Pse Grenell krijoi disa “çerdhe qyqesh” në tokat shqiptare?

15
Mar
2026
Shkruan: Ramazan Bekteshi
Shume reagime shkaktoi shkarkimi i Grenell-it nga pozita e fundit që e mbajti për rreth një viti, që shqiptarët përjetuan si një rehati relative derisa ai mbajti ketë post të parëndësishëm në politikën globale. Gjatë kësaj periode Shqiptarët ishin të qetë derisa ai nuk kishte fuqi politike por në mënyrë sporadike kërkonte që të lirohej HTH, derisa, njëkohësisht pandërprerë lobonte për Serbinë.
Ne nuk e dimë të ardhmen e këtij ‘tregtari diplomatik’ derisa ai luan me kartën e komunitetit të LGBT-së që në SHBA sillet rreth 20-25 milion e që republikanët i dhuruan postin më të lartë atij pasi që vjen nga ky komunitet. Duke e ditur fenomenin e ‘swing states’ gjatë zgjedhjeve presidenciale çdo votë vlerësohet dhe është kruciale për Republikanët e Demokratët. Andaj është herët të përjashtohet ideja se Grenell e mbaroi misionin e tij politik.
Shqiptarët, frikën duhet tua kenë vete shqiptarëve, sepse ai ndërtoi “çerdhe qyqesh” me ndihmën e tyre në çdo cep të tokave shqiptare. Të parët ishin LDK-sitët, që ju gjuajtën në prehër Grenell-it, i shkonin në zyrën e tij në Gjermani me ftesë e pa ftesë, derisa për mes tij erdhën në pushtet me grusht shtet gjatë pandemisë dhe u hartuan plane për ndarjen e Kosovës. Kryeministri që erdhi me ndihmën e Grenell-it, Hoti, ishte instrumental në dhënien e hises së një pjese të Ujmanit Serbisë. Fatmirësisht, kjo ndërmarrje e frikshme dështoi me ndihmën e miqve amerikan e evropian.
Paradoksalisht, Grenell-in shqiptarët e shndërruan në një ‘përbindësh’ politike. Buzhala e quante si njeriu i tretë më i fuqishëm në SHBA, edhe pse në realitet ai nuk radhitej as në top 100. Pra, ishin shqiptarët që i dhanë epitetet e paqena këtij demagogu që ishte dhe mbetet një lobist serb, që çuditërisht presidenti HTH e dekoron me medalje të lartë presidenciale ashtu si që bëri Vuçiq më parë. Biles, Grenell shpesh lavdërohet se është i vetmi politikan amerikan që është i dekoruar nga Kosova dhe Serbia.
Sa më shumë që Grenell e bullizonte Kurtin dhe Kosovën, bilës edhe me kërcënim se do të tërhiqnin Bondstill-in aq më shumë filluan shqiptarët t’i serviloseshin këtij demagogu të pacipët. Ishte Shqipëria që vazhdimisht i bëri konak gjatë vizitave të shpeshta sa herë që i bënte Serbisë vinte dhe në Shqipëri. Biles, ai ia mundësoi dhe iu dhanë koncesione dhëndrit të Trumpit në Sazan. Ishin mediat shqiptare ashtu si mediat kosovare që i thurnin elozhe Grenellit në mënyrë fabuloze.
Grenell ndërtoi “çerdhen e qyqes” edhe në MV me shqiptarët atje. Ali Ahmeti me Grubin e prisnin në Shkup edhe atëherë kur Grenell nuk kishte funksion zyrtar. Është për tu çuditur ajo lidhja dhe miqësia e disa shqiptarëve me Grenell-in derisa ai njëkohësisht është edhe mik dhe lobist i Serbisë.
Çmenduria dhe lidhja e medias shqiptare me Grenell-in s’ka fund. Ishte Çim Peka, që kohët e fundit e vizitoi në Nju Jork, derisa, Milaim Zeka krijoi tragjikomedinë e fundit për Grenell-in, se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po përgatit atentat ndaj Grenell-it, dhe marrëzia shqiptare e kap botën.
Në fund mbetet vetëm një pyetje: Pse disa shqiptarë admirojnë pikërisht ata që i bullizojnë dhe që janë miq të hapur të Serbisë?
Kjo nuk është më një pyetje për politikën. Kjo është një pyetje për psikologjinë kolektive shqiptare.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/03/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk