/ Nga arkivi i Diplomacis.dk/
A e dinë qytetarët e Tetovës se në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Shkup, si model më i keq i mundshëm, siç nuk duhet të jetë plani urbanistik i ndonjë qyteti, konsiderohet plani urbanistik i qytetit të Tetovës?!
A e din dikush nëse ka dhënë ndonjëherë Qeveria e Maqedonisë pëlqim me shkrim për Planin urbanistik të qytetit të Tetovës?
A janë të informuar qytetarët e Tetovës se vlerat më të çmuara të traditës, arkitektura e vjetër e qytetit, dhjetëra objekte me rëndësi të veçantë kulturore dhe historike janë shkatërruar dhe vazhdojnë të shkatërrohen pamëshirshëm nga dora e personave të papërgjegjshëm dhe organet e pushtetit?
A e din dikush se, në vendin ku me vite pritet të ndërtohen, Konvikti i studentëve të Universitetit të Tetovës dhe Biblioteka universitare, ende gjenden shtalla për ruajtjen e bagëtive, në mes të qytetit dhe mes dy Universiteteve të shqiptarëve? Këtë, a e dinë qytetarët e Tetovës, rastësisht?
A ka ekspertë dhe institucione kompetente në këtë qytet që duhet ta alarmojnë popullatën se qyteti i Tetovës seriozisht rrezikohet nga vërshimet, se nuk guxojnë organet kompetente të japin leje ndërtimi për objekte publike dhe private të përhershme (banimi) përgjatë rrjedhës së lumit Shkumbin, së paku në largësi prej 100 metra në të dyja anët e këtij lumi vërshues?
Me çka merren gazetarët në këtë shtet, mediat dhe shtëpitë televizive në gjuhën shqipe? Vetëm me analiza politike? Me politikë globale? Apo, vetëm me reklama, seriale turke dhe fushata parazgjedhore gjatë gjithë kohës?
(2.VII.2017)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!