Drejtuar: Kryeministrisë së Republikës së Shqipërisë, Kryeministrisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrive të Jashtme përkatëse.
Të nderuar udhëheqës politikë,
Në emër të historisë, të gjakut të derdhur për liri dhe të dinjitetit të çdo shqiptari, unë dhe jam i sigurtë se shumë si unë qytetarë të Shqipërisë, Kosovës dhe Diasporës – shprehim revoltën tonë të thellë ndaj qëndrimeve të fundit oportune dhe të pafuqishme të diplomacisë sonë zyrtare përballë provokimeve ndërkombëtare, specifikisht deklaratave të Presidentit jo Kushtetues të Ukrainës, Volodymyr Zelensky në Beograd.
Tranzicioni post-komunist na ka varfëruar materialisht, por nuk mund të lejojmë që ai të na zhdukë shpirtërisht. Ne refuzojmë të jemi “lodra” në skakierën gjeopolitike apo konsumatorë servilë të urdhrave të huaj. Nuk mund të pranojmë që ndërsa populli shqiptar tregon solidaritet të pakushtëzuar, si përgjigje të marrë përçmim nga shtete që i bëjnë llogaritë me Beogradin mbi kurrizin tonë.
MJAFT ME DIPLOMACI SERVILE – KTHENI DINJITETIN KOMBËTAR “FRASHËRI- HOXHA”
Ne ju kujtojmë sentencën monumentale të Abdyl Frashërit në pranverën e vitit 1879,kur vizitoi Parisin, Londrën, Berlinin, Vienën dhe Romën.
Ai nuk shkoi si lypës që kërkonte mëshirë, por si përfaqësues i një populli të armatosur që paralajmëronte luftë.
Kur Kongresi i Berlinit (1878) vendosi të copëtonte trojet shqiptare, Abdyl Frashëri, së bashku me Mehmet Ali Pashë Vrionin, morën përsipër një mision pothuajse të pamundur: të shkonin në strofullat e fuqive të mëdha për t’u përplasur drejtpërdrejt me diplomatët më të fuqishëm të kohës.
U përplasën në Paris dhe Londër: “Ne nuk jemi monedhë shkëmbimi”- Në Londër:
Përpara Ministrit të Jashtëm britanik, Lord Salisbury, Abdyli dorëzoi memorandumin ku sqarohej se Shqiptarët nuk do të pranonin asnjë pëllëmbë tokë tregti me fqinjët. Kur Salisbury u përpoq t’i thoshte se vendimet e Fuqive të Mëdha duheshin respektuar për hir të paqes evropiane, Abdyli iu përgjigj prerë: “Paqja e Evropës nuk mund të ndërtohet mbi varrin e popullit shqiptar. Nëse na prekni kufijtë, Ballkani do të digjet.”
Rezultati final:Misioni diplomatik i Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit në vitin 1879, i ndërmarrë në emër të Lidhjes së Prizrenit, shënoi një moment thelbësor në mbrojtjen e territoreve shqiptare përballë vendimeve të Kongresit të Berlinit. Përmes një memorandumi të prerë dhe diplomacie aktive në kryeqytetet evropiane, delegacioni detyroi kancelaritë e Fuqive të Mëdha të rishikonin planet për copëtimin e trojeve, veçanërisht në Jug.
Dhe sentencën tjetër monumentale të delegacionit tonë në Paris në vitin 1946 të kryesuar nga Enver Hoxha:
Kur Enver Hoxha mori fjalën më 21 gusht 1946 përpara Komisionit të Procedurës dhe Fuqive të Mëdha, atmosfera në sallë ishte tejet e nderë.
Strategjia e Sulmit: Në vend që të mbrohej apo të kërkonte mëshirë si një shtet i vogël, delegacioni shqiptar zgjodhi një strategji sulmi agresiv.
Fjalimi u ndërtua mbi kontributin e madh të Luftës Nacionalçlirimtare, duke numëruar dëshmorët, të plagosurit dhe dëmet materiale.
Përplasja e Drejtpërdrejtë me Tsaldaris- Kryeministri Grek: Kur delegacioni grek u përpoq ta paraqiste Shqipërinë si një shtet agresor (pasi Italia fashiste e kishte sulmuar Greqinë nga territori shqiptar në vitin 1940), përgjigjja e Tiranës ishte e prerë: “Populli shqiptar nuk mund të mbahet përgjegjës për krimet e pushtuesit fashist të cilin e luftoi vetë”.
Fjalia” Populli shqiptar nuk e ka dërguar delegacionin e tij në Paris për të dhënë llogari, por për t’u kërkuar llogari atyre, që e kanë dëmtuar aq tepër dhe që ai i ka luftuar me ashpërsi gjer në fund”,u drejtohej pikërisht atyre që tentonin të barazonin viktimën me agresorin.
“Unë deklaroj solemnisht se: as Konferenca e Parisit, as Konferenca e të Katërve, as çdo konferencë tjetër qoftë, nuk mund të marrin në shqyrtim kufijtë e vendit tonë brenda të cilëve nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj. Kufijtë tanë janë të padiskutueshëm dhe askush nuk do të guxojë t’i prekë. Që të mundin të marrin një pëllëmbë tokë të vendit tonë, grekët duhet të vënë në lëvizje të tjera mekanizma përveç votës së Konferencës së Parisit. E gjithë bota ta dijë se populli shqiptar nuk lejon që të diskutohen kufijtë e tij dhe toka e tij.”
Ndërkaq deklarata:” Edhe një shqiptar i gjallë të mbetet, grekët nuk futen dot në tokën tonë”,
nuk ishte thjesht retorikë salle, por një mesazh i qartë se Shqipëria kishte mobilizuar ushtrinë në jug dhe se çdo tentativë e ushtrisë greke për të kaluar kufirin do të përballej me një luftë totale në terren.
Rezultati Final: Një Fitore e Madhe Diplomatike
Pavarësisht presioneve të mëdha, Konferenca e Parisit e vitit 1946 përfundoi pa ndryshuar asnjë milimetër të kufijve të Shqipërisë. Pretendimet greke për “Epirin e Veriut” u hodhën poshtë zyrtarisht, dhe kufijtë e vitit 1913 u njohën përsëri si të paprekshëm.
Kjo histori tregon se kur një shtet – sado i vogël – tregon vendosmëri absolute për të mos dorëzuar territor dhe kur udhëhiqet nga një zë i fuqishëm e i guximshëm në tryezat ndërkombëtare, ai arrin të mbrojë sovranitetit e vet edhe përballë presioneve më të mëdha.
Ne jemi një komb i vogël, por historia na ka mësuar se sovraniteti nuk falet, ai mbrohet me guxim. Siç thoshin zviceranët krenarë: “Më mirë të jetojmë në varfëri nën çatinë e lirisë sonë, sesa të vëmë dhjamë nën skllavërinë e të huajve”.
PËRMES KËSAJ PROMEMORIE NE KËRKOJMË ZYRTARISHT:
RECIPROCITET TË PLOTË STRATEGJIK – PARIMI I KUSHTËZIMIT SIMETRIK
Asnjë solidaritet pa njohje!
Shqipëria dhe Kosova duhet të ngrenë një mur bllokues në marrëdhëniet dypalëshe. Çdo shtet (përfshirë Ukrainën) që kërkon votën, mbështetjen logjistike, diplomatike apo ekonomike të shqiptarëve në forumet ndërkombëtare (OKB, NATO, Këshilli i Evropës), duhet ta kushtëzojë këtë me njohjen zyrtare të sovranitetit të Kosovës.
Përgjigjja ndaj Provokimeve!
Çdo deklaratë që vjen nga liderë të huaj që cenon integritetin e Kosovës duhet të marrë një notë proteste të përbashkët të menjëhershme nga Tirana dhe Prishtina, duke pezulluar marrëveshjet bilaterale në fuqi.
Një Komb, Një Zë!
Krijimi i një trupe të përbashkët diplomatike të përhershme Shqipëri-Kosovë. Në tryezat ku Kosova nuk është e pranishme për shkak të veto-ve, Shqipëria nuk duhet të luajë rolin e “ndërmjetësit të moderuar”, por duhet të veprojë si përfaqësuesja dhe avokatja e prerë ushtarake dhe politike e Prishtinës, duke përdorur të drejtën e vetos në NATO nëse preken interesat jetike të kombit.
Partneritet, jo nënshtrim!
Marrëdhëniet me Bashkimin Evropian duhet të bazohen në modelin zviceran. Shqiptarët duhet të ndalojnë pranimin e reformave asimetrike që shkatërrojnë ekonominë apo dinjitetin kombëtar vetëm për të marrë një “lavdërim” nga Brukseli. Integrimi bëhet për të forcuar shtetin, jo për të kënaqur zyrtarët e huaj.
Ndalimin e menjëhershëm të gjuhës së thatë , oportuniste, dhe servile në deklaratat e Ministrive të Jashtme. Përgjigjet ndaj cenimit të shtetësisë së Kosovës duhet të jenë simetrike, të prera dhe sulmuese.
Kushtëzimin e plotë të çdo ndihme apo mbështetjeje diplomatike që Shqipëria dhe Kosova u japin shteteve të treta, me njohjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të Republikës së Kosovës.
Krijimin e një Këshilli të Përbashkët Diplomatik Shqipëri-Kosovë, që të garantojë se interesat tona kombëtare mbrohen si një trup i vetëm dhe i pandashëm gjeopolitik.
Identiteti ynë kombëtar nuk është një fasadë që mbrohet vetëm me këngë nëpër stadiume, por një amanet që duhet respektuar në zyrat ku merren vendimet. Ne nuk kërkojmë të na shkelin me çizme në vend të këpucëve; ne kërkojmë që askush të mos guxojë të shkelë mbi dinjitetin e këtij populli!
Nëse e doni Shqipërinë dhe Kosovën sovrane dhe me shtyllë kurrizore, NËNSHKRUANI KËTË PROMEMORIE
Unë e nënshkrova :” DIXI ET SALVAVI ANIMAM MEAM”!
12 gusht ,2026


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
