Publicisti i njohur dhe një ndër zërat më të fuqishme të mbrojtjes së Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, Gjon Bruçi ka reaguar ashpër pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili këtë 29 nëntor e cilësoi luftën partizane si vëllavrasëse dhe akuzoi partizanët se kanë kryer gjenocid ndaj shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Bruçi, i cili mban edhe postin e sekretarit politik të Partisë Komuniste të Shqipërisë të Qarkut të Shkodrës, shprehet se antikomunizmi i Berishës, sipas tij, është një antishqiptarizëm i hapur.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!-Zoti Bruçi, Sali Berisha provokoi serish ketë 29-Nëntor, teksa luftën partizane e cilësoi vëllavrasëse, ndërsa hodhi akuza ndaj partizanëve se kanë kryer gjenocid dhe krime gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Si ju duket kjo deklaratë e fortë dhe a kanë kryer partizanët luftë “vëlla vrasëse”?
Plot 32 vite të tranzicionit të ashtuquajtur demokratik në vendin tonë, flamurin e antikomunizmit e ka mbajtur dhe vijon ta mbajë Arturo – Ui shqiptar, me emrin Sali Berisha. Po cilat ishin rrethanat që e ndihmuan komunistin e “devotshëm” sekretarin e “rreptë” të byrosë së partisë së Punës për spitalet e Kryeqytetit, të merrte këtë rol antikomunist dhe njëherësh edhe antikombëtar? Asgjë nuk ishte e rastësishme. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, juda Ramiz Alia, që për gjysëm shekulli me radhë, ishte fshehur si gjarpri nën gurë, doli përsipër për të realizuar planin e diktuar nga “hrushovët” e vjetër e të rinj të lindjes e të perëndimit, atë të përmbysjes së socializmit dhe të pushtetit popullor në vendin tonë.
-Po, pse u zgjodh Berisha në rolin e liderit të forcave që do të përmbysnin kalanë shqiptare të shekullit njëzet?
Për dy arsye themelore: Së pari, ai ishte regjistruar me kohë, me pseudonimin “penicilina” në shërbim të serbosllavëve, e ndoshta edhe më tej tyre. Së dyti, duke qenë një militant i sëmurë komunist, do të ishte më i përshtatshmi në luftën kundër komunizmit. Se lufta midis llojit, është më e egra. Ndaj Ramiz Alia e delegoi në krye të PD, partia që mori misionin nga borgjezia ndërkombëtare për shembjen e kalasë shqiptare. Partia Demokratike, në kontravers me mbiemrin që i vunë, mblodhi në gjirin e saj “burgaxhinjtë” politikë apo ordinerë të periudhës së socializmit, mbeturinat dhe pinjollët e ish klasave të përmbysura në 29 nëntorin e vitit 1944, si dhe “vulgun” e rrugës, përfshi “lumpenët”, që pashmangshëm prodhoi sistemi socialist. Kjo strukturë antikomuniste, drejtuar nga jashtë e nga brenda prej reaksionit antishqiptar dhe mercenari Sali Berisha, në aparencë kishte objektiv “shembjen e komunizmit në Shqipëri”. Por objektivi i vërtetë, siç edhe rezultoi, ishte shkatërrimi i vetë Shqipërisë dhe arritjeve kolosale të socializmit. Antikomunizmi i PD-së dhe i liderit të saj, Berisha, rezultoi shumë shpejt antishqiptarizëm i hapur. Ky i fundit i siguroi vetes, titullin e turpit të mercenarit, të tradhtarit, të kriminelit dhe të antikombëtarit. Në misionin e tij antikombëtar, Sali Berishës i duhej të mbante pas vetes pikërisht kontingjentin e “përzgjedhur” të PD, çka krahas shkatërrimeve ekonomike, nuk harronte të sulmonte edhe asetet më nevralgjike të kombit tonë, siç është dhe LANÇ. Pa denigruar LANÇ dhe udhëheqësit e saj, nuk mund të mbante në rresht skalionet naziskine të PD-së e bishtrave të saj. Sepse LANÇ dhe Kryedata historike, 29 Nëntor 1944, ishte pengesë e pakapërcyeshme morale për mbeturinat dhe pinjollët e klasave të përmbysura, por edhe për të degraduarit e kohës së socializmit, që për fitime të çastit, u shndërruan në lumpenë të rrugës. Por, cili ishte rezultati i kësaj histerie të tij kundër LANÇ, kundër Dëshmorëve dhe kundër komandantëve të kësaj lufte legjendare? Sigurisht kjo histeri nuk kaloi pa lënë gjurmë. Ajo iu dha zemër pinjollëve të ish klasave të përmbysura, të cilët, pasi kishin heshtur për 45 vjet, me kokën ulur për bëmat antikombëtare të baballarëve të tyre, dolën si krimbat nga plehu, duke u kapardisur si “balli” i dikurshëm i kombit, që realisht u shndërrua në bishtin e tij dhe të nazifashistëve. Diskursi i pandërprerë politik i Saliut me shokë kundër LANÇ, i dha krah edhe reaksionit të jashtëm antishqiptar dhe qarqeve shoviniste rreth vendit tonë, ashtu siç lëkundi edhe penën e disa intelektualëve dhe historianëve tanë, të cilët për të ruajtur statukuonë nën hijen e pushtetit, filluan të “restauronin” disa nga shkrimet e kaluara për historinë e LANÇ. Gjithë ky diskurs baltosje të LANÇ që realizoi Berisha, në pushtet e jashtë tij, në këta tri dekada të të ashtuquajturës “demokraci”, është faqja më e zezë e veprimtarisë së tij personale dhe si lider i forcës politike që ka drejtuar. Diskursi i tij për “Luftë civile”, ishte dhe mbeti aq qesharak, sa i detyroi edhe ish pushtuesit të prononcohen, duke na treguar me dokumente mercenarizmin e ballisto-zogistëve në shërbim të tyre, ç’ka historia, gati e harruar e këtyre të fundit, bëri të nevojshme rikthimin në skenë të poemës brilante “Epopeja e ballit Kombëtar” të poetit partizan, Shefqet Musaraj dhe të komedisë “Prefekti” të Besim Lëvonjës. Pas një “pushimi” gati dhjetë vjeçar, thjeshtë se nuk ishte në pushtet, u duk se Saliu, do ta mbyllte “misionin” dhe do të kalonte në listën e pasaportave të “përjetshme”. Por shpallja e tij “non grata” nga ish miku i tij amerikan, e zgjoj nga letargjia e pleqërisë. Berisha e din shumë mirë historinë e “limonit të shtrydhur”, ndaj vrapoi të rivishte koracën e liderit të Partisë së tij të zemrës, e vetmja ombrellë që mund ta mbrojë nga breshëri i situatave që në “botën moderne” lëvizin me orë e me minuta. Dhe që të rikthente plotësisht besimin dhe mbështetjen e ish “shefave” ndërkombëtarë, të rajersonave e miqve të tjerë të dikurshëm, i duhej të hidhej përsëri në diskursin e baltosjes së LANÇ, duke na rikujtuar ne shqiptarëve se “penicilina” e famshme e mjekësisë, do të mbetej gjithnjë një antishqiptar i marrosur dhe një demokrat i përdhosur. Për fat të keq të Saliut, ditën që ai po ulërinte kundër LANÇ dhe komandantëve të kësaj luftë legjendare, duke e quajtur të parën “luftë civile” dhe të dytët, kriminelë të luftës, tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku prehen Luftëtarët fitimtarë të 29 nëntorit 1944, u duken ambasadorja amerikane Juri Kim, së bashku me përfaqësuesit e tjerë të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë. Me këtë veprim, ambasadorja amerikane, i tha Saliut, se LANÇ e popullit shqiptar nuk mund të përbaltet, sepse Shqipëria e asaj periudhe, më luftën e saj legjendare kundër nazifashizmit, ishte pjesëtare e Koalicionit të madh Botëror, që drejtohej nga Anglo-sovjeto- amerikanët. Dhe ky veprim i ambasadores amerikane, mendoj se nuk ishte thjeshtë taktikë konjukturë, por edhe një pranim publik i fakteve historike, që Saliu “ynë”, mundohet pa sukses t’i errësojë, t’i denigrojë e ti eliminojë.
– Po, pse kjo urrejtje patologjike e së “djathtës” shqiptare kundër LANÇ dhe 29 Nëntorit të vitit 1944?
LANÇ, nuk ishte vetëm një luftë antifashiste, siç mundohen ta kufizojnë antikomunistët, por edhe një revolucion i mirëfilltë shoqëror, që përmbysi botën e vjetër dhe nisi ndërtimin e një bote të re, pa shtypje e shfrytëzim. Është pikërisht ky revolucion, që përmbysi ish klasat sunduese të para vitit 1944, shkaku i urrejtjes dhe sulmeve ndaj kësaj lufte dhe 29 Nëntorit të lavdishëm. Me përmbysjen me dhunë e tradhti të socializmit në fundvitet nëntëdhjetë, mbeturinat dhe pinjollët e ish klasave sunduese arritën të marrin pushtetin politik dhe ekonomik, por për fat të keq të tyre, jo pushtetin moral, aq shumë të domosdoshëm për të justifikuar mbajtjen e dy pushteteve të para. Këtë pushtet, ato nuk mund ta sigurojnë, gjer sa përballë tyre qëndron 29 Nëntori i vitit 1944, datë e cila është një gurë prove se kush ishin shqiptarët e vërtetë dhe kush ata të rremë. Vetëm baltosja dhe zhdukja e LANÇ dhe arritjeve të Socializmit, do t’i qetësonte e kurajonte pinjollët e kolaboracionistëve të djeshëm dhe liderin Berisha, në veprën e tyre antikombëtare. Ndaj ky i fundit, edhe tani pas tridhjetë viteve diskreditim, del në shesh dhe si klloun i cirkut që ksehaste mbretin, thërret me të madhe “Poshtë Komunizmi”, shoqëruar me frazën reaksionare, që e kthen Luftën Çlirimtare në “luftë civile”, thirrje të cilën, për fat të keq, vijojnë ta besojnë ende disa nga pinjollët e ballisto -zogistëve dhe të firasurit e “vulgut” të rrugës. Por, “thirrma” e tyre antikomuniste dhe sidomos ajo e baltosjes së LANÇ, do të kalojë si një ulërimë ujqish të zgjebosur për të përfunduar në honin e harresës, sepse LANÇ e popullit shqiptar, organizuar dhe udhëhequr gjer në fitore nga Partia Komuniste dhe shqiptari i madh Enver Hoxha, ishte një luftë që e rreshtoj denjësisht popullin shqiptar në krah të fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore.
– Megjithatë, një pyetje lind natyrshëm: Kush e nxit dhe i jep krah “komunistit”- antikomunist në këtë diskurs të pandërprerë të baltosjes së LANÇ të popullit shqiptar?
Nxitësit dhe përkrahësit kryesorë të Berishës, për fat të keq, gjenden në nivelet e pushtetit qendror që sot drejtohet nga Partia Socialiste, alias “Rilindja”. Arsyeja? Borgjezët e rinj në pushtet, kërkojnë të konsolidojnë klasën e tyre të re, doemos kopje të së vjetrës. Këtë po përpiqen ta arrijnë nëpërmjet korrupsionit galopant politik, ekonomik dhe moral, gjer dhe në shitjen e interesave kombëtare. Por edhe për këta, 29 Nëntori i vitit 1944, është pengesë e madhe, sepse kjo datë historike, me revolucionin shoqëror që realizoi, bëri që masat e gjera të popullit, të kuptojnë rolin dhe peshën e tyre ne histori, çka rrezikon klasën e re borgjeze në formim. Kjo klasë e re në formim, ka ende nevojë për sharlatanë antikombëtarë e të çakërdisur si Berisha, ndaj me qëndrimet apo mosveprimet ligjore që ka detyrim, e nxit atë, siç nxitet zagari prapa gardhit. A nuk është nxitës fakti që në përvjetorin e 80-të të Konferencës famëmadhe të Pezës, vetëm 15 kilometra nga kryeqyteti, munguan të tre drejtuesit kryesorë të shtetit shqiptar, Presidenti, Kryeministri dhe Kryetarja e Parlamentit? A nuk është nxitje, mungesa e Kryeministrit shqiptar në homazhet e organizuara tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në 78 vjetorin e Çlirimit të Atdheut? A nuk është nxitëse heshtja e plotë e këtyre përfaqësuesve të pushtetit qendror, ndaj veprimeve antikushtetuese dhe antikombëtare të drejtuesve të Bashkisë së Shkodrës, që për tri dekada rresht, refuzojnë të vënë në qytet, qoftë dhe një parullë të vetme për 29 Nëntorin e vitit 1944, duke punuar siç duket për ta kthyer Shkodrën si “zajadnicat” e komunave veriore të Kosovës? Për këtë problem të fundit, unë shkruesi i këtyre radhëve, para disa ditëve i dërgova një letër publike Presidentit të Republikës, por ai në vend që të ndërhynte si kryetar shteti dhe garant i Kushtetutës, bëri “strucin” prapa mureve të Presidencës! Duhet ta themi hapur, se edhe miqtë tanë euroatlantikë, kanë dorën e tyre të nxitjes së Berishës, në diskursin e tij antishqiptar e antikombëtar. Prej më tepër se një vit, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, dhe ndoshta shumë shpejt edhe shtetet e BE, e kanë deklaruar apo do ta deklarojnë Berishën “non grata”. Po, si është e mundur që nga njëra anë deklarohet “non grata”, dhe nga ana tjetër, ai vazhdon të jetë i lirë, dhe madje në krye të turmave për t’u rikthyer në pushtet”?! Këto lojëra politike janë jo vetëm të pandershme, por i shkaktojnë dëm të madh demokracisë që pretendohet të ndërtohet, e mbi të gjitha çështjes kombëtare të shqiptarëve. Vajtja e ambasadores amerikane tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në ditën e 78 vjetorit të Çlirimit, është një shenjë që tregon se miku në fjalë, ka nisur të kuptojë se me çështjet e mëdha të shqiptareve nuk mund të luhet; se datat historike dhe çështja jonë kombëtare, nuk mund të bëhet objekt i lojërave politike apo diplomatike. Ato janë çështje kardinale, ndaj kushdo që i prek apo i cënon në shenjtërinë e tyre, përfundon në armik i popullit shqiptar. Tre Nëntorit e shqiptarëve: 28 Nëntori i vitit 1443, i realizuar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu; 28 Nëntori i vitit 1912, i shpalljes së Pavarësisë nga plaku i urtë dhe patriot Ismali Qemali dhe 29 Nëntori i vitit 1944, i realizuar nga LANÇ dhe Udhëheqësi i kësaj lufte, Enver Hoxha; së bashku me luftën çlirimtare të krahinës shqiptare të Kosovës, dhe simbolit të kësaj lufte, Adem Jashari, përbëjnë katër kollonat mbi të cilat mbështetet kombi shqiptar në trojet e veta. Kush prek këto kolona, bëhet hasëm me kombin shqiptar.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!