Përshëndetje nga shoku Enver Hoxha, Drejtuar Ish-delegatëve të Kongresit të parë të BRASH-it.

09
Aug
2023
Zgjodhi: Zeni Bilimani

Të dashur shokë e shoqe , ish delegatë të kongresit të parë të Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare!
Ju përshëndes ju, ish- delegatët e delegatet në këtë Kongres, si dhe përfaqësuesit e brezave te rinj që bashkë me ju kanë ardhur në HELMËS të marrin pjesë në këtë festë të shënuar.
Do dëshiroja shumë të isha edhe unë në mes tuaj atje, ku 40 vite më parë punuam për disa muaj në gjirin e popullit trim, patriot e bujar, jo vetëm të Helmësit historik, por të gjithë popullit të atyre anëve të rrethit të Skraparit.
Ju kam zili që jeni mbledhur në fushën e bukur të Lirzës.
Kam në sy dhe në mendje, ato çadra të bardha të mbira nëpër fusha, sallën e Kongresit, që ndonëse nuk ishte si sallat e sotme të pallatit të sportit, kishte bukurinë e vetë me ata drunj, stola e tavolina që mbanin akoma aromën e këndshme të atyre maleve nga kishit zbritur ju partizanë heroik.
Por, e ndjej dhe gëzohem me gëzimin tuaj .
Qofshi përherë të gëzuar, sepse gëzimin dhe lumturinë e meritoni si ju ish- delegatët dhe delegatët, ashtu dhe gjithë rinia jonë e mrekullueshme.
Ju vinit në atë gusht të paharruar në Kongresin tuaj, raportonit për luftërat heroike që kishit zhvilluar dhe zotoheshit se do t’i çonit gjer në fund betejat për çlirimin e plotë të vendit dhe ndërtimin e Shqipërisë së Re.
Fjalën e mbajtët: në atdheun e lirë, ndërtuat hekurudha, uzina , kombinate, ngritët e drejtuat shkolla, u bëtë kuadro dhe shërbyet në frontet e ndryshme për forcimin e Partisë të pushtetit popullor dhe të Ushtrisë sonë.
Qindra mijë të rinj tjerë kanë ecur e po ecin sot në rrugën që udhëheq Partia, në rrugët që hapët ju dhe shokët tuaj heroik si: Qemal Stafa e Misto Mame, Manush Alimani e Kastriot Muço, Margarita Tutulani, Ajet Xhindegoli e shumë e shumë të tjerë që dhanë jetën për këto ditë të lumtura.
Nga Kongresi në Kongres, Bashkimi i Rinisë së Punës të Shqipërisë ka ardhur me realizime të reja në fushën e zhvillimit industrial, bujqësor, arsimor, politiko- ideologjik kulturor dhe shkencor.
Ne, jemi krenarë për rininë tonë, gjithmonë të guximshme, këmbëngulëse në punë e në mësime, vigjilente në mbrojtjen e fitoreve të socializmit e të marksizëm-leninizmit.
Në, kemi një rini të pastër si ajri dhe ujët i kristalt të maleve të Helmesit, ku ju jeni mbledhur sot.
E tillë do mbetesh përherë, ti rini e mrekullishme e Shqipërisë, e shëndetshme, energjike dhe revolucionare, e imunizuar nga çdo sëmundje që ka kapërthyer kontingjente të tëra të rinisë së vendeve kapitaliste e revizioniste.
Shokë dhe shoqe,
Ju festoni 40 vjetorin e Kongresit të parë të organizatës suaj luftarake në atmosferën revolucionare që ka përfshirë klasën punëtore , fshatarësinë kooperativiste, rininë, gratë, të madh e të vogël në vendin tonë, për të pritur 40 vjetorin e Çlirimit të Atdheut e të vendosjes së pushtetit popullor me arritje sa më të mëdha.
E bashkuar me shumë se kurrë rreth Partisë. Rinia jonë shkon në festën e madhe të 40 vjetorit te Çlirimit, krenare e me plot fitore, e gatshme për t’iu futur betejave të tjera të mëdha.
Partia i ka besuar rinisë detyrën historike; stafetën e Revolucionit e të Socializmit , të mbrojtjes me vigjilencë e me gjak, të atdheut socialist.
Jam i bindur që ju do qëndroni si gjithnjë luftëtarë të radhëve të para, të lidhur grusht me popullin, trima, të mençur e të papërkulur për zbatimin dhe mbrojtjen me besnikëri të vijës së Partisë për ndërtimin e socializmit dhe lumturinë e brezave të rinisë së përjetshme .
Duke ju përqafuar me dashuri ju uroj të , gjithëve shëndet, vullnet në punë dhe në mësime, lumturi në jetë!
Rroftë rinia jonë heroike dhe organizata e saj luftarake e Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë!
I juaji
Enver Halil Hoxha
Zgjodhi: Zeni Bilimani

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 09/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk