QYTETARËT KËRKOJNË DËNIMIN E KRIMIT E KORRUPSIOIT DH JO SPEKTAKLE BAJATE GJYQËSORE!

31
Oct
2023
Shkruan: Gjon Bruçi

ZOTËRINJ TË SPAK-ut,
-Gazta SOT, 25 Tetor 2023-
Tashmë të gjithë qytetarët shqiptarë e dinë se “Piramida” e krimit dhe korrupsionit në vendin e tyre, është barazuar, e madje ia ka kaluar për nga madhësia edhe piramidës së Keopsit. Me ndryshimin se në themelet e kësaj piramide, nuk është varri i “Keopsit”, por vilat e shumta dhe pasuritë e tundshme e të patundshme të të gjithë shqiptarëve, grabitur ditën për diell nga shpura e politikanëve dhe shtetarëve të periudhës së stërgjatur të tranzicionit pseudodemokratik, i cili tashmë ka hyrë në dekatën e katërt të tij.
Prej gati dhjetë viteve, politikanët dhe shtetarët tanë, mbështetur me udhëzime e fonde nga ndërkombëtarët, miratuan reformën e drejtësisë, e cila të paktën prej 4 vitesh, ka hyrë në punë me kapacitet të mjaftueshëm, për të na mbushur mendjen ne qytetarëve, se e ka me “tërë mend” ndëshkimin e krimit e të korrupsionit tridhjetë e tre vjeçar, dhe se shumë shpejt piramidën që cekëm më sipër, do ta shkatërrojë . . .
Por, ç’po ndodh? Lufta e SPAK-ut, gjer tani i ngjan më shumë spektakleve bajate dhe jo veprimeve të efektshme të punës, për të cilën është ngritur struktura e mirëpaguar e tij. Është e vërtetë se në dyert e gjykatës speciale dhe prapa hekurave të burgut, kanë përfunduar jo pak politikanë, deputetë, kryetar Bashkishë, dhe nëpunësa të niveleve të ndryshme të qeverisë, por
shumica e tyre kanë qenë “isha” të shtrydhur gjer në fund, të cilët, pasi janë gjykuar, falë “gjykimit të shkurtuar”, sëmundjeve të papritura, problemeve familjare etj., masa e dënimit u është përgjysmuar, duke i nxjerrë madje para kohe nga qelitë, për t’i plotësuar vitet e dënimit me “arrest shtëpie”, apo me orë pune në komunitet.
E njëjta gjë po ndodh edhe me Saliun, një spektakël bajat, që çudit edhe “lopën e Lipes” tek hauri i saj. Dihet nga të gjithë shqiptarët dhe ndërkombëtarët, se koka e krimit dhe korrupsionit shtetëror në Shqipëri, në këto tri dekada e më tepër, ka qenë e është Sali Berisha. Nëse nga “turra” e madhe e krimeve të Saliut, marrim vetëm katër raste: Gjëmën e vitit ’97; Grusht-shtetin e vitit ’98; “Bombën atomike” të Gërdecit; dhe 21 janarin e vitit 2011, këto janë të mjaftueshme për dënimin e tij katër herë me burgim të përjetshëm. Por SPAK-u ynë “katër-pesë motakësh”, nuk merr asnjërën nga këto dosje, sepse ato janë me “spec djegës”, ku nakatosen e diskreditohen edhe ndërkombëtarët, që kanë mbështetur e mbajtur në pushtet Berishën me ortakët e tij. Ndaj për “t’u gjendur Kola në punë”, e për të justifikuar pagat e larta, e kapin korrupsionin dhe krimin nga bishti, çka do të thotë se lufta kundër krimit e korrupsionit do të përfundojë në “kalendat greke”. Akuza ndaj Saliut për “korrupsion pasiv” në privatizimin mjediseve të Klubit Sportiv “Partizani”, shoqërohet me një dënim që vërtitet midis 4 dhe 12 viteve. Falë të mirënjohurit “gjykim i shkurtuar”, dhe arsyeve të tjera si, pleqëria, sëmundjet, apo problemet familjare, dënimi i Saliut për “korrupsionin pasiv”, jo vetëm do të reduktohet, por ka mundësi të zëvendësohet me arrest shtëpie, apo dhe me “paraqitje” në organet e policisë, për “të pirë kafe” me punonjësit e saj.
Spektakli i SPAK-ut me Berishën, kësaj radhe ishte më i “arrirë” se spektaklet e mëparshme. Vini re: “ortaku” i tij në korrupsionin në fjalë, ndërtuesi Bektashi, u shoqërua në Gjykatë me policë me uniformë, për t’u ballfaquar me masën e ndalimit të Gjykatës. Ndërsa tek Berisha, dërgohen dy civila, pa asnjë lloj uniforme, madje njëri me atlete të bardha si ato që përdor Rama, të cilët, ngaqë nuk ua hapi derën Saliu, u kthyen nga erdhën me bisht në shalë, pa e realizuar urdhërin e SPAK-ut. Ky veprim sa qesharak, aq dhe dramatik për gjyqësorin dhe vetë shtetin, përcillet me opinione majtas e djathtas, sipas të cilave, nuk qenka marrë parasysh imunteti i deputetit Berisha. Dhe kjo justifikohet me harresën e prokurorëve ndaj neneve të Kushtetutës, ose nga ndonjë arsye tjetrër, më bajate se harresa. Këto aventura ligjore, të një subjekti të përzgjedhur e përgatitur posaçërisht në fushën e jurisprudencës, janë ose qesharake, ose djallëzore. Në të dy rastet ato janë të palejueshme dhe të dënueshme për çdo trupë gjyqësore, qoftë dhe i shkakllës minore.
Zotërinj të SPAK-ut, ju paguheni nga takstat e qytetarëve shqiptarë, por edhe euroamerikanë, me rroga të majme, krahasuar me nëpunësit e tjerë të shtetit shqiptar. Nga ana tjetër jeni trajnuar, inkurajuar e mbështetur edhe nga ndërkombëtarët, për t’i shkuar ndëshkimit të krimit e korrupsionit gjer në fund. Me mënyrën dhe ritmin që po praktikoni, këtë objektiv mund ta realizoni aty nga vitit 2100, nëse gjatë kësaj periudhë gjer atëhere nuk do të kemi krime e korrupsion tjetër.
Sigurisht që ka një rrugë tjetër shumë më të shkurtër në kohë, dhe shumë më të efektshme në rezultate. Nëse nuk e dini, apo nuk po ju kujtohet, po ua them unë qytetari i thjeshtë, pa përvojë gjyqësore, por njëherësh edhe pa djallëzi njerëzore: Krimi e korrupsioni në vendin tonë ka mbërthyer shtetin. Piramidia e këtij krimi nis nga baza e administratës shtetërore, përfshi dhe partitë politike, e gjer në organet më të larta të pushteteve. Kjo “piramidë keopsiane”, nuk mund të shembet duke e ngacmuar me “krane të thata” në prapanicë, por duke e nisur shembjen e saj nga maja e piramidës. Nga të gjitha krimet dhe korrupsionet politike dhe ekonomike që kanë ndodhur në Shqipëri, zgjidhni 21 janarin e vitit 2011. Përcaktova këtë datë e këtë ngjarje, sepse personazhet kryesore të saj janë tre persona: Berisha, Rama dhe Meta. Këta të tre, janë njëherësh edhe përgjegjësit kryesor të krimit e korrupsionit në vendin tonë, janë si të thuash “dengu” që mbyll kreun e “mullarit” apo “piramidës” së krimit e korrupsionit të këtyre dekadave pseudemokratike. Po të realizoni këtë, gjithë pesonazhet e tjera të “piramidës” bien si gjethe vjeshte, qoftë edhe me veprimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve më të zakonshëm nëpër rethe e qarqe të vendit.
Mirëpo kjo është e vështirë. Sado t’ju rriten pagat dhe miradinat, ju e keni të vështirë për disa arsye: Së pari, të tre “muskëterët” tanë të krimit e të korrupsionit, janë të lidhur si “mishi me thoin”” me njëri-tjetrin dhe me mafien, që ka mbërthyer të tre pushtetet, legjsilativin, ekzekutivin, gjyqësorin, përfshi dhe një pjesë të medies. Në këto rrethana, siguria juaj dhe e familjes tuaj, nuk mund të jetë e plotë. As kur jeni në detyrën e sotme, as kur të kaloni nesër në detyra të zakonshme; e aq më pak kur të dilni në pension. Sasia e pagës që merrni, e çfarëdo shumfishi qoftë, nuk mund t’ju motivojë të bëheni “Falkone”. Së dyti, treshja në fjalë, falë pozicionit që kanë patur e kanë në politikë e në pushtet, nuk kanë vepruar vetëm. Ata gjithnjë kanë patur këshilltarë europerendimorë, të tipit “Mc Gonigal”, dhe ju të nderuar prokurorë e gjykatës të SPAK-ut, nuk mund të dilni më të fortë se sivëllezërit tuaj të SHBA, të cilët pothuajse e mbyllën skandalin e “shokut të tyre të armëve”. Së treti, nëse ju zotërinj të SPAK-ut, kuturisni e i nxirrni të gjitha lakrat nga “Kazani tridhjetë vjeçar” i “demokracisë shqiptare”, e gjithë ngrehina e “demokracisë” së importuar nga kapitalistët, do të gremisej në humnerë, çka nuk mund të pranohet.
Dy janë rrugët e mundshme dhe të ndershme për ju zotërinj të SPAK-ut: Të realizoni pa asnjë kusht, e pa u trembur nga pasojat, detyrën përpara qytetarëve shqiptarë, që iu shikon në dritë të syrit, si të ishit Mesia; dhe e dyta, nëse nuk mundeni, hiqni dorë nga pozicioni dhe pagat e majme, duke ju kërkuar falje qytetarëve për utopinë e drejtësisë që iu ofruat. Të paktën me këtë të fundit, qytetarët do të kuptojnë më në fund, se në sistemin kapitalist, nuk mund të ketë kurrsesi drejtësi të vërtetë, dhe as drejtësi të barabartë për të gjithë shtetasit.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 31/10/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk