PYKAT E ZEZA HELMUESE RUSOMËDHA DHE KAFKAT SI KUNGUJ STAMBOLLI NË MAQEDONINË VERIORE

28
Feb
2023

Shkruan: Prof.dr.Abdulla Mehmeti
A k t u a l e
Kush tha se, pykat helmuese rusomëdha nuk depërtojnë lehtë në kafkat si kunguj Stambolli?
IDETË POLITIKE DESTRUKTIVE KUNDËR SHQIPTARËVE, SI SHEQERA TË MBËSHTJELLË ME HELM NGA SHËRBIMET E HUAJA SEKRETE, DISA MEDIE DHE INDIVIDË NAIVË UA SHPËRNDAJNË SHQIPTARËVE SI IDE ATDHETARE PËR KINSE SHPËTIMIN E TYRE NGA SUNDIMI DHE QEVERISJA E KEQE
Miq të nderuar, po e ndaj me ju një bisedë të shkurtër privat me një mikun tim, i cili më pyeti se çfarë mendoj unë në lidhje me “Zajednicën” e komunave me shumë shqiptare në Maqedoninë Veriore*, një ide e panevojshme dhe destruktive, e cila ka vërshuar në disa medie dhe në rrjetet sociale në kohën kur shqiptarët janë të preokupuar me çështje të tjera madhore dhe tepër serioze, siç është çështja e normalizimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës me shtetin fqinj të saj, Republikën e Serbisë, çështjen e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore historike dardane-ilire të shqiptarëve në qytetin e Shkupit, si dhe çështje të tjera aktuale.
Për ta rehatuar mikun tim, u desh një shpjegim më i hollësishëm, se si shërbimet e huaja sekrete ia imponojnë opinionit temat e këtilla, kërkesa të padobishme dhe ide destruktive, si modeli i “Zaednicës” serbomadhe në Kosovë, kinse mund të jetë model i dobishëm për t’u aktualizuar si kërkesë politike edhe nga shqiptarët në Maqedoninë Veriore.
Mes tjerash, ia shpjegova mikut tim se, varësisht nga kush dhe nga cilat kuzhina dalin këto ide, aq më pak duhet të merren seriozisht nga shqiptarët, dhe sa më pak duhet t’u jepet hapësirë në medie dhe diskutimet publike mes shqiptarëve në rrjetet sociale.
E para, në asnjë vend të botës dhe asnjëherë nuk ka lindur ndonjë ide e shëndoshë nga ndonjë individ ose grupim politik, që sapo është larguar nga pushteti ekzekutiv i atij vendi, përderisa ende e ndiejnë ngrohtësinë e karriges dhe pasurisë nga pushteti në xhepat e tyre.
E dyta, po nga kjo kuzhinë ka dalë më herët edhe ideja e këndimit (keqpërdorimit) të Himnit kombëtar të shqiptarëve në foltoren e Parlamentit të Maqedonisë, ndërsa pas disa minutave këta këndues si vajtuese mjerane u larguan nga vendi i ngjarjes me ndihmën e njësive speciale të policisë së shtetit, kurse u përgjakën të tjerët që mbetën brenda Parlamentit të rrethuar nga bandat kriminale, në tentim grusht shteti, më 27 prill 2017 në Shkup.
E treta, nga po këto kuzhina doli kinse ideja “madhore” politike në emër të shqiptarëve për “Ridefinimin” e shtetit të Maqedonisë, një ide sa abstrakte aq edhe e padobishme, të cilën nuk arritën asnjëherë t’ia shpjegojnë opinionit vendës dhe të jashtëm vetë kreatorët e kësaj ideje. Ndërkohë, po këta individë i votuan pa asnjë hamendje ndryshimet kushtetuese, në janar të vitit 2019, me të cilat edhe më tej mbeti statusi juridik-kuhtetues i shqiptarëve pakicë kombëtare, madje edhe më keq, qytetarë prej 20%, pa identitet kombëtar dhe gjuhësor, sipas dispozitave të Kushtetutës aktuale të Maqedonisë Veriore.
E katërta, në kohën e ndryshimit të madh të pushtetit, në vitin 2017, në vend që këta “patriotë të kryeqendrës” ta forcojnë unitetin mes subjekteve politike të shqiptarëve, ia vunë thikën e përçarjes faktorit politik shqiptar vendës dhe elektoratit të tyre (anëtarësisë partiake të përçarë në disa krahë partiakë të ri, përveç atyre ekzistues, siç kishin vepruar edhe banda të tjera partiake përpara tyre, duke e bërë këtë punë me shumë zell, sa për t’ua pasur lakmi edhe shërbimet sekrete më antishqiptare).
E pesta, me “gjetje” të këtilla kinse politike nuk është eksperimentuar me shqiptarët në Maqedoni vetëm kësaj radhe, por edhe shumë herë të tjera më parë, nga hapja e proceseve demokratike në këto hapësira në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.
* Në lidhje me çështjen e decentralizimit të pushtetit, ndarrjen administrative-territoriale dhe çështje të tjera në lidhje me komunat me shumicë të banorëve shqiptarë në Maqedoni, kemi shkrur gjerësisht në shkrimet dhe analizat e mëhershme.
(28 shkurt 2023)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 28/02/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk