PORTAT E LIRISË

23
Aug
2025
Nga: Genci Sefa – Lushnja

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Ka porta që i shohim mbyllur,
si kështjella të largëta në mjegull.
Rruga deri te to matet me plagë,
me natë e me dimër.
Por ka çaste kur muret dridhen
dhe porta hapet,
jo nga çelësi,
por nga gjaku i derdhur përtej saj.
–
Në male mësova
se dita nuk matet me orë,
por me hapin e shokut pranë,
me zemrën që s’ndalet as kur plagoset.
Nata nuk është frikë,
por strehë për trimat
derisa agimi të thërrasë.
–
Njeriu rritet
jo vetëm kur ngre flamurin,
por kur e mban gjallë
kur erërat duan ta rrëzojnë.
Në humbje, mësohet
se liria e kësaj toke kushton
më shumë se vetë jeta.
–
Dhe kur porta e lirisë hapet,
nuk hyn vetëm drita e diellit —
por fryma e maleve të lashta,
thirrja e atyre që ranë,
dhe amaneti i tyre i shenjtë
për ta mbajtur këtë tokë
të lirë, deri në amshim.
—
“Portat e lirisë nuk hapen me dorë —
 ato hapen me zemër dhe gjak.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 23/08/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk