POLITIKA REPRESIVE DHE PERFIDE E PUSHTETIT OKUPATOR ISH-JUGOSLLAV PËR ASIMILIMIN SISTEMATIK TË SHQIPTARËVE NË MAQEDONI

16
Jul
2024
Shkruan: Akademik Abulla Mehmeti

Reflekse mbi të kaluarën
Vetëm për gjysmë shekulli sundim, pushteti okupator jugosllav (serbomadh) arriti në një masë t’i “integrojë” shqiptarët në “botën serbe”, me tendencë të hapur asimilimi, saqë, të kishte zgjatur edhe disa vite ky sundim, pushteti i Beogradit lirisht do të kishte mund të ftojë ndonjë arbitrazh ndërkombëtar, ta dëshmojë rrejshëm, përmes gjuhës së imponuar nga pushteti, se kjo popullsi shqiptare, por jo shqipfolëse, nuk është autoktone me prejardhje ilire dardane, por është me rrënjë sllave, kur shqiptarët ishin detyruar të nënshtrohen për shkak të ekzistencës së tyre fizike (akulturim në shkëmbim të kafshatës së bukës).
Nga përmbajtja e tekstit të skanuar në vazhdim të këtij shkrimi*, nga një distancë kohore prej disa dekadave, secili lexues mund ta vlerësojë se çfarë përfundimi do të kishte sjellë një arbitrazh ndërkombëtar për identifikimin e rrejshëm të shqiptarëve, për përkatësinë etnike sipas gjuhës së folur të tyre në jetën e përditshme.
Prandaj, gjeneratat e sotme dhe të ardhshme të shqiptarëve duhet t’i jenë mirënjohës për jetë të jetëve, shtresës së zgjuar të intelektualëve shqiptarë të asaj periudhe, mësuesve dhe profesorëve të shkollave shqipe, shkrimtarëve dhe gazetarëve me vetëdije kombëtare, rinisë studentore kryengritëse, që e ndërpreu këtë proces shkombëtarizimi dhe asimilimi të shqiptarëve, sidomos në Maqedoninë e atëhershme nën regjimin komunist jugosllav, ku me programe speciale Beogradi zhvillonte eksperimente nga më perfidet kundër shqiptarëve, për t’i vazhduar pastaj edhe në Kosovë dhe viset tjera shqiptare nën okupimin e Jugosllavisë.
Sa për klasën politike shqiptare të asaj kohe, gjysma e shqiptarëve për pak dekada do të ishin regjistruar si jugosllavë (në regjistrimet e popullsisë atëkohë kishte rubrikë të veçantë për deklarimin edhe të përkatësisë etnike “jugosllave”, ndërsa përkatësi etnike e shqiptarëve dhe gjuha e tyre amtare do mbetej vetëm për përdorim brenda familjes, jo edhe në përdorim publik, sipas masave që filloi t’i zbatojë pushteti okupator, mes tjerash edhe përmes paraleleve etnikisht të përziera në shkollat e mesme, ku mësimi tradicionalisht zhvillohej në gjuhën amtare shqipe, me ndalimin pagëzimit të fëmijëve me emra në gjuhën shqipe.
Pushteti kishte përgatitur dhe shpërndarë në të gjitha Zyrat e administrtive së vendit, lista të veçanta me emra për pagëzimin e fëmijëve shqiptarë të sapolindur, të ndarë në emra “të përshtatshëm” dhe “të papërshtatshëm”, ku bënin pjesë emrat me përmbajte dhe kuptim në gjuhën shqipe, sidomos emrat Shqipe, Alban, Kushtrim, Liridon etj.
Pushteti kishte sjellë masa administrative ligjore edhe për kufizimin e lindjes së më tepër se dy fëmijëve, ndalimin e shitjes dhe përdorimin e veprave të shkrimtarëve të njohur shqiptarë, sidomos atyre të Rilindjes Kombëtare, në shollat dhe bibliotekat e qyteteve me shumicë të popullsisë shqiptare në Maqedoni, nga Kumanova deri në Strugë.
Shqiptarëve u ndalohej kënga dhe vallja shqipe, u ndalohej përdorimi i kësulës së bardhë (plisit) dhe veshjes tradicionale kombëtare, u ndalohej mësimi i historisë shqiptare, përdorimi i simboleve dhe i Flamurit shqiptar.
Pas vitit 1981, në këtë frymë shoviniste, përveç dënimeve individuale të shqiptarëve “të padëgjueshëm”, të cilësuar si “nacionalistë” dhe “ekstremistë”, pushteti filloi edhe një fushatë të gjerë për diferencimin e shqiptarëve nga pushteti dhe mes njëri-tjetrit, nëpër shkolla, në organizatat shoqërore-politike, në mediet në gjuhën shqipe, sado të pakte ishin ato, vetëm një gazetë në gjuhë shqipe, e cila dilte tre herë në javë, një gjysmë ore program në gjuhën shqipe në televizion shtetërore etj.
Për këto veprimtari “të paligjshme” e sipas pushtetit ishin dënua me burg qindra e mijëra shqiptarë, si doemos të rinj, të cilësuar nga pushteti si nacionalistë, separatistë e irredentistë.
Kjo histori e dhimbshme e shqiptarëve nën sundimin e regjimit komunist jugosllav (serbomadh) nuk duhet të harrohet, që të mos u përsëritet brezave të ardhshëm. Dhe, mos harroni se, historia u përsëritet gati gjithmonë popujve që nuk mësojnë nga pësimet në të kaluarën e tyre.
* Deri në këtë masë ka qenë e bastarduar e folmja e një pjese të banorëve të Pollogut (Tetovë dhe Gostivar), të cilët një periudhë të gjatë kanë punuar e jetojnë në ish-republikat e Federatës së Jugosllavisë!
(15. 7. 2024)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 16/07/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk