PROSTITUIMI I FJALORIT DHE HUMBJA E SOVRANITETIT GJUHËSOR

29
Jan
2026
Shrkuan: Agron Dalipaj
29 janar 2026
(një kritikë shkencore e trajtimit të shqipes nga albanologjia zyrtare e Tiranës)
Në gjuhësinë historike dhe krahasuese, huazimi përkufizohet zakonisht si proces i natyrshëm i kontaktit gjuhësor. Ky përkufizim, megjithatë, mbetet deskriptiv, jo normativ: ai përshkruan çfarë ndodh, por nuk shqyrton si, pse dhe me çfarë pasojash shkencore ndodh.
Në rastin e gjuhës shqipe, problemi nuk qëndron te ekzistenca e huazimeve, por te asimetria sistematike e interpretimit: shqipja trajtohet gati gjithmonë si marrëse, rrallë si dhënëse, pothuajse kurrë si burim konceptual. Kjo asimetri nuk është vetëm çështje statistikore; ajo është strukturë mendimi.
Ky shkrim mbron tezën se në diskursin akademik dominant, fjalori i shqipes i është nënshtruar një procesi që mund të përkufizohet si prostituim gjuhësor: një dhënie e vazhdueshme e “trupit” të fjalës, e shkëputur nga logjika e saj e brendshme, në funksion të sistemeve shpjeguese të gjuhëve përreth.
Metodologjia dominante dhe kufizimet e saj.
1. Dokumentimi si kriter absolut i origjinës së fjalës.
Gjuhësia historike tradicionale i jep dokumentimit një status pothuajse ontologjik: ajo që nuk dokumentohet, nuk ekziston. Ky parim, i vlefshëm për gjuhë me traditë të gjatë shkrimi, bëhet problematik kur aplikohet mekanikisht mbi një gjuhë si shqipja, e cila:
• ka ekzistencë të gjatë orale,
• ka prodhuar kuptim para se të prodhonte tekst,
• dhe ka qenë e përjashtuar historikisht nga qendrat e shkrimit.
Kështu, mungesa e dokumentimit (për shkak të ndalimit të kërkimeve për tekste të vjetra shqip nga sistemi zyrtar albanologjik i Tiranës) nuk lexohet si mungesë dëshmie, por si mungesë origjinaliteti.
2. Kronologjia si ideologji
Një tjetër kufizim është absolutizimi i kronologjisë së dëshmisë së shkruar. Fjala që shfaqet më herët në greqisht apo latinisht shpallet automatikisht burim, ndërsa fjala shqipe, edhe kur ruan:
• strukturë më primitive,
• ngjizje semantike më transparente,
• morfologji më koherente,
shpallet “huazim i vonë”.
Kronologjia këtu nuk është më mjet; ajo shndërrohet në dogmë.
Akademiku stoik dhe funksioni tutorial
1. Akademiku si ndërmjetës i prostitutoimit të trupit të gjuhës, jo si mbrojtës i gjuhës
Një fenomen veçanërisht problematik është figura e akademikut gjuhëtar shqiptar që vepron si tutor i transferimit leksikor të shqipes në favor të gjuhëve të tjera. Ky akademik nuk e përjeton shqipen si sistem kuptimor dhe nuk ndjen përgjegjësi për sovranitetin e saj,
por vepron si zbatues i një metodologjie të importuar duke zbrazur shqipen nga leksiku identitar i saj.
Stoicizmi i tij është simptomë e një neutraliteti të rremë: ai nuk polemizon, nuk dyshon, nuk rrezikon. Në emër të “shkencës”, ai nënshkruan dorëzimin e fjalës si të huaj. Për të fjalët: çupë, çikë, vedër, plug etj., janë serbe, paçka se ato vetmotivohen në shqip. Fjalët: xhubletë, fustanellë, qerpik, ulluk, tutkun etj., janë turke, edhe pse shqipja mund t’i vërtetojë 100% se janë fjalë të saj.
2. Tutoriali akademik si formë disiplinimi
Në këtë kuptim, sistemi funksionon si tutorial:
• studenti mësohet të mos i besojë shqipes,
• kërkuesi i ri mësohet të kërkojë burimin jashtë saj,
• çdo devijim interpretohet si “joshkencor”.
Kështu krijohet një zinxhir riprodhimi ideologjik, ku prostituimi i fjalorit të shqipes nuk është akt individual, por procedurë standarde.
Prostituimi i leksikut si koncept analitik
1. Metafora dhe legjitimiteti i saj shkencor
Termi “prostituim” përdoret këtu jo si fyerje morale, por si metaforë strukturore, sepse ai përmbush disa kushte analitike:
• ndarje e trupit nga subjekti,
• përdorim i trupit për përfitim të tjetrit,
• normalizim institucional i aktit.
Në këtë kuptim, fjala shqipe
shkëputet nga gjuha si sistem dhe
përdoret për të pasuruar narrativat e të tjerëve e mandej riemërtohet si “e huaj”.
2. Fjala si trup gjuhësor
Fjala nuk është njësi neutrale. Ajo ka:
• trup fonetik,
• embrion semantik,
• histori konceptuale.
Kur këto elemente shpërbëhen për t’i shërbyer një narrative të një gjuhe tjetër, kemi të bëjmë me dhunë epistemike, jo me analizë neutrale.
Pasojat epistemike dhe kulturore:
1. Humbja e statusit shpjegues të shqipes Një gjuhë, që trajtohet vetëm si përfituese, nuk shpjegon,
vetëm shpjegohet; nuk prodhon teori, vetëm përshtatet. Kjo e kthen shqipen nga gjuhë mendimi në objekt muzeal.
2. Instalimi i inferioritetit gjuhësor në psiqikën kombëtare si diabetizëm i fshehur.
Diskursi akademik nuk mbetet në libra. Ai depërton në sistemin arsimor, në vetëdijen kolektive e në identitetin kulturor. Shqiptari mësohet ta shohë gjuhën e vet si të mangët, të varur, të huazuar dhe me gjasë të shpërfillë interesin e të zvetënojë ndjenjën e intimitetit me gjuhën amtare deri në braktisjen e saj nga përdorimi.
Drejt rikthimit të sovranitetit metodologjik
1. Leximi nga brenda i fjalës:
Alternativa nuk është mohimi i huazimeve, por ndryshimi i rendit metodologjik:
• analiza e ngjizjes së brendshme,
• shqyrtimi i transparencës semantike,
• krahasimi tipologjik,
• vetëm më pas, hipoteza e huazimit.
Kjo është pikërisht ajo, që qasje si Metoda e Embriomorfemave (EM), synojnë të rivendosin fjalën si proces, jo si relike.
2. Dokumentimi si dëshmi, jo si autoritet suprem
Dokumenti duhet të shërbejë për të ndriçuar fjalën, jo për ta gjykuar atë. Gjuha ekziston para dokumentit dhe pavarësisht tij.
Përfundim:
Prostituimi i leksikut nuk është gabim rastësor, por simptomë e një marrëdhënieje të pabarabartë epistemike. Rikthimi i sovranitetit gjuhësor nuk kërkon izolim, por guxim metodologjik: guximin për t’i besuar shqipes si gjuhë që mendon, jo vetëm që mbijeton.
Kërcënimi më i madh për gjuhën shqipe janë akademitë shtetërore shqiptare ku vdekërrojnë akademikët tutorë të prostituimit të korpusit leksikor të shqipes, duke filluar nga Çabej, Omari, Topalli, Ismajli, B. Rugova, Lloshi, lloshët etj.
Nëse për figurat më sipër nuk bëhet trasparenca e veprave të tyre dhe ata mbrohen nga shteti dhe dogma, në epitafin e gjuhës shqipe do shkruhet:
“më helmuan akademikët shqiptarë”.
Një gjuhë, që zyrtarisht nuk lejohet të shpjegojë veten, përfundon duke u zhveshur pafund, deri në humbjen e vetes.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 29/01/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk