Poemë me rreth 10 mijë vargje!

21
Mar
2023

A L I P A S H A I D A
/ Zgjodhi: Dilaver Goxhaj/
Autori: HAXHI SHEHRETI-Delvinjot

“ Poema “Alipashaida”, – shkruan Dritero Agolli,- është shkruar në kohën kur shkruhej “Child Harold” e Bajronit. Kështu që, pylli i poezisë shqipe është pyll i lashtë dhe na bën të mburremi. Dhe këtë mburrje e kemi falë edhe Irakli Koçollarit, këtij burri të talentuar, stoik, të kulturuar me vetitë e një intelektuali të vërtetë dhe me ndjenjën e lartë të patriotizmit.”
“HAXHI SHEHRETI ka lindur në Delvinë. Ishte bashkëmoshatar dhe i njohur me Ali Pashe Tepelenën që në rininë e tij. Shërbeu për vite me rradhë pranë oborrit të Pashait derisa ai dha grahmën e fundit. Mbi shpatullat e tij patën rënduar hallet e një familjeje prej dymbëdhjetë anëtarësh dhe, mjerisht, vdiq i verbër dhe në varfëri të plotë. Në një pasazh të historianit grek, S. Aravantino, mësojmë se poeti është varrosur në vendlindjen e tij, në Delvinë. Nuk dimë nëse një ditë do të gjëndet varri i tij që, për mirënjohje të thjeshtë, të lëmë mbi të dy degëza lule”, shkruan përkthyesi dhe shqipëriesi Irakli Koçollari.
Irakli Koçpllarit i janë dashur 6 vjet ta gjurmoi e ta sistemoi këtë poemë, duke hulumtuar në të gjitha bibliotekat dhe arkivat historike e kulturore të Greqisë, si dhe po aq vite për përkthimin, shqipërimin dhe përshtatjen në gjuhën e sotme standarte të Shqipes.
Një pjesë e kësaj poeme trajton betejën në brigjet e Danubit (Dunavi – thirrej atëherë), në Beograd, në vitin 1790, lufta midis aleancës Austro-Ruse dhe Perandorisë Otomane, në të cilën merr pjesë Ali Pashë Tepelena me ushtrinë e tij, në vijën e parë të frontit. Me qenë se aktualisht afër atyre rajoneve po zhvillohet lufta Rusi-Ukrainë, përzgjodha atë pjesë për botim. Aliu mori urdhër nga Stambolli që të shkoi në ndihmë të Portës së Lartë, i porsa dekoruar edhe me titullin “Rumeli Valesit” (Kryegjeneral i Rumelisë). Në Beograd Aliu u ndesh me forcat gjermane, por që në vargjet e poemës citohet NEMIXHË (nemce), fjalë sllave, që do të thotë gjerman.
Asnjë dokument apo burim tjetër historik nuk njihet deri tani për këtë periudhë kohore të jetës së Ali Pashë Tepelenës. Të vetmin informacion që citojnë studjuesit për këtë ngjarje, janë këto rapsodi të poetit Haxhi Shehreti, e shkruar me alfabetin grek.
LUFTA E ALIUT ME NEMIXHËN (Gjermanët)
Kartë Nemixha i dërgoi, mbretërisë i çoi njoftim:
“Këtë vit gjer në pranverë, luftë do shpall pa diskutim.
Ti s’ke kohë të gatitesh dhe në luftë të dalçë përballë,
Prandaj falmi ç’më ke marrë, në mos do t’i marr me pallë!”
Lajmin sa dërgoi Nemixha, këto fjalë, këtë haber,
Menjëherë Sulltani nisi Beogradit plot asqerë.
U gatit, shpejt u rreshtua të kaloi Nemixha Dunën, (Danubin)
Që t’i dalë para Sulltanit dhe t’i shprazë zjarrin, furtunën.
Një ferman merak ngarkuar, Rumelisë dërgoi Sulltani,
Nga Veliu i asaj ane kërkon ndihmë, e do vatani!
Le të ftojë dhe francezët, bashkë me ta përtej të mbrijmë,
Mos arrijë të dalë Nemcia, Beogradin rrafsh ta shtrijë.
Nëpër Dunë kaloi shpejt ky Nemixha me ushtarët,
Se Veliu i Rumelisë kish në gjumë ende zagarët.
Hyri tej Kulixh Kalesë, rëndë Nemixha, batërdi,
Prapa, larg në Sog Nefes mbet Veliu pa burrëri,
Tridhjetë orë larg qëndroi tërë frikë me trupat bashkë,
Nga Nemixha llahtaria zu Velinë kokëtrashë.
Vjen ferman drejt Beogradit për Velinë e Rumelisë:
“Pse u trembët e larg qëndruat, turp nuk patët ju një çikë?
Gënjeshtar, poture rënë, s’dole sheshit, kishe frikë.
Ku e çove nderin tonë, s’hoqe brezit asnjë thikë…”
Kush s’i njohu “trimërinë”, kurrë s’doli të luftojë,
Për Sulltanin gatit letër të dredhojë, ta njoftojë;
Nëpër rreshta ai mburret: “Mbrita unë në Beograd,
Kockat keq unë ia kam bluar me satër Nemixhës plak.
O Sulltan, nën hyqmin tënd, që kalanë tonë ta mbrosh,
Gjithë taboret e Aliut mirë do bësh këtu t’i çosh.”
Po Sulltani e kuptoi se prej tij s’do kishte qar,
Ndaj ta shporte atë dreq dhe të tjerë Velij me rradhë.
Prandaj lajm çoi për Alinë, krah i djathtë, petrit me fletë,
Drejt Janinës nis fermanin që korjeri t’ia çojë vetë.
SULLTANI I NIS FERMAN ALIUT
PËR LUFTË KUNDËR NEMIXHESË.
Në ferman Sulltani thotë: “O Ali, ti biri im!
Bëhu gati, rrugës nisu me të marrë këtë këndim,
Sa të mundesh revan nisu, Beogradi, bir, është larg,
Të më thuash kudo qofsh se Nemixha është në çark.
Unë besoj se ke mësuar lajmin që ka marrë dhenë,
Me Nemixhën ballë për ballë na kërkon duel t’i vemë.
Me ushtritë e mëdha erdh më hyri në sinor,
Dhe kërkush nuk më ndihmoi që t’i derdh zjarr’ e taborë.
Rrugë të marrësh Ali Pashë, Beogradi të të mbajë,
Se Veliu i Rumelisë s’është për luftë, vetëm të shajë.
Unë nga ty e pres, e dua një shërbim dhe një fitore,
Nuk besoj që me dështimin ty të kthehesh dorë për dore.
Të pamundurën të bësh, me urimin tim shko tutje,
Mbi armik kusur mos ler dhe po qanë, a çojnë lutje”.
ALI PASHA PËRGATITET PËR BETEJËN
NË BEOGRAD KUNDËR GJERMANËVE
Ali Pasha kur mësoi se çfar’ kish brenda fermani,
Urdhër dha nëpër Janinë: “Shpejt për rrugë,
këmbët mos mbani!”
Rrugët do të shkojnë tutje, nga Janina – Beogradi.
Po Veliu i Rumelisë, në çfar’ anë i hipi kalit?
Një tellall nxorri përpara që ca fjalë kudo t’i thotë:
– Kush e do Ali Pashanë pranë të vijë sa s’është vonë!
Brenda në Janinë la luanë, trima të besuar,
Pranë oxhakut, bashkë me ta, njëmijë trima të tërbuar.
Hipi kalit, rrugën mori, ku janë punët e mëdha,
Dhe spahitë bëhen gati, pas i vijnë poshtë e la.
Lajm i çoi rumeljotit: “O Veli, kush po të vjen?”
Zbret rëndë-rëndë Ali Pshai me ushtarë që kund s’i gjen!
Sa dëgjoi këto lajme, mori zemër plak Veliu,
Ngren taborët dhe i nis, Beogradit ditëziu.
Beh më parë, menjëherë, pranë tij i shpejtë rrufe,
Ku Aliu pyet Velinë: – Pse kish metur pas, atje?
Çou shpejt, o rumeljot, shpejt në luftë ne të vemi!
Me dushmanin sot patjetër, ne me gjak fjalën ta themi!
Urdhër çoi me zë të lartë: “Shpejt nizamët le të shkojnë!
Kur të mbrijn’ në Kulixh Kale, le të ulen të pushojnë”.
BETEJA E ALI PASHËS
ME FORCAT GJERMANE
Sa dëgjoi Ali Pashanë ky Nemixha vendit ngrihet,
Se në Dunë, Pashai ka mbritur të zërë shtigjet, të mos zihet.
Pas Veliu i Rumelisë fshehur kqyr larg batërdinë,
Nuk dërgon ushtarë në front, është mik me pabesinë.
Ali Pasha shpërthen me tërbim dhe godet si i marrë,
Tym e zjarr bombardat vjellin katër kullave me radhë.
* * *
Qiejt mbyten, shqyen rëndë, bubullimat keq tronditin,
Si stuhia e tërbuar që me rrënjë detin përmbysin,
Fryhen dallgët okada, shfryjnë rëndë me gjëmim,
Porsi malet ngrihet la, nxirrë, zverdhur, çakërdim.
Pa lëshohen ballë për ballë, të drobitur prapa kthejnë,
Bubullima në kërleshje, flakë e topave si shpatë.
Kush i pa, kush i dëgjoi, tmerr në mote çoi mandatë,
Drithërimë u ra në duar, mbi dyfekë e përmbi shpatë,
Plumbat ç’u vinin përballë, nëpër erë i kthenin prapë,
Të hutuar, shtangen fare, mbytur, rënë në dalldi,
Tërë këtë hata u solli Ali Pasha si stuhi.
* * *
Urdhër çoi Pashai vëngër, dhe dy fjalë ashpër tha prapë,
Që me pallë t’u bien rëndë, me inat si kurrë më parë.
“Dua unë Kulixh Kalenë, do ta marrim rrugë nuk ka,
Ndryshe gjithë ushtarët ç’janë le të mbeten përmbi ta!”
Turmë e rrëmbyer u lëshuan, shpatat tundin nëpër erë,
Ky Nemixha mirë t’i njohë ç’luftë bëjnë turq me të tjerë.
Po s’beson hiç dallkauku prandaj tallet, qesh me lot,
Nuk e di se shpatës s’egër të Aliut s’i shpëton dot.
Luft’ e frikshme keq u ndez, pleksen trupa, çarë, përgjakur,
Trimat bujnë Kulixh Kale brenda ditës pa e zgjatur,
Lart i hedhin nëpër qiell gjithë kapelet nga gëzimi;
Dëshpërim dhe vaj i madh, tëk Nemixha ra trishtimi.
Gjysmët lidhi, zuri robër, resht i vuri në zinxhirë,
Nëpër rrugë posht’ i zbriti, tej në ferr ku është më mirë.
Burrëri të madhe shpallën sa mbi tokë atje jetuan,
Trimërinë më mirë ta shihnin n’atë botë ku rrugës shkuan.
* * *
Deshën qentë e zgjebosur që të maten me luanë,
Të tregonin trimërinë me të njohur myslimanë.
Kudo ra shpata e tyre që nga Lindja – Përëndimi,
Asnjë s’mundi t’u qëndroi, dhe mbi ta ardh lavd nderimi.
Po në qofshin shqiptarë, shpallet tmerr, bëhet kërdia,
Që fëmijë dinë të luftojnë; ama, lufta është krenaria;
Dhe pa bukë, gjellë e të ftohtë s’don të dijnë ç’është uria,
Nisen zjarr ku thotë Aliu, gjak të derdhë e marrë stuhia.
* * *
Gjithë ç’kapi, robër mori, i degdisi larg Turqisë,
Ky Nemixha s’din ku shkoi, ylli tij kurrë s’do të ndrisë.
Po Aliu më nuk mbahet, dot nuk mundet të qëndrojë,
Atë çast revan u nisën Dunën gallop ta kalojnë.
Shkoi kaluar dhe më tutje, në Pançevo të mësyjnë,
Gjithë kufijtë e Nemixhës shportë i bëri, ujë të hyjë.
Burra, skllevër radhë lidhi, i tërheq varg nëpër Dunë,
Oh Nemixh i leqendisur, larg i sheh kur u vënë drunë;
Qajnë nënat për fëmijët, gratë që burra më nuk kanë,
Shkumbëzojnë në vaj e kuje qingjat që mëmat më s’i panë,
Skllevërit i shtyjnë përpara, janë njëmijë edhe më,
Prej Dunës i kaloi, pas i mori, nuk la asnjë.
* * *
Ali Pashë rrebesh që s’ndalesh, janë shumë bëmat e tua,
Gjithë lavdia që ty ngrite, shpirt i dhe me zjarr në duar!
ALIU NJOFTON SULLTANIN PËR FITOREN NË DUNAV
Me t’u dhënë këtë mësim kurrë Nemixha mos harroi,
Nga Sulltani kërkoi leje që më tej ai të shkojë:
“Sipas fjalës në ferman, mbrita unë në Beograd,
Trim Nemixhën leqendisa dhe me të u talla pak,
Çfarë kërkoi, ç’oreks kishte, ç’kusur deshi pas ia dhashë,
Sipas festes përmbi kokë dhashë ndëshkim edhe e lashë,
Qe i rëndë shumë dajaku, dhe fuqi s’i mbet aspak,
Ndaj të lutem zotëri, ç’të rri më në Beograd,
Larg, prej veneve të mija, më kanë sjellë një njoftim,
Kako Suli çoi kokë, ngritur është në rebelim.
Shpejt dërgomë, urdhër pres, të mbledh plaçkën, rrugë të marr,
Vendin tim të mbrij në kohë dhe të shohë ç’është në zjarr,
Se argatët vendin tonë, burra, gra, të gjithë ç’janë,
Veshët ngrenë për Kako Sulin, se nuk rrinë ata shejtanë”.
Dhe vërtet fermani erdhi, rrugë të marë për vilajet,
Bashkë me të urim Sulltani i dërgon, të ketë shëndet!
Gati bëri plaçkë, trupa, sa mësoi Sulltani ç’tha,
Vetë u nis për rrugë të gjatë, po Tartarin aty la.
(Shkëputur prej librit “Alipashaida e Haxhi Sherifit”, Onufri, Elbasan, 2000, f.143-152)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 21/03/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk