Politika hibride e familjes Krasniqi: Paqja si Maskë

03
Nov
2025
Shkruan: Vudi Xhymshiti

Milazim dhe Memli Krasniqi po rishkruajnë narrativën e Beogradit me flamuj të Kosovës në duar, fjala e tyre s’është kritikë, por nënshtrim i koduar.

Nov – 2 -2025

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Në Kosovë, një fotografi mund të jetë më shumë se kujtim. Ndonjëherë, është një shenjë.

Sot, Milazim Krasniqi u shfaq në Mitrovicë dhe shkroi¹: “Mitrovicali, nëse nuk doni incidente, trazira e dhunë në qytetin tuaj, largohuni nga Albin Kurti e Faton Peci. Nga sa shihet, atyre Mitrovica u duhet për të nxitur probleme ndëretnike. Ndërsa juve u duhet qetësia, zhvillimi e paqja. Mos u mashtroni.”

Fjalët u hodhën në rrjet si një këshillë, por në një territor të ndjeshëm, ku fjalët ndezin tela të zhveshur, një mesazh i tillë ka peshë tjetër.

Milazim Krasniqi nuk është qytetar i zakonshëm. Është akademik², ish-deputet, ish-gazetar dhe babai i Memli Krasniqit, kreut të PDK-së, partisë që për dy dekada udhëhoqi Kosovën dhe formësoi shumë prej dobësive që ajo sot përpiqet t’i kapërcejë. Në këtë dritë, fotografia në Mitrovicë s’mund të shihet si e pafajshme. Është sinjal politik, i lëshuar në kohë tensioni, në një zonë që Beogradi e sheh si portë të hapur drejt rikthimit të kontrollit.

Në shtator 2022, Serbia nënshkroi me Rusinë marrëveshjen e përbashkët të politikës së jashtme³. Një vit më pas, më 24 shtator 2023, në veri të Kosovës u përpoq një ndërhyrje që për nga modeli ngjante me “taktikat e Kremilinit” në pushtimin e Krimesë, elementë të armatosur, konfuzion institucional, narrativë për “mbrojtjen e serbëve lokalë”. Nga deklaratat e qeverisë së Kosovës, nga dëshmitë e banorëve dhe raportet e institucioneve ndërkombëtare, tentativa ishte e qartë, një përpjekje për ta testuar gatishmërinë e shtetit, një përpjekje për ta aneksuar veriun e vendit.

Në këtë kontekst, kur një figurë e lidhur me kryesinë e PDK-së del në Mitrovicë e u thotë qytetarëve “mos u mashtroni” nga qeveria legjitime, ky nuk është opinion, por zë që përzien politikën e brendshme me lojën e jashtme. Historia e PDK-së nën Hashim Thaçin, nga amnistia e strukturave paralele serbe, te kompromiset që dobësuan pavarësinë institucionale, ka krijuar precedent. Nën drejtimin e Memli Krasniqit, partia ka vijuar ta minojë legjitimitetin e qeverisë aktuale, shpesh duke e ambalazhuar kritikën me flamuj amerikanë e evropianë, për ta fshehur hijen e përputhjes me agjendat që favorizojnë Beogradin.

Në terrenin e veriut, ku qeveria e Kosovës përpiqet të vendosë rregull e ligj, çdo deklaratë që ngjan me “kujdes se qeveria ju sjell telashe” është ujë në mullirin e strukturave paralele. Kjo është formula e luftës hibride, krijo dyshime, nxit distancë ndaj institucioneve, ushqe ndjesinë se “ata në Prishtinë nuk na duan”. Në Ukrainë, kjo metodë e përgatiti terrenin për pushtim, në Kosovë, është përdorur për ta mbajtur shtetin të paqëndrueshëm.

Ja se çfarë thotë Dalibor Jevtic, nga Lista Serbe më 12 Tetor, 2024⁴.
Në dokumentet e institucioneve të sigurisë kosovare, Rusia është identifikuar si burim i koordinimit të fushatave të dezinformimit përmes platformave që duket se operojnë nga Serbia. Kur këtyre u shtohet zëri i një profesori e ish-politikanit kosovar që fajëson qeverinë e vet për tensionet në Mitrovicë, efekti është i dyfishtë, i brendshëm, përmes nxitjes së pakënaqësisë, dhe i jashtëm, përmes sinjalit që Kosova është e përçarë.

Nuk ka prova që Milazim Krasniqi bashkëpunon drejtpërdrejt me ndonjë shërbim apo strukturë të huaj. Por në politikë, ndikimi nuk matet vetëm me pagesa apo urdhra, matet me efektin në terren. Dhe efekti i mesazhit të tij në Mitrovicë është destabilizues. Ai rreshtohet, me vetëdije apo jo, në një linjë që dobëson frontin e brendshëm të Kosovës përballë një aleance që shkon nga Beogradi në Moskë.

Kjo është arsyeja pse do të duhej të kërkohej një hetim parlamentar. Kuvendi i Republikës duhet ta hetojë nëse përmes rrjeteve politike, mediatike apo akademike, po shpërndahet mesazh që përkon me interesat e shteteve që s’e njohin pavarësinë e Kosovës. Hetimi duhet të vlerësojë nëse PDK, në opozitë, po m­ban kontakte që cenojnë sigurinë kombëtare, dhe nëse individë me ndikim publik, si Milazim Krasniqi, janë bërë hallka e një zinxhiri të rrezikshëm të propagandës hibride. Transparenca nuk është ndëshkim, është mbrojtje.

Ky nuk është moment për gjah shtrigash. Është moment për qartësi. Nëse fjalët e përdorura në Mitrovicë kanë lindur nga pakujdesia, atëherë duhen tërhequr publikisht. Nëse janë pjesë e një strategjie politike që përfiton nga tensionet, atëherë kjo duhet të dalë në dritë. Qytetarët kanë të drejtë ta dinë kush flet në emër të paqes dhe kush e përdor “paqen” për ta lëkundur shtetin.

Republika e Kosovës është ndërtuar mbi një premtim, se askush, sado i njohur, nuk është mbi ligjin. Ai premtim po sprovohet sërish. Prandaj redaksia jonë kërkojmë që organet shtetërore të mos e trajtojnë këtë si episod rrjetesh sociale, por si çështje sigurie. Ne gjithashtu propozojmë që mediat e pavarura ta ndjekin gjurmën e fjalëve dhe të nxjerrin në pah lidhjet politike e financiare që i ushqejnë këto rekomandime të zt Krasniqi.

Në fund, propozojmë edhe diçka më të vështirë: vigjilencë qytetare. Jo me thirrje e zëra urrejtjeje, por me refuzim të apatisë. Në çdo qytet, në çdo kafene, në çdo universitet, duhet të marrim seriozisht mënyrën se si formohet opinioni publik. Sepse aty fillon mbrojtja e Republikës.

Nëse heshtim, gjumi ynë do të jetë gjumi i ariut që s’e ndien kur toka i rrëshqet nën trup. Dhe kur të zgjohet, do të jetë tepër vonë.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 03/11/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk