POSHTËRIM I RI I SHQIPTARËVE

31
Jul
2023
Shkruan: Ali Sh Mehmeti


Ditëve dhe javëve të fundit në Shqipëri, temat kryesore janë hajnitë që lidhen me impiantet për përpunimin e plehrave (incineratorët) në Fier, Elbasan dhe Tiranë, vrasjet dhe zbulimet e vrasjeve të prapambetura ndër vite, që po rezultojnë me burgosje të shumta që shtrihen, nga nënkryetari i Qeverisë së Shqipërisë Arben Ahmetaj deri tek kryetarë komunash, biznesmenë vrasës, prokurorë dhe policë të lidhur me krimin. E gjitha duke falënderuar vetingut në drejtësi dhe ngritjes së një strukture të posaçme të quajtur SPAK (Struktura e Posaçme Anti Korrupsion).
Kurse në Kosovë temat janë më të larmishme: dialogu me Serbinë, shpifjet ndaj qeverise për “antiamerikanizëm”, presioni ndërkombëtar për koncesione të reja ndaj Serbisë, shpifjet rreth cenimit të fjalës së lirë, bojkotimi nga opozita i punëve të Kuvendit, “lufta” e opozitës dhe strukturave të korruptuara brenda sistemit të drejtësisë kundër krijimit të një SPAK-u në Kosovë, “lufta” e qeverisë ndaj dezinformatave nga buzhela&co e tjera e tjera. Në muajt e ardhshëm nuk pritet as të zbutet as të hiqet ndonjë temë nga rendi i ditës, përkundrazi vetëm mund të shtohen dhe ashpërsohen.
Në ndërkohë po përgatiten ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, ku partitë shqiptare në pushtet nuk kanë as vullnet, as guxim, ta kërkojnë avancimin e pozitës së shqiptarëve dhe gjuhës shqipe, e cila ende definohet sikur “gjuha 20%”. Pse është kështu, ndoshta javëve në vijim do na sqarojnë kokat e pavarura dhe të papërlyera shqiptare nga Maqedonia V. Apo ndoshta do të jetë vonë?!
Kryetari i partisë më të madhe shqiptare në MV, Bashkimit Demokratik për Integrim që është edhe pjesë e qeverisë, Ali Ahmeti, dje ka ofruar dorëheqje nga qeveria vetëm edhe vetëm për ta joshur opozitën nacionaliste maqedonase që t’i votoj ndryshimet kushtetuese ku gjuha shqipe mbetet “gjuha 20%”, duke vlerësuar “se vendimet e mëdha kërkojnë përgjegjësi dhe sakrifica politike, kombëtare e shtetërore nga secili prej nesh” (citat nga teksti i dorëheqjes). Nuk na sqaroi, cili na qenka ai interes madhor për të cilin po u dashka të bëhen sakrifica politike, kombëtare e shtetërore?! Interesi që gjuha bullgare të futet në kushtetutë kurse gjuha shqipe të mbetet “gjuhë 20%”!?
Është e drejtë e Bullgarisë dhe bullgarëve, të cilët as nuk përmenden në statistikat e popullatës në MV sepse numri i tyre është i neglizhueshëm, të kërkojnë ç’të duan. Por është e pakuptueshme pse partitë politike shqiptare dhe shqiptarët në përgjithësi në MV heshtin duke mos kërkuar që edhe gjuha shqipe të futet në kushtetutë, çoftë edhe me protesta të fuqishme, por janë të gatshëm të bëjnë “sakrifica kombëtare”. Apo, “zoti mos e thasht”, që të kërkojnë të drejtat e ngjashme me ato që i kanë serbet në Kosovë?!
Edhe më e çuditshme është pse Kryeministri dhe Presidenti i Shqipërisë janë indiferent ndaj këtyre zhvillimeve dhe nuk respektojnë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë ku në nenin 8, paragrafi 1, qartë definohet se “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.
Qeveria e Kosovës, po ashtu ka të drejtë të flas, sidomos në dritën e dialogimit rreth të drejtave të serbëve në Kosovë.
Problemet e dy qeverive të përshkruara në fillim të shkrimit, nuk mund të janë justifikim për heshtje.
Gazetarët, opinionistët dhe analistët, bashkë me opozitën, në të dy anët e Drinit, janë të zënë, disa me pushime, kurse të tjerët me “mbrojtjen e fjalës së lirë” në hapësirë ku veprojnë me qindra stacione radio, televizive, gazeta dhe portale.
Derisa në Maqedoni V po përgatitet një poshtërim i ri, jo vetëm i shqiptarëve të atjeshëm, por gjithandej, kudo që bukës i thonë bukë dhe ujit ujë!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 31/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk