(1), atje ku kombi ynë bëri veprën heroike dhe madhështore të qëndronjë kundër botës së tërë për të mbrojtur lirinë e vendit. Si trima dhe patriotë, nderoni kryetrimin dhe patriotin Faik, jeta e të cilit është një Lushnjë, që në krye gjer në funt, një fortesë e patronditur, një flamur heroik, i shoshitur me plumba, po i pa unjur, një trim inspirate, një shembëll këmbënguljeje për brezat e pastajmë.”
(1). E ka fjalën për Kongresin e Lushnjës që u mblodh në janar të vitit 1920
Tiranë, 27 mars 2024

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 28/03/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk