Pse po hesht Prokuroria për Zekën? Kush po e mbron atë?

10
Oct
2025
Shkruan: Vudi Xhymshiti

Faleminderit që na lexoni! Ne shkruajmë që ju të merrni vendime të mirë informuara. Shijoni përmbajtjen ekskluzive të radhës nga Kronikat e Barutit.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Rasti Sheholli-Zeka ekspozon bashkëveprim të strukturuar mes operativëve të dyshuar dhe mediave, ku gazetaria përdoret si mbulesë për rrjete informative me qëllim politik.

Oct-9- 2025

Ngjarja është e qartë: Fatmir Sheholli u arrestua nën dyshim për “spiunazh”¹, ndërsa Milaim Zeka ndodhej me të në hotelin ku ndalimi ndodhi. Vetë Zeka, në videon e tij², përpiqet ta paraqesë praninë si rastësi, por fjalët që ai i thotë e hedhin poshtë këtë narrativë dhe e lidhin drejtpërdrejt me rolin e Shehollit si furnizues materiali dhe ndikimi.

Së pari, Zeka e nis me skenarin e kafeve “rastësore”: “Po une në mëngjes dola me pi kafe te Hotel Prishtina… më thirri Fatmiri: ‘A po pina kafe?’… ‘hajde ne ora 9 pina kafe’… erdhi aty… po pimë kafe… nisëm me bisedu ‘rreth publikimeve që janë bo në portolin Pa rrotulla’.” Kjo nuk është thjesht kafe, është takim pune për publikime konkrete. Ai e thekson vetë fokusin e bisedës: “me theks të veçantë rreth publikimeve në portalin pa rrotlla… .” Pra, përmbajtja e takimit lidhet me produkt editorial të Zekës, jo muhabet i rastit.

Së dyti, Zeka pranon marrëdhënien operative të furnizimit me materiale nga Sheholli:

“Spjegova gjënë e gjatë që na e ka dhanë Fatmiri prej Gizit Gjerman… qysh na e ka pru të printume tekstin, edhe usb-në… unë nuk di serbisht… duhet mi përkthy shqip… tregova kush më ka ndihmu me përkthy… ‘ka qenë urdhër me i publiku’.”

Këtu ka disa pranim-shenja kyçe:

Origjina sipas Shehollit (“prej Gizit Gjerman”) pranohet si e mjaftueshme pa verifikim të pavarur nga Zeka;

Zotërim dhe përpunim (tekst i printuar, USB, përkthim, përpunim redaksional) tregon bashkëveprim të strukturuar;

Vendim publikimi si “urdhër” tregon se materiali nuk i ka ardhur prej kanalëve normalë gazetaresk, por si pjesë e një zinxhiri detyrash.

Së treti, Zeka e relativizon vetë thelbin e dyshimeve ndaj Shehollit, duke e zhvendosur nga rrafshi penal te “punë shteti”:

“Fatmir Sheholli ka punu për AKI-në, kanë dalë dokumenta… ka marrë gjashtëqind e katërdhjetë mijë euro prej AKI-së… Tash ka na dul ky për spiunazh, po ato… janë punë të shtetit.”

Kjo gjuhë nuk është e një gazetari të distancuar nga subjekti; është gjuhë mbrojtëse që e zbut veprimin e dyshuar (“spiunazh”) që në thelb, ai përpiqet ta shpërlajë njeriun me të cilin bashkëpunon editorialisht.

Së katërti, ai e ekspozon rolin e tij si menaxher i materialit të spiunazhit, duke zgjedhur çfarë të publikojë dhe çfarë të mbajë si mjet presioni:

“na si redaksi vendosim a me publiku a mos me e publiku… pjesë e këtyre përgjimeve… kena pasë edhe aferat e seksit… kam vendos mos me i publiku… Interesi publikut asht me ditë aferat korruptive të [Nenad] Rashiqit edhe grupit tjetër.”

Këtu Zeka pranon posedim dhe kurim të përgjimeve dhe e vendos vetën si portë e materialeve të dyshimta që, sipas tij, i ka sjellë Sheholli. Përmendja e “Rashiq: Do ta provoj ta kaloj si Ashkali” konfirmon përdorim të drejtpërdrejtë të përmbajtjeve survejimi në funksion të një axhende.

Sipas çdo standardi ndërkombëtar të gazetarisë profesionale, përdorimi ose publikimi i materialeve që burojnë nga përgjimi i paligjshëm përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kodit Etik të Gazetarisë dhe, në shumë raste, shkelje penale. Kjo ndodh sepse përgjimi dhe mbajtja e materialeve të përftuara në mënyrë të paautorizuar bien ndesh me parimin themelor të gazetarisë: mbrojtjen e privatësisë dhe integritetit njerëzor, si dhe me detyrimin ligjor për mosshkelje të sigurisë kombëtare.

Në Mbretërinë e Bashkuar, rregullat janë të qarta.
Neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR) garanton lirinë e shprehjes, por i nënshtrohet kufizimeve “në interes të sigurisë kombëtare, parandalimit të krimit ose mbrojtjes së të drejtave të të tjerëve”. Për këtë arsye, Regulation of Investigatory Powers Act 2000 (RIPA)³ dhe Investigatory Powers Act 2016⁴ e ndalojnë çdo formë të mbledhjes, mbajtjes apo përdorimit të materialeve të përgjuara pa autorizim ligjor. Nëse një gazetar apo subjekt medial pranon dhe përdor informacione që burojnë nga përgjimi i paligjshëm, ai rrezikon të klasifikohet jo si “gazetar”, por si pjesëmarrës në një veprimtari spiunazhi ose bashkëpunëtor në një ndërhyrje ilegale ndaj institucioneve publike.

Kjo është arsyeja pse në Britani, raste si ai i “News of the World” (2011), ku gazetarët kishin përgjuar telefona të viktimave dhe figurave publike, përfunduan me mbylljen e redaksisë dhe dënime penale për disa gazetarë. Në thelb, çdo akt përgjuarjeje apo përdorim të materialeve të përgjuara jashtë autorizimit gjyqësor, është akt kriminal, jo “hulumtim gazetaresk”.

Në Republikën e Kosovës, ligji e përcakton edhe më qartë këtë ndalim.
Sipas Neni 141 dhe 142 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (Nr. 06/L-074)⁵, “Përgjimi i paautorizuar” dhe “Përvetësimi i të dhënave personale” dënohen me burgim deri në pesë vjet, nëse kryhen me qëllim përfitimi ose dëm publik.
Nëse akti përfshin publikim ose shpërndarje të të dhënave që mund të cënojnë sigurinë kombëtare, atëherë ligji hyn në fushën e spiunazhit (Neni 120), ku ndëshkimi shkon deri në dhjetë vjet burgim.
Pra, kushdo që posedon, përpunon dhe shpërndan materiale të përftuara përmes rrugëve të përgjimit të paligjshëm, klasifikohet në rrafshin penal si mbajtës i informatave të klasifikuara në mënyrë të paligjshme, e në rrafshin profesional, si shkelës i etikës dhe i integritetit gazetaresk.

Në këtë kontekst, fakti që Milaim Zeka pranon publikisht se ka pranuar materiale “të printuara dhe në USB”, të përkthyera nga burime të dyshimta, dhe se ka vendosur “urdhër me i publiku,” pa asnjë verifikim të burimit dhe ligjshmërisë së përftimit, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kodit të Mediave të Kosovës (neni 5 dhe neni 9)⁶, i cili ndalon përdorimin e materialeve që “cenojnë dinjitetin njerëzor dhe privatësinë” ose që “mund të dëmtojnë sigurinë kombëtare”⁷.
Në rrafshin ndërkombëtar, UNESCO, IFJ (International Federation of Journalists) dhe Council of Europe e konsiderojnë përgjimin si të paligjshëm një nga kufijtë absolutë të lirisë së shtypit, një vijë që, në momentin që kalohet, zhvendos gazetarin nga pozicioni i raportuesit në atë të operativit informativ, pra një person që vepron për llogari të një strukture të huaj ose agjende politike.

Për këtë arsye, kur një gazetar merr, ruan dhe përdor materiale që burojnë nga përgjimi sidomos në bashkëpunim me një person të akuzuar për spiunazh, ai, sipas çdo standardi ligjor dhe etik, nuk është më gazetar, por bashkëpunëtor në një veprimtari të klasifikuar si spiunazh ose ndikim të paligjshëm.
Ky nuk është interpretim, por fakt ligjor i mbështetur nga jurisprudenca britanike, ligji penal kosovar dhe standardet ndërkombëtare të shtypit të lirë.

Së pesti, kontradikta qendrore:

Zeka thotë se “unë as nuk e di prej nga kanë ardhë”, por në të njëjtën fjali pohon “unë e di deklaratën e Fatmir Shehollit që më ka thanë këto materiale janë prej disa gjermanëve edhe te Gizit”. Pra, ai nuk e di burimin, por e di që janë “prej gjermanëve”. Nëse burimi është i paqartë dhe kalon përmes një personi që sot hetohet për spiunazh, standardi gazetaresk kërkon mosbotim derisa të verifikohet origjina, jo “urdhër me i publiku”.

Zeka i ka publikuar materialet⁸.

Së gjashti, ai përpiqet të shpërqendrojë vëmendjen duke thënë se “jam 99% i bindur që krejt skenari i këtij arrestimi ka qenë i Xhelal Sveçlës… që Fatmir Sheholli të arrestohet në kohën kur ka qenë bashkë me mu.” Ky është një devijim narrativ: nga pyetja “pse je ti kanal publikimesh të materialeve të Shehollit?” te akuza politike ndaj ministrit, në një përpjekje për të krijuar rol viktime për veten dhe, njëkohësisht, për ta “ngrirë” impaktin penal të arrestimit të Shehollit.

Nga këndvështrimi i redaksisë sonë në Londër, bazuar në vëzhgimet e grumbulluara muajt e fundit nga burimet tona ndërkombëtare, këto citime tregojnë tre gjëra thelbësore:

Koordinim, jo rastësi: Vetë Zeka e pranon se takimi kishte temë “publikimet e Pa Rrotlla-s”, se materialet “na i ka dhanë Fatmiri”, se ato erdhën “të printuara” dhe në “USB”, se u “përkthyen”, dhe se pati “urdhër me i publiku”. Pra, kemi një zinxhir furnizimi, përpunimi dhe publikimi me Shehollin si burim dhe Zekën si përhapës.

Relativizim i rolit të Shehollit: Duke e quajtur spiunazhin “punë të shtetit⁹” dhe duke nxjerrë në pah pagesat e vjetra nga AKI pa asnjë filtër kritik ligjor, Zeka përpiqet t’ia ndryshojë kuptimin faktit penal të dyshuar dhe ta paraqesë Shehollin si figurë “normale” operativësh. Kjo është pikërisht matrica e larjes së imazhit: ta bësh të duket se gjithçka është “procedurë”.

Vetëmbrojtje përmes tymnaje: Akuzat për “skenar” politik, viktimizimi personal (“gazetar i rrahur”), përmendja e çështjeve dytësore intime për të krijuar kontrast moral, janë teknikë e vjetër për ta zhvendosur debatin nga burimi i materialeve dhe legjitimiteti i publikimit te një arenë emocionale ku faktet zbehen.

Pse besojmë se Zeka po përpiqet të manipulojë dhe të mbrohet duke mbuluar edhe rolin shkatërrues të Shehollit ndaj shtetit?

Sepse në një sekuencë të vetme ai:

(a) pranon furnizim të drejtpërdrejtë nga Sheholli;

(b) pranon posedim, përkthim dhe urdhër publikimi;

(c) relativizon dyshimin penal ndaj furnizuesit;

(ç) shpik një “skenar” politik për të shpjeguar momentin e ndalimit;

(d) dhe, mbi të gjitha, e zhvendos dritën e hetimit nga origjina dhe autenticiteti i materialeve te një debat i mjegullt rreth “interesit publik”.

Kjo nuk është sjellje e një redaksie që mbron standardin e verifikimit, është tipologji e një kanali qarkullimi për përmbajtje të dyshimta, ku gazetaria shërben si mbulesë.

Konteksti e forcon konkluzionin: pas rënies së rrethit të Hashim Thaçit në vitin 2020, fushata e Zekës kundër Albin Kurtit u bë e hapur dhe e përsëritur, në linjë me interesat që synojnë rrëzimin e kontrollit institucional mbi veriun dhe shthurjen e strukturave paralele serbe. Kjo përkon me rolin e Shehollit në normalizimin e figurave kyçe të aparatit paralegal të Beogradit dhe me përdorimin sistematik të materialeve të paautorizuara për të goditur institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë.

Prandaj, teksa Zeka thotë “unë rri me shumë shërbime, rri me Fatmir Shehollin…”, vetë e përkufizon marrëdhënien si afërsi për qarkullim materiali dhe urdhëra publikimi. Pjesa tjetër ku ai përpiqet për ta bërë veten dëshmitar rastësor, për ta kthyer spiunazhin në “punë shteti”, për t’i ikur pyetjes së burimit, është tymnajë. Fjalët e tij, të cituara saktë, mjaftojnë për ta përcaktuar raportin real se Milaim Zeka nuk ishte aty rastësisht, ai po funksiononte si partner i Shehollit në qarkullimin dhe shndërrimin e materialeve të dyshimta në armë politike kundër shtetit.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/10/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk