Profesor i nderuar atdhetar, Agim Vinca!

11
Jan
2023


Shkruan: Fadil Shyti

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Të përgëzoj fort, për këtë shkrim që e sfidon degjenerimin, përçarjen kombëtare
dhe njëkohësisht e kultivon unitetin tonë kombëtar!

Motra shqiptare dhe vëllezër shqiptarë!
Mos harroni?!
-Përderisa, nuk hiqen barrierat dhe gurët e fundit të nga kufijt e zi,
të larë me gjak dëshmorësh shqiptarë, kufijt e egër shqiptaro–shqiptarë:
në çdo cep të Shqipërisë sonë, si urithët dhe hardhucat, nga dheu do të dalin:
politikanë, “njerëz” përçarës dhe “intelektualë” “harrestarë”, “kundër-shqiptarë,
si salot, ibrot, matoshët, spahitë dhe tashko-kodoshët, trutharë!?!

MALLKIM!
” Kur i ndanë shqiptarët me kufij,
çuditem si menduan të jetojnë të ndarë,
para se të vdisnin”?!
(Luigj Gurakuqi)

Qëkur, u ndanë trojet shqiptare,
nga imperialistët, shekujve në vazhdimësi…,
Kombi ynë, rëndë e ka përjetuar,
Keq jemi përvëluar!
Tmerrsisht e kemi parë dhe dëgjuar,
Sa alpet tona, të madhen tragjedi?!…

Po, kush janë këta, kanibalë të bastardhuar,
Ende po guxojnë, kot po përpiqen,
Edhe shpirtërisht, tinëzisht t’i ndajnë shqiptarët?!
Dhe, palo atdhetarë, pusat na hiqen?!!!

Pse nuk i duan të ribashkuar, si vëllain me vëlla?!
Pse nuk i duan të ribashkuar, dhe, si miku me mikun?!
A nuk e kuptojnë dot,-ky soj sorollop, se:

Vetëm të ribashkuar, do të jemi të fortë!…
Vetëm të ribashkuar, në zemër dhe në ballë,
Idhtas, fuqishëm,-stuhishëm, do ta godasim armikun!…
Vetëm të ribashkuar, do të jemi krenare,
Si Shqiponja dhe krenarë Shqipo shqiptarë!…

Do të jemi,-siç ishim,-siç duhet të jemi:
me Identitet të plotë, jo të cunguar, zvarranikë qyqarë!…
Do të jemi vërtet të nderuar,
Kurdoherë dhe kudo nëpër botë!…
11 janar, 2023

Agim Vinca: Karrikia me një këmbë e letërsisë shqipe

Përse në projektin “Karrigia e letërsisë shqipe” të Roland Tashos nuk gjendet asnjë nga shkrimtarët që jetojnë e krijojnë jashtë kufijve politikë të Shqipërisë?
Ndoqa, në prag të Vitit të Ri, në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, bisedën me fotografin Roland Tasho. Zoti Tasho ishte ftuar në studio si autor i projektit “Karrigia e letërsisë shqipe” dhe biseda zhvillohej rreth punës së tij në këtë projekt. Mësova se fotografi i njohur paskësh fotografuar, siç u tha, 46 (dyzet e gjashtë) shkrimtarë shqiptarë – nga më plaku, klasiku Shuteriq, e gjer tek më i riu, postmodernisti Ervin Hatibi – dhe se që të gjithë qenkëshin ulur në të njëjtën karrige, ku, pasi kanë pozuar, secili në mënyrën e vet, paskëshin lënë edhe firmat si kujtim.

Karrigia të cilën Tasho e paskësh sjellë nga shtëpia (një karrige e thjeshtë druri nga ato të dikurshmet) qëndronte e eskpozuar edhe në studio, mes moderatorit dhe autorit të saj.

Projekti është pa dyshim interesant si ide, por i mangët në pikëpamje përmbajtjesore dhe konceptuale. Përse?

Në këtë projekt të zotit Tasho, ku janë bërë bashkë 46 shkrimtarë bashkëkohorë shqiptarë, disa prej të cilëve nuk rrojnë më, nuk gjendet asnjë nga shkrimtarët që jetojnë e krijojnë jashtë kufijve politikë të Shqipërisë!

Të ndodhte kjo në fillim të viteve ’90, kur kontaktet Shqipëri-Kosovë ishin të vështira, mund të arsyetohej disi, por në vitin 2022, kur njerëzit shkojnë e vijnë nga Prishtina në Tiranë dhe anasjelltas brenda ditës, nuk ka bash kurrfarë kuptimi.

Mund të thuhet, madje, se fjala është për një lëshim të madh, për të mos thënë edhe skandal.

Por në Tiranë duket askush nuk e vëren këtë lëshim: as autori i tij, që ka punuar aq gjatë në këtë projekt (nga viti 1998, si tha vetë); as shkrimtarët që janë përfshirë në të dhe as institucionet që e promovojnë atë, duke i dhënë përmasat e një ngjarjeje kulturore.

Përkundrazi, të gjithë flasin në superlativ për këtë projekt dhe askush nuk e vëren kontradiktën që përmban ai qysh në titull: “Karrigia e letërsisë shqipe”.

Për rreth tridhjetë minuta sa zgjati biseda në studion e TV Klanit u dëgjuan shumë emra shkrimtarësh të brezave dhe profileve të ndryshme. Po përmendi disa prej tyre, duke filluar nga Kadareja e Agolli, për të vazhduar me Fatos Kongolin e Zija Çelën, Xhevahir Spahiun e Moikom Zeqon, Visar Zhitin e Ylljet Aliçkën; nuk mungojnë aty as Shuteriqi e Kolë Jakova, Llazar Siliqi e Nasho Jorgaqi, Naum Prifti e Dhimitër Xhuvani, e as Kiço Blushi, Helena Kadare, Nasi Lera, Fatos Lubonja, Aurel Plasari, Natasha Lako, Mimoza Ahmeti, Mira Meksi e shumë të tjerë, ndër të cilët edhe përkthyesit Jusuf Vrioni e Robert Shvarci.

Ka jo pak autorë të rëndësishëm edhe brenda “sinorit” që nuk janë përfshirë në këtë projekt, por ne e kemi fjalën gjetkë: te injorimi total i letërsisë së krijuar jashtë kufijve të shtetit shqiptar.

Besoj se zoti Tasho e di se letërsi shqipe nuk është vetëm ajo që krijohet në Shqipërinë shtetërore, por kudo në trojet shqiptare, madje edhe në ngulimet arbëreshe në Kalabri e Sicili (dikur edhe në Zarë) dhe në diasporë. Pastaj projekti i tij nuk është një punë e bërë shpejt e shpejt, por diçka që ka zgjatur me vjet, kështu që nuk mund të quhet kurrsesi “çështje kohe”.

Si nuk i ka shkuar mendja fotografit të nderuar se në karrigen e tij të quajtur “karrigia e letërsisë shqipe” duhet të ulej edhe ndonjë shkrimtar nga Kosova, Maqedonia, nga arbëreshët e Italisë apo edhe nga diaspora? E në qoftë se atij si artist nuk i paskësh vajtur mendja, përse nuk ia kanë sugjeruar të përzgjedhurit e tij, kolegët tanë nga Tirana, në mesin e të cilëve ka edhe studiues të letërsisë?

Derisa vazhdonte biseda mes Fevziut e Tashos, me karrigen në mes, hapja sytë dhe veshët mos po shihja portretin a mos po dëgjoja emrin e ndonjë shkrimtari nga Kosova, por më kot. Ata s’po dilnin dot!

Prita të ishte së paku poeti Ali Podrimja, aq i pranishëm në Tiranë jo vetëm me krijimtarinë e tij, por edhe fizikisht, i cili pikërisht në temën Shqipëri-Kosovë shkroi vargjet: “Xhuxhe je/ Xhuxhe je moj/ Pa mua/ Dhe kurrkushi jam moj/ Jam kurrkushi/ Pa ty”. Podrimja jetoi deri në vitin 2012, por nuk pati fatin të ulej në “karrigen” e zotit Tasho, e cila qenkësh rezervuar vetëm për shkrimtarë nga “Shqipëria xhuxhe”!

Prita të ishte gjithashtu studiuesi që ka shkruar më së shumti për bashkimin kombëtar dhe kohezionin shpirtëror të shqiptarëve si komb, profesor Rexhep Qosja, i cili është njëherësh edhe shkrimtar i madh, por as ai nuk u shfaq dot. Do t’ia vlente që Tasho të vinte në Prishtinë, duke marrë me vete edhe karrigen e tij proverbiale për ta fotografuar Profesorin dhe për ta shijuar mikpritjen e familjes Qosja në lagjen Bregu i Diellit.

Nuk po përmendi emra të tjerë, edhe pse do të mund t’i numëroja edhe njëzet a tridhjetë shkrimtarë nga Kosova, të denjë për t’u ulur në karrigen e zotit Roland Tasho.

Nuk mungojnë krijuesit e tillë as në Maqedoni dhe në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, ashtu siç nuk mungojnë as tek arbëreshët e Italisë dhe në diasporën e gjerë shqiptare në botë.

Kel Marubi në kohën e tij fotografonte personalitete nga të gjitha trevat shqiptare, kurse Roland Tasho në shekullin XXI i përmbahet në mënyrë strikte – me vetëdëshirë – konceptit shtetëror. Në “karrigen” e tij ka edhe shkrimtarë të një familjeje, por asnjë nga familja e madhe e krijuesve jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Gjithkush ka të drejtën e zgjedhjes dhe askush nuk ka të drejtë t’ia mohojë tjetrit këtë të drejtë, por në këtë rast kemi një mospërputhje flagrante ndërmjet titullit të projektit: “Karrigia e letërsisë shqipe” dhe përmbajtjes së tij.

Si ide karrigia e Tashos nuk ka të sharë, por si realizim çalon, sepse në të mungon krejtësisht gjysma e letërsisë shqipe, si të mos ekzistonte fare në këtë botë.

Merret vesh se “karrigia” është ekspozuar në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, por askush nga shkrimtarët e pranishëm nuk është kujtuar të thotë qoftë edhe një fjalë të vetme për mungesën e habitshme të kolegëve nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare, ku Kadareja e Kongoli, Zhiti e Çela me shokë, kanë aq shumë miq e lexues jo vetëm në Prishtinë e Gjakovë, fjala vjen, por edhe në Shkup e Tetovë, në Strugë e Ulqin?

As Fevziu i rrahur në debate e intervista nuk u kujtua ta pyeste bashkëbiseduesin e vet për këtë mungesë. Nuk u kujtua a nuk deshi? Më shumë kjo e dyta.

E keqja është se kjo nuk ndodh për herë të parë (ka shumë shembuj botimesh e antologjish të hartuara me “logjikën e gjysmës”, brenda e jashtë Shqipërisë) dhe, për më keq, nuk ka ndodhur deri më sot që për botime të tilla të reagojë dikush nga Tirana.

Nuk më vjen mirë që më duhet të shkruaj për të satën herë për këtë problem, por nuk mund të heshtet para shfaqjeve të tilla, që u shërbejnë si “argument” grupeve e individëve nga Prishtina, të cilët trumbetojnë pa pushim se Tirana na nënçmon; se sillet në mënyrë paternaliste; se injoron vlerat që krijohen në Kosovë etj.

Kurdo që Tirana bën ndonjë veprim të pamatur ndaj Kosovës, Buzhalat dhe Matoshët i fërkojnë duart. “Ju kemi thënë, por s’merrni vesh: ata na injorojnë!”. Ata që “s’marrin vesh” janë njerëzit si puna ime që besojnë se shqiptarët janë një komb (padrejtësisht i ndarë), që kanë një gjuhë, një kulturë, një traditë dhe një histori dhe se një ditë do të bashkohen patjrtër. Por bashkimit fizik duhet t’i prijë bashkimi shpirtëror, që bazohet në vlerat e përbashkëta.

Pesëdhjetë vjet më parë si studiues i ri i jam qasur letërsisë shqipe si një e tërë, kurse tani del dikush dhe i ndan shkrimtarët shqiptarë! Dhe, po e përsëris, askush nga Tirana nuk reagon. Përkundrazi, shprehin entuziazëm e ngazëllim.

Nuk e njoh fotografin Tasho si njeri dhe nuk i di bindjet e tij politike e të tjera, por koncepti që ka ndjekur ai në projektin për të cilin e kemi fjalën bie ndesh me realitetin shqiptar, me letërsinë shqipe dhe me procesin e integrimit të shqiptarëve si komb.

Karrigia e tij si objekt i ka katër këmbë, por si projekt është me një këmbë.

Dhe kjo ndodh jo në vitin 1992, por në vitin 2022!

Dikur kolegët tanë nga Tirana ankoheshin se nuk i linte regjimi e diktatura të interesoheshin për Kosovën dhe viset e tjera shqiptare të mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë, po tani kush i pengon?

Përgjigjja është sa e thjeshtë, po aq edhe e dhimbshme: muret që kanë brenda kokave të tyre!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 11/01/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk