PUSETENIKU NË KAPËRCYELL TË SHEKUJVE

23
May
2024
Shkruan: Syrja Etemi


Në përpjekjet e mia të vazhdueshme për të njohur të kaluarën e vendbanimeve shqiptare të rrethinës sime më të afërt, e, pse jo, edhe ato që gjeografikisht gjenden pakëz më larg, e që ruajnë vazhdimësinë e trollit Iliro-Dardan, kësaj radhe, kërkimet dhe qëmtimet e mia në këtë kontekst i ravijëzova dhe i orientova në përqasje të fshatrave të Rrethit të Kaçanikut, përkatësisht – të Hanit të Elezit, e, në veçanti – të fshatit Pustenik. Edhe kësaj radhe, fatkeqësisht, nuk arrita të siguroj paraprakisht dokumente të shkruara në gjuhën shqipe, por, për hir të së vërtetës, disa të dhëna të përhumbura kam gjetur në disa shkrime relativisht të hershme, sidomos të viteve të 30-ta e 40-ta të shekullit të kaluar, sidomos të autorëve, Atanasije Urosheviq dhe Jovan Trifunovski. Duke mos dashur të keqkuptohemi, këtu, unë nuk dua të flas për pretendimet tendencioze e të njëanshme të autorëve të lartëcekur kundruall popullatës shqiptare, që për këtë jam absolutisht i vetëdijshëm, por do të mëtoj të prirem për të marrë e të shfrytëzoj si referenca vetëm ato të dhëna që mendoj se janë të rëndësishme e që i përligj e vërteta shkencore. Prandaj, me këto akcente, do të filloj shkrimin e radhës…
PUSTENIKU I VJETËR
POZITA DHE TIPI. Fshati gjindet në pjesën e thellë të maleve – në të djathtë të lumit të Kotlinës, gjatë derdhjes së tij në Lepenc. Ujë për pije shfrytëzojnë nga çeshmat (tre), nga burimet dhe nga lumi. Toponimet kryesore përreth fshatit janë: Koj’e Gumës (Nëse kam arritur ta deshifroj si duhet, S.E.), Ara e Atanasit, Ara e Bogdanit, Guri i Markut, Kisha.
Është fshat I tipit të dendur, ku më tepër shtrihet në kodrina me ç’rast lëvizja është shumë e vështirësuar. Pusteniku I Vjetër ka 25 shtëpi (1948 v.)
E KALUARA DHE LASHTËSIA. Në fillim të sh.XIX, në atarin e Pustenikut të Vjetër (në anën juglindore) nga ky vend, në largësi prej 1 orë në këmbë, është themeluar fshati Pustenik i Ri. Prej këtu, Pusteniku i Vjetër ka filluar të thirret vetëm si Pustenik.
Pusteniku i Vjetër ka qenë i banuar me popullatë autoktone kristiane, e cila më vonë, shumica shpërngulet (Kaçaniklit, 8 familje) në fshatin Çuçer afër Shkupit.
Lashtësia e popullatës së këtij vendbanimi vërtetohet nga rrënojat e objekteve të shumta të kultit që gjenden akoma këtu, sidomos Kisha që ka qenë në brigjet e pozicionit të fshatit, por e rrënuar nga prurjet e shumta dhe të shpeshta ndër shekuj. Kisha në fjalë, sipas disa shënimeve mjaft të vjetra ka qenë me shtylla mermeri, ornamente dekorative plastike dhe ikona. Muret ngriten nga 0.70 m. deri 2.60 m. nga niveli i sotëm i tokës. (Bëhet fjalë në vitin 1935, sipas shkrimeve të autorit, Xh. Orlloi: “Rrënojat e kishave në katundin Pusteniku i Vjetër”, Almanaku i Shoqatës Shkencore të Shkupit, libri XV-XVI, Shkup, 1936, fq.324-326). Kisha në Pustenik, duke u bazuar në teknikën arqitekturore, duhet të rezultojë nga shekulli X-XI. Përreth rrënojave të altarit, tani mblidhen “Gogët” e frshatrave përreth edhe Arbanasët myslimanë. Ata këtu sjellin edhe të sëmurë dhe ndezin qirinj”.
POPULLSIA. Të gjithë banorët e sotëm të këtij vendbanimi janë Arbanasë myslimanë shqipfolës. Fiset janë:
Laç (14 shtëpi) – nga fisi më i madh Berishë, e me prejardhje nga Arbania e Veriut. E llogarisin veten si banorë të parë të ardhur këtu, duke filluar nga fillimi i shekullit XIX. Tre vëllezëri të Laçit nga këtu shpërngulen në fshatin Seçishtë (Deharët).
Beçë,a (6 shtëpi) – nga fisi i madh Berishë. Emrin Beçë e kanë marrë nga i pari (themeluesi) i fisit, i cili, bashkë me vëllezërit tjerë (Isen dhe Sinan), shpërngulen nga Arbania e Veriut (vendi i quajtur Derjan – zona e Matit). Këta përpara më se 130 vitesh (bëhet fjalë nga viti 1947 kur është realizuar kërkimi antropogjeografik, S.E.), të parët e brezit të katërt, më së pari vendosen në Vuçidoll afër Shkupit. Atje kanë jetuar në stane (kolibe) dhe, siç janë shprehur të parët e tyre, se janë frikësuar nga “zhabat” dhe, natën ikin për në Grykë të Kaçanikut. Këtu, themeluesi i fisit është Beçë, ngulmohet në Pustenikun e Vjetër, përderisa dy vëllezërit tjerë përqëndrohen në fshatrat fqinj, Pustenikun e Ri dhe Paldenicë (Palivodenicë). Nga ata tani rrjedhin kabilet: Isen (në Pustenikun e Ri) dhe Dernjan (në Paldenicë apo Palivodenicë). Këta tre fise edhe tani i mbajnë lidhjet dhe hyrjedaljet farefisnore.
Reç (5 shtëpi), nga fisi Krasniq. Emrin e kanë marrë prej zonës nga e cila vijnë – Arbania Veriore (katundi Reç-Reçi në Lurë). Kanë ardhur pas fiseve paraprake.
KUSHTET BUJQËSORE – Tokat përreth fshatit janë jofort produktive dhe, se, sipërfaqet me kullota janë të vogla. Arat me të mbjella janë larg nga fshati, të pozicionuara në terrene pak më të rrafshta ku bëhet drithi malor me më tepër misër “bërzak”.
Rrypirat përreth fshatit janë nën pyjet kryesisht me ahishte. Pyjet shfrytëzohen edhe për kullota kafshësh, kryesisht për dhitë. Kështu çdo shtpi e fshatit ruan nga pak dhi. Përreth fshatit ekzistojnë shumë dhiare të cilat depërtojnë në pyll. Ata të çojnë në pyje, ara dhe fshatrat përreth.
PUSTENIKU I RI
POZITA DHE TIPI. – Fshati përbëhet nga grumbuj shtëpish në anën e djathtë të lumit Lepenc. Fshatrat fqinj janë: Rezhanca (nga ana J-P) dhe Pusteniku I Vjetër (ana V-P).
Popullata shfrytëzon ujë për pije, kryesiht nga dy bunare (në mëhallën Brava), disa çeshma (mëhalla Busht’e Poshtëm 3, Busht’e Epër 2, Daci 2) dhe nga burimet. Çeshmat dhe burimet janë: Kroj Brines, Kroj Katundit, Kajnaki Belulit, Kajnaki te Mullejni Dacit. Disa emërtime të atarit mund të përmendim: Kraviç, Bibinol, Kalon(v)a, Smak, Shullan (Prisoj), Gjuri Zi, Bullnavica, Uj Tharët (Kisella Voda), Ureç, Osoj.
Pusteniku i Ri është fshat i tipit të dendur. Shtëpitë janë të grumbulluara në mëhalla. Ato janë (duke filluar nga ana V-L drejt J-P): Busht’e Poshtëm, Busht’ e Epër, Daci dhe Brava. Distanca ndërmjet është nga 300-400 m. Fshati ka 32 shtëpi (viti 1948).
HISTORIKU. – Pusteniku i Ri është formuar në atarin e Pustenikut të Vjetër – në fillim të sh.XIX. Për atë, edhe pse shtëpitë e dy fshatrave janë larg njëri nga tjetri (rreth 1 orë në këmbë), këto dy vendbanime administrativisht udhëhiqen si një tërësi: Pustenik. Këtu më së pari formohen dy mëhallë: Busht’ e Poshtëm dhe Busht’e Epër – familje myslimane nga Arbania. Pas tyre, të ardhur tjerë kanë formuar edhe dy familje (mëhalla) tjera.
Në tokat e Pustenikut të Ri, nuk gjejmë gjurmë të popullimit të vjetër. Banorët e tanishëm tregojnë se, me rastin e ngulmimit të të parëve të tyre këtu, toka ku është themeluar fshati, dikur ka qenë me pyje (drunj).
POPULLSIA. – Pusteniku i Ri është i populluar me popullatë myslimane arbanishtfolëse. Fiset janë:
Isen (14 shtëpi) nga fisi i madh Berishë. Emrin e kanë fituar nga themeluesi i fisit, i cili bashkë me vëllezërit (Beçë dhe Sinan) ka ikur nga Arbania Veriore (vendi i quajtur Derjani – zona e Matit). Ata përpara 130 viteve (të parët nga brezi 4), më së pari përqëndrohen në Vuçindoll afër Shkupit, ku kanë jetuar në “kolibe” dhe, se, mbas një kohe, të frikësuar nga “zhabat” , natën kanë ikur dhe janë vendosur në Grykën e Kaçanikut, (edhe atë: Limani – gjall, 40 vjeç – Bilall – Emin – Sait – Isen, i cili është shpërngulë). Këtu, themeluesi i fisit ngulmohet si banor i parë, pra në Pustenikun e Ri, prej ku formohen Busht e Poshtëm, ku edhe sot jetojnë, përderisa dy vëllezërit tjerë, janë përqëndruar në Pustenikun e Vjetër dhe Dernjan – në Paldenicë (Palivodenicë). Nga ata, tani rrjedh fisi: Beç (në Pustenikun e Vjetër) dhe Dernjan në Paldenicë (Palivodenicë). Këta tre fise edhe tani i mbajnë lidhjet dhe hyrjedaljet farefisnore. Iseni – themeluesi i fisit në Pustenikun e Ri, ka patur 7 djem: Rexhepi, Jonuzi, Jakupi, Osmani, Mustafa, Shabani dhe Emini. Nga këta janë shtuar familjet në këtë vendbanim.
Llapoç (6 shtëpi) – nga fisi i madh: Berishë. Rrjedhin nga i pari i cili si “fëmijë” ka shkaktuar “bela” në Arbaninë Veriore dhe për atë ka ikur dhe është përqëndruar këtu. Pas ardhjes në Pustenikun e Ri, themeluesi i fisit ka shërbyer si “hyzmeqar në familjen (fisin) Isen-e. Këtu ky martohet dhe formon mëhallën e re Busht’ e Epër, paraardhësit e të cilit akoma jetojnë këtu. Emrin Llapoç e kanë të fituar si nofkë. Këtu jetojnë nga gjysma e parë e sh.XIX.
Dac (9 shtëpi), nga fisi i madh Krasniq. Prejardhjen më të hershme e kanë nga Arbania Veriore. Jetojnë në mëhallën homonime ku kanë ardhur pas fiset paraprake të përmendura.
Ballash (zh) ( 3 shtëpi). Jetojnë në Mëhallën Bravë. Prejardhjen e saktë nuk e dinë.
Të shpërngulur: Nga viti 1920 janë shpërngulur 10 familje myslimane, edhe atë, nga fisi Llapoç – 3 familje në Tetovë dhe 2 në Turqi; nga fisi Dac, 1 – në Tetovë, 1 – në Shkup dhe 3 në Seçishtë.
KUSHTET BUJQËSORE – Ara të vogla me drithëra rrethojnë shtëpitë e fshatit. Nga arat thejnë gurë dhe i bëjnë grumbuj gurorësh. Aty ku sot janë arat, dikur ka patur pyje. Ndër fshatin, përgjatë Lepencit, janë arat me misër. Në fshat nuk ka familje që mund të sigurojë bukën për një vjet – nga bereqeti i fushës. Disa familje nuk posedojnë fare tokë punuese. Më së shumti dobi fshatarët kanë prej bagëtisë. Për kullota shfrytëzojnë terrenet përreth fshatit. Pasuria nuk vlerësohej sipas posedimit të tokave, por sipas numrit të bagëtisë, sidomos të dhive.
Dru për djegie dhe ndërtimtari bartin me kuaj, rrallë në shpinë dhe me saja. Disa fshatarë shkojnë deri edhe në Shkup dhe Kaçanik për të shitur dru.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 23/05/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk